Mushkolaj: Në Apel, shteti duhet të mobilizohet fuqishëm

Aktuale

Mushkolaj: Në Apel, shteti duhet të mobilizohet fuqishëm

Më: 16 shtator 2026 Në ora: 19:52
Gjyljeta Mushkolaj

Profesoresha universitare, Gjyljeta Mushkolaj ka folur për aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë dhe procesin e mundshëm të apelimit.

Mushkolaj tha se, përveç mbrojtjes, në procesin e apelimit duhet të angazhohen të gjithë mekanizmat shtetërorë.

“Kuptohet, kjo është punë e mbrojtjes, veçanërisht. Mirëpo, kjo do të duhej të ishte çështje e të gjithë mekanizmave edhe të shtetit tonë. I gjithë shteti, të gjithë mekanizmat me të cilët disponon shteti duhet të mobilizohen fuqishëm që në apel të rrëzohet ky gjykim”, u shpreh ajo.

E pyetur nëse vendimet e Apelit mund të zgjasin me vite, Mushkolaj tha se, sipas saj, procesi do të duhej të përmbyllej më shpejt.

“Po, shikoni, kjo gjykatë, edhe pse vendore, është e përbërë plotësisht nga ndërkombëtarët. Dhe institucione të tilla ndërkombëtare kanë dëshirë t’ia zgjasin punën vetvetes, sepse kur zgjatet puna, zgjatet edhe pagesa e të tjera me radhë. Edhe pse në këtë rast është pak më ndryshe për shkak se këtu ekziston ai regjistri i gjyqtarëve të cilët paguhen për periudhën në të cilën funksionojnë. Besoj që këto Dhoma të Specializuara do të duhej shumë shpejt që ta përmbyllin edhe këtë fazë të procedurës së apelit”, ka thënë Mushkolaj.

Ajo vlerësoi se procesi i apelimit mund të zgjasë rreth një vit dhe bëri thirrje për angazhim edhe në planin diplomatik.

“Kështu që rreth një vit mundet, gjithsesi, do të duhej të zgjasë. Edhe duhet të ketë trysni pak më të madhe edhe diplomatike që të mos zgjasë më shumë se një vit. Se jo vetëm për çështjen e vendimit si të tillë, por edhe për shkak të pozicionit që do ta ketë komplet shteti derisa të vijë vendimi përfundimtar. Kuptohet që atje ekziston edhe Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese dhe aty edhe për atë dhomë ka çfarë të bëhet, për arsye se, mos të harrojmë – nuk e di sa ka pasur mundësi, sepse shumë vonë ka ardhur edhe ai raporti të cilin e ka komisionuar Avokati i Popullit, një segment i Odës së Avokatëve Britanikë që e ka punuar, për shkeljet e ndryshme procedurale dhe të të drejtave të të pandehurve që janë bërë gjatë gjithë procesit gjyqësor”, tha Mushkolaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat