Hamza i kundërpërgjigjet Kurtit për Bekim Sejdiun

Aktuale

Hamza i kundërpërgjigjet Kurtit për Bekim Sejdiun

Nga: Bota sot Më: 6 tetor 2026 Në ora: 17:19 Përditësuar në ora: 17:26 më 06.10.2026
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza

Emri i Bekim Sejdiut për president, Hamza: Nuk është marrëveshje me PDK-në

Kryetari i PDK-së Bedri Hamza, i është përgjigjur ofertës së kryeministrit Albin Kurti për zgjedhjen e presidentit dhe votimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Hamza ka thënë se marrëveshja për kandidaturën e Bekim Sejdiut nuk është marrëveshje me PDK-në, por me një subjekt tjetër politik, duke iu referuar LDK-së, raporon IndeksOnline.

“Është marrëveshje me tjetër subjekt politik, me LDK-në. Pra, kjo është një marrëveshje jashtë tavolinës së PDK-së”, ka thënë Hamza.

Ai ka kërkuar që Ligji për Specialen të votohet, duke paralajmëruar se çdo vonesë e vështirëson miratimin e tij.

“Ne po kërkojmë që të votohet ligji. Çdo orë që kalon e pamundëson aprovimin e ligjit në dy lexime”, ka thënë ai.

Kreu i PDK-së ka deklaruar se nëse nuk arrihet një marrëveshje vendi po shkon drejt zgjedhjeve, duke shtuar se një skenar i tillë nuk do t’i konvenonte askujt.

Hamza: Pa miratimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, procesi kthehet në pikën fillestare

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se afatet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit nuk janë respektuar, duke e lidhur këtë situatë me, siç tha ai, mungesën e veprimeve konkrete për zgjedhjen e presidentit.

Hamza, në një prononcim para mediave, kritikoi mungesën e një marrëveshjeje politike për presidentin, duke thënë se që nga 7 gushti e deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret dhe serioz për këtë çështje.

“Deklarata politike! Jam mirënjohës dhe i falënderoj të gjithë deputetët që kanë votuar pro deklaratës për UÇK-në. Unë konsideroj që nuk duhet që veç PDK-ja me folë për një luftë të drejtë të imponuar për liri dhe pavarësi”, tha Hamza.

Duke folur për deklaratën e Kuvendit lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë, Hamza tha se ajo nuk duhet të shihet si një çështje për përfitime politike.

Sipas tij, ligji duhet të mundësojë që proceset në Hagë të zhvillohen në mënyrë të drejtë.

“Ligji kërkon dhe do drejtësi për njerëzit që janë në këtë proces. Nuk janë ata atje për veprimet e tyre të pasluftës, nuk janë si pjesëtarë apo udhëheqës të ndonjë subjekti politik. Janë si pjesë më e ndritshme e historisë sonë, as për trafikim organesh, as për asgjë tjetër”, deklaroi Hamza.

Ai theksoi se qëllimi i ndryshimeve ligjore është t’u krijohet mundësia Dhomave të Specializuara që të prodhojnë rezultate të drejta.

Hamza paralajmëroi gjithashtu se, nëse ligji nuk miratohet në të dy leximet dhe vendi shkon në zgjedhje, procesi do të kthehet në pikën fillestare.

“Nëse ligji nuk aprovohet në të dy leximet, përfundimisht nuk prodhon efekt juridik. Po që se nuk finalizohet ligji dhe vendi shkon në zgjedhje, ai kthehet në pikën fillestare. Mundem me numëru hapa sa duash. Mundemi me numëru se unë kam taku të gjitha partitë politike për këtë ligj; asnjë përfitim nuk e kemi marrë”, tha ai.

Në fund, kreu i PDK-së kritikoi lidhjen e procesit për miratimin e këtij ligji me zgjedhjen e presidentit, duke vlerësuar se nuk është e nevojshme të vendosen kushte të tilla mes dy çështjeve.

Hamza kërkoi që çështja e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara të trajtohet veçmas nga procesi politik për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat