Mblidhet Qeveria

Aktuale

Mblidhet Qeveria

Më: 14 maj 2026 Në ora: 10:28 Përditësuar në ora: 17:12 më 14.05.2026
Qeveria

Miratohen ndryshimet për Komisionin për Verifikimin e Statusit të të Dhunuarve gjatë Luftës

Gjatë mbledhjes së Qeverisë në detyrë të Kosovës është miratuar kërkesa e Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë të 24 korrikut 2024, që ka të bëjë me themelimin e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se njohja dhe verifikimi i statusit të këtyre personave mbetet proces me rëndësi të veçantë institucionale e shoqërore, “në funksion të drejtësisë, dinjitetit dhe mbështetjes për të mbijetuarit”. Ai bëri të ditur se është propozuar ndryshimi i përbërjes së komisionit përmes emërtimit të përfaqësuesve të rinj nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.

Ndërkaq, ministri në detyrë i MPFVLÇ-së, Andin Hoti, theksoi se ndryshimet janë të domosdoshme për funksionalizimin e plotë të komisionit dhe për vazhdimësinë e trajtimit institucional të rasteve. Ai sqaroi se propozim-vendimi bazohet në nenin 8, paragrafi 1 të Ligjit nr. 04/L-172, që plotëson dhe ndryshon Ligjin 04/L-054 për statusin dhe të drejtat e kategorive të mbrojtura me ligj.

Hoti tha se, meqë përfaqësuesit aktualë të deleguar nga Ministria e Drejtësisë dhe MPFVLÇ nuk janë më pjesë e këtij komisioni, është parë e nevojshme zëvendësimi i tyre me anëtarë të rinj, me qëllim të funksionalizimit të komisionit dhe vazhdimësisë në trajtimin institucional të rasteve.

​Kurti për opozitën: Përdorën kuorumin si armë për të na prerë mandatin

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti në adresimin e tij tha se opozita zgjodhi ta përdorë kuorumin për zgjedhjen e presidentit si armë për t’ia ndërprerë mandatin qeverisës.

Kurti tha se do të vazhdojnë me punët e mira në përmbushje të zotimeve të tyre.

Kurti: Opozita zgjodhi ta përdorë kuorumin për zgjedhjen e presidentit si armë për të na e prerë mandatin

“Kjo është mbledhja e parë fizike që prej kur si qeveri na u shtua mbiemri në detyrë, pasi opozita zgjodhi ta përdorë kuorumin për zgjedhjen e presidentit si armë për të na e prerë mandatin që qytetarët na e dhanë me 51.1% të votave para vetëm 4 muaj e gjysmë. Por, ne nuk do të ndalemi kemi vazhduar me punët e mira në përmbushje të zotimeve tona”, tha ai.

Në hyrje të mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti komentoi edhe bllokimin e minatorëve në Trepçë, si pasojë e ndërprerjes së energjisë elektrike.

Ai tha se tashmë minatorët janë liruar dhe se shkaqet e avarisë në nënstacione janë duke u hetuar.

Kurti:Minatorët janë mirë, shkaqet e avarisë në nënstacione janë duke u hetuar

“Sipas saj, për shkak të një defekti në linjën 35 kilovolt Stantërg, është ndërprerë furnizimi me energji elektrike në njësinë biznesore Miniera me Flotacion Trepça-Stantërg. Ekipi i Trepçës, i përkrahur nga ekipi i KOSTT-it, është angazhuar menjëherë maksimalisht për ta rikthyer furnizimin. Në kohën kur është ndërprerë furnizimi me energji elektrike, në minierë kanë qenë 47 minatorë, prej të cilëve, përmes shkallëve emergjente, nga ora 03:00 e mëngjesit deri në ora 08:00, kanë dalë 29 prej tyre. Ndërkaq, pjesa tjetër, përveç atyre që kanë qenë në kujdestari, kanë dalë në ora 14:00, pasi ekipet teknike kanë bërë lidhje alternative emergjente për ta rikyçur linjën 35 kilovolt nga nënstacioni Trepça në Stantërg. Të gjithë punëtorët minatorë janë në gjendje të mirë shëndetësore, ndërkohë që shkaqet e avarisë në nënstacion janë duke u hetuar nga organet kompetente”, tha Kurti.

Kryeministri në detyrë, Kurti kërkoi reagim të bashkësisë ndërkombëtare ndaj shtetit serb për spastrimin etnik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Kurti: Bashkësia ndërkombëtare të veprojë menjëherë

“Serbia po vazhdon me metodat e saj të spastrimit etnik Preshevë, Medvegjë, Bujanocë në njërën anë me mohim të të drejtave, politika diskriminuese, përjashtuese ndaj shqiptarëve në anën tjetër me bllokim të mbështetjes prej anës sonë. Me pamundësinë e transferimit të mjeteve të ndara nga qeveria e Kosovës fqinji ynë verior me sjellje abnormale po i lë rreth 3650 nxënës pa libra falas më shumë 750 studentë pa bursa më shumë se 950 bujq pa mbështetje sikurse edhe shkolla e organizata e medie mes tyre dhe 90 fëmijë jetim. Këtë breng serioze unë tashmë ia kam përcjell shefes së politikës së jashtme dhe sigurisë të BE-së Kaia Kalas, ndërkaq që edhe sot përsërisim thirrjen që bashkëria ndërkombëtare të veproj menjëherë“, tha ai.

​Kurti dënon sulmin ndaj Mehanit: Nuk na trembin, nuk tërhiqemi nga gara politike në asnjë qytet

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka quajtur të papranueshëm sulmin ndaj kryetarit të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidatit për deputet nga Skenderaj, Hysni Mehani.

Kurti, në hapje të mbledhjes së sotme të qeverisë në detyrë, ka thënë se sulmet e tilla nuk i trembin dhe nuk i shtyjnë të tërhiqen nga gara politike në asnjë qytet.

“Teksa po përgatiteshim për mbledhjen e Qeverisë, na erdhi lajmi se kryetari i Qendrës së LVV-së në Komunën e Skenderajt, Hysni Mehani, u sulmua me grushte dhe u godit me gotë në kokë, teksa po pinte kafe me deputeten Arjeta Fejza dhe aktivistë të tjerë. Qeveria e Kosovës e dënon këtë sulm qyqar e të papranueshëm që shpërfaq mendësinë banditeske. Veprimet e tilla nuk na trembin e nuk na shtyjnë të tërhiqemi nga gara politike në asnjë qytet”, ka thënë ai.

Kurti ka bërë thirrje që organet e rendit e të drejtësisë që të veprojnë me urgjencë ndaj përgjegjësve të këtij sulmi, duke theksuar se rasti duhet të trajtohet menjëherë.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë, Kurti ka folur edhe për rastin e bllokimit të minatorëve në Trepçë, si pasojë e ndërprerjes së energjisë elektrike.

Ai ka bërë të ditur se ekipet emergjente dhe ato teknike kanë reaguar menjëherë për të mundësuar nxjerrjen e minatorëve dhe rikthimin e furnizimit me energji.

Sipas tij, për shkak të një defekti në linjën 35 kilovolt në Stan Tërg është ndërprerë furnizimi me energji elektrike në njësinë biznesore Miniera me Flotacion Trepça-Stantërg. Ai theksoi se ekipi i Trepça Sh.A., i mbështetur nga ekipi i KOSTT-it, është angazhuar menjëherë për rikthimin e furnizimit.

Kurti ka deklaruar se në momentin e ndërprerjes në minierë kanë qenë 47 minatorë, prej të cilëve 29 kanë dalë përmes shkallëve emergjente nga ora 03:00 deri në orën 08:00, ndërsa pjesa tjetër ka dalë më vonë, pas vendosjes së lidhjes alternative emergjente për rikyçjen e linjës 35 kilovolt nga nënstacioni në Stan Tërg.

Ai shtoi se të gjithë minatorët janë në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa shkaqet e avarisë janë duke u hetuar nga organet kompetente

Mblidhet Qeveria

Qeveria në detyrë do të mbajë sot mbledhje.

Sipas njoftimit të Kryeministrisë mbledhja do të mbahet në ora 15:00.

Në rend dite janë gjithsej 19 pika.

Ndër të tjera, në rend dite në mbledhjen e sotme pritet të bëhen shqyrtimi i disa kërkesave të Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat