Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka marrë pjesë si folës në edicionin e 12-të të Shkollës Diplomatike për Diplomatë të Rinj, të organizuar nga Akademia Diplomatike e Republikës së Kosovës.
Gjatë këtij aktiviteti, Maqedonci bashkëbisedoi me diplomatë të rinj nga vende të ndryshme të Evropës, Azisë, Afrikës dhe Amerikave, duke trajtuar çështje që lidhen me sigurinë, diplomacinë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Në fjalën e tij, ministri theksoi ndërlidhjen ndërmjet diplomacisë dhe mbrojtjes, sfidat bashkëkohore të sigurisë, si dhe rëndësinë e zhvillimit të kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës.
Ai nënvizoi se siguria nuk ndërtohet vetëm përmes kapaciteteve ushtarake, por edhe përmes diplomacisë, institucioneve të qëndrueshme dhe partneriteteve ndërkombëtare.
Maqedonci veçoi bashkëpunimin me shtetet anëtare të NATO-s, zhvillimin e industrisë së mbrojtjes dhe avancimin e Programit Gjithëpërfshirës të Mbrojtjes si pjesë të angazhimit të Kosovës për forcimin e sigurisë dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt.
Ministri gjithashtu vlerësoi rolin e diplomatëve të rinj në ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet shteteve, forcimin e mirëkuptimit dhe promovimin e paqes e të stabilitetit ndërkombëtar.
Në përfundim, Maqedonci theksoi se siguria është përgjegjësi e përbashkët dhe bëhet më e qëndrueshme kur diplomacia, institucionet e mbrojtjes dhe partneritetet ndërkombëtare veprojnë në koordinim.