Berisha uron Bekim Sejdiun për postin e Presidentit të Kosovës

Aktuale

Berisha uron Bekim Sejdiun për postin e Presidentit të Kosovës

Nga: A.SH Më: 31 gusht 2026 Në ora: 17:35
Sali Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka uruar Bekim Sejdiun për marrëveshjen për zgjedhjen e tij President i Kosovës.

Berisha vlerësoi Sejdiun për përvojën në jurisprudencën kushtetuese dhe diplomaci, ndërsa uroi edhe Albin Kurtin e Lumir Abdixhikun për marrëveshjen e arritur, duke e cilësuar atë në interes të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Postimi i plotë:

Zoti Bekim Sejdiu, President i Kosovës.

Të dashur miq,

Kryeministri i Republikës së Kosovës dhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje zoti Albin Kurti si dhe z. Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, firmosën marrëveshjen për të zgjedhur në postin e Presidentit të Republikës së Kosovës zotin Bekim Sejdiu, një personalitet i shquar i Kosovës në fushën e jurisprudencës kushtetuese (ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës) dhe në fushën e diplomacisë (ish-ambasador i Republikës së Kosovës në vende të rëndësishme).

Me këtë rast, në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë, i dërgoj urimet më të përzemërta zotit Bekim Sejdiu për postin e lartë te Presidentit të Kosovës. I uroj shumë suksese dhe mbarësi në këtë detyrë të lartë, në realizimin e integrimit të Kosovës në BE e NATO, si dhe në forcimin e kontributit të saj për paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal!

Gjithashtu, me këtë rast uroj përzemërsisht Kryeministrin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosja, dhe kryetarin e LDK-së, z. Abdixhiku, për marrëveshjen e arritur dhe për përzgjedhjen e tyre dinjitoze në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat