DnV raporton parregullsi në nisjen e procesit të votimit

Aktuale

DnV raporton parregullsi në nisjen e procesit të votimit

Më: 7 qershor 2026 Në ora: 09:06
Ismet Kryeziu

Demokracia në Veprim (DnV) ka mbajtur të dielën një konferencë për media lidhur me nisjen e procesit të votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, duke raportuar disa parregullsi në qendra të ndryshme të votimit.

Drejtori ekzekutiv i DnV-së, Ismet Kryeziu, tha se sipas të dhënave të mbledhura nga vëzhguesit në terren, një pjesë e vendvotimeve janë hapur me vonesë.

“Sipas të dhënave të terrenit, me vonesë janë hapur 1.06 për qind e vendvotimeve për shkak të mungesës së komisionerëve. Në disa raste, vonesat lidhen edhe me mungesën e kabinave të votimit”, tha Kryeziu.

Ai bëri të ditur se në rreth 2 për qind të vendvotimeve janë evidentuar probleme me funksionalizimin e kamerave ose me mënyrën e vendosjes së tyre.

“2 për qind ka pasur probleme me funksionalizimin e kamerave, apo me mënyrën se si janë vendosur kamerat, duke rrezikuar fshehtësinë e votës”, u shpreh ai.

Kryeziu tha gjithashtu se në 16 për qind të vendvotimeve nuk është angazhuar asnjë grua si komisionere.

“Në 16 për qind të vendvotimeve nuk është asnjë grua komisionere”, deklaroi ai.

Sipas DnV-së, sfida janë evidentuar edhe sa i përket qasjes së personave me aftësi të kufizuara në qendrat e votimit.

“Qytetari duhet të ketë qasje të lehtë në qendrat e votimit, por 19 për qind e vendvotimeve nuk ofrojnë lehtësira që personat me aftësi të kufizuara të votojnë lehtësisht”, tha Kryeziu.

Ai shtoi se vëzhguesit kanë hasur edhe materiale promovuese të subjekteve politike pranë qendrave të votimit.

“Po ashtu, materialet promovuese të partive politike po shihen rreth vendeve të votimit, ndonëse nuk lejohet që ato të shfaqen brenda një distance prej 100 metrash nga vendvotimet”, theksoi Kryeziu.

Demokracia në Veprim ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin e procesit zgjedhor gjatë gjithë ditës dhe do të publikojë të dhëna të tjera lidhur me ecurinë e votimit. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat