Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka kërkuar përparim në shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Kartën e Adriatikut.
“Aplikimi i Kosovës për anëtarësim ka mbetur pezull për shumë kohë. Përparimi në këtë çështje do të forconte kohezionin rajonal dhe aftësinë tonë të përbashkët për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë”, shkroi Hoxha në rrjetin X, transmeton KosovaPress.
Ai i bëri këto komente pas takimit të ministrave të Jashtëm të Kartës së Adriatikut në Nju Jork, të organizuar nën kryesimin e Kroacisë, e ku u pa të ketë marrë pjesë edhe kryediplomati kosovar, Glauk Konjufca.
Sipas Hoxhës, qëndrueshmëria e Ballkanit Perëndimor kërkon përfshirjen e të gjitha vendeve dhe shoqërive të rajonit në mekanizmat e bashkëpunimit dhe sigurisë.
“Stabiliteti i qëndrueshëm mund të arrihet vetëm kur të gjitha vendet dhe shoqëritë e rajonit të integrohen plotësisht në kornizat e bashkëpunimit, sigurisë dhe përgjegjësisë së përbashkët”, tha ai.
Hoxha theksoi se kërcënimet kibernetike, siguria energjetike dhe manipulimi i informacionit nga jashtë kërkojnë bashkëpunim më të gjerë rajonal. Sipas tij, një Kartë e Adriatikut më e hapur dhe gjithëpërfshirëse do të ndihmonte sigurinë e Ballkanit Perëndimor.