Balliu: Deklaratat nuk mjaftojnë, Shqipëria duhet të ndërmarrë akte konkrete për njohjen e gjenocidit serb në Kosovë

Aktuale

Balliu: Deklaratat nuk mjaftojnë, Shqipëria duhet të ndërmarrë akte konkrete për njohjen e gjenocidit serb në Kosovë

Më: 17 shtator 2026 Në ora: 18:45
Klevis Balliu

Klevis Balliu u shpreh se Shqipëria duhet të kalojë nga deklaratat në veprime konkrete, duke kërkuar miratimin e një rezolute për njohjen e gjenocidit serb në Kosovë dhe lobim ndërkombëtar për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës.

"Dhe kjo refuzohet vazhdimisht nga qeveria aktuale dhe nga parlamenti. Dhe kjo ka ngritur një problem thelbësor. Qeveria serbe, Aleksandër Vuçiç, në çdo kancelari ndërkombëtare ku shkon, deklaron se nuk ekzistojnë krime serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë, nuk ka një gjenocid serb në Kosovë, dhe ai si provë dhe si fakt, merr votën e Edi Ramës.

Dhe merr votën e parlamentit shqiptar. Dhe u thotë që ja ku e keni provën që edhe vetë qeveria shqiptare, parlamenti shqiptar, mohon një gjë të tillë, ndaj refuzon votimin e gjenocidit, e rezolutës për gjenocidin serb.

Pra, është një gjë fjalët, janë një gjë deklaratat, dhe është një gjë akti. Dhe jo vetëm që duhet ndërmarrë ky akt, por më pas një rezolutë të tillë ne duhet t'ja kërkojmë çdo shteti mik. Pra, qeveria do duhet të punonte në këtë aspekt. Së dyti, duhen ndërmarrë akte konkrete për lobime, për të treguar të vërtetën historike. Ne kemi parë se si bota e ndryshon historinë në bazë të interesave të njërit apo tjetrit.

Dhe në qoftë se ne do të vazhdojmë në këtë formë, nuk do të jetë e largët koha që do të flitet për gjenocidin e shqiptarëve në Serbi. Se gjithçka mund të ndodhë. Mashtrimi ngjit kudo në qoftë se paguhet mjaftueshëm. Ne do të duhet të mbledhim fonde, jo vetëm për ushtarët, liderët, dhe këdo që akuzohet në mënyrë të padrejtë për çështjen kombëtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të luftës për shpëtimin dhe çlirimin e Kosovës nga barbariteti i regjimit të Millosheviçit, por edhe të mbledhim fonde për të bërë lobim në arenën ndërkombëtare për të treguar të vërtetën dhe asgjë tjetër.

Të tregojmë ato krime që janë bërë, ato krime që janë kryer, sepse të thuash që s'ka patur gjenocid, ndërkohë që foshnjat janë vrarë në djep, ndërkohë që janë përdhunuar të mitur, të mitura, janë vrarë fëmijët në sy të baballarëve, prindër, fshatrat e tërë të djegur, të thuash që s'ka pasur gjenocid, pa diskutim është e turpshme për atë që e thotë. Po dhe për ne që nuk bëjmë diçka për ta rregulluar këtë punë, është po aq e turpshme.

Përsa i përket deklaratës, pa diskutim që vlen për të përshëndetur që ka një deklaratë të Republikës së Shqipërisë në lidhje me një çështje të interesit kombëtar. Por, këto mbeten në kuadrin e deklaratave. Dhe unë mendoj, edhe arsyeja pse kemi arritur deri në këtë pikë, është sepse ne merremi shpesh me deklaratat.

Ne bëjmë deklaratat ndër më të bukurat në botë, më patriotiket, më të jashtëzakonshmet, po kur vjen çështja për të bërë akte konkrete, ato nuk ndërmerren kurrë. Për shembull, ne kemi vite që kërkojmë një rezolutë për njohjen e gjenocidit serb në Kosovë", u shpreh Balliu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat