“Përbindëshi” Mlladiq nderohet, Fetoshi: Kërcënim për Kosovën

Aktuale

“Përbindëshi” Mlladiq nderohet, Fetoshi: Kërcënim për Kosovën

Nga: A.SH Më: 28 gusht 2026 Në ora: 16:28
Ratko Mlladiq

Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, ka kritikuar nderimin e Ratko Mlladiqit në Republikën Serbe dhe paralajmërimet për një varrim shtetëror në Serbi.

Ai vlerëson se glorifikimi i tij përbën vazhdimësi të politikave të së kaluarës dhe rrezikon stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, duke e lidhur me narrativën e “Botës Serbe” dhe pretendimet ndaj Kosovës.

Shkrimi i plotë:

KËRCËNIMI I NJË PËRBINDËSHI TË VDEKUR

Një “gjeneral” serb, i dënuar me burgim të përjetshëm nga Tribunali i Hagës për "gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte", edhe për së vdekuri e kërcënon sigurinë e Ballkanit Perëndimor.

Përbindëshi Ratko Mlladiq po nderohet në Republikën Serbe, ndërsa Bosnja ende vajton për fëmijët, gratë e burrat e kasaphanës së tij. Ndërkaq, në Serbi paralajmërohet ceremoni shtetërore varrimi, si mesazh strategjik për Kosovën dhe komunitetin euro-atlantik.

Përtej zërave të “mekur” civilë e humanitarë, glorifikimi shtetëror i Mlladiqit e konfirmon vazhdimësinë e politikës së Millosheviqit, të kamufluar me konceptin e “Botës Serbe”.

S’ka rëndësi a e shkel ligjin, siç vë në dukje Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi, a është “skandal e turp” siç reagon Akademia për Zhvillim Demokratik në Novi Sad, apo pasojat eventuale në rrugën drejt BE-së, për sa kohë “nderimi” mbulohet me strategjinë e mohimit dhe “legjitimon” ideologjinë e “Serbisë së Madhe”.

Vuçiq mund të kujdeset që ta “zbusë” njoftimin e ministrit të tij, Nenad Vujiq, por nuk mund ta fshehë të vërtetën e kërcënimit, të mbështejellë me “viktimizim”.

Varrimi me “dinjitet” i Mlladiqit nuk është distancim ndaj gjenocidit dhe spastrimit etnik, është vetëm lojë fjalësh që kërcënon rajonin me fabrikimin narrativ për Kosovën “represive”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat