Ish-deputeti i LDK-së, Agim Veliu, ka kujtuar Ukë Bytyqin në 24-vjetorin e vrasjes së tij, duke rrëfyer bisedën e fundit telefonike që kishte zhvilluar me të natën e zgjedhjeve të vitit 2002.
Veliu ka treguar se pas shpalljes së rezultateve zgjedhore, kur të dy po festonin fitoren, kishin telefonuar njëri-tjetrin për t’i uruar sukseset, pa e ditur se vetëm pak orë më vonë do të merrte lajmin për vrasjen e Bytyçit.
Ai e kujtoi atë si mik dhe bashkëveprimtar, duke theksuar se biseda e fundit dhe lajmi tragjik kanë mbetur të pashlyera në kujtesën e tij.
Postimi i plotë:
Në 24-vjetorin e vrasjes së Ukë Bytyqit!
Atë natë, pas shpalljes së rezultateve zgjedhore, kur edhe unë po festoja fitoren në Podujevë, diku pas mesnatës më mori në telefon Ukë Bytyqi. Biseduam dhe uruam njëri-tjetrin për fitoret e arritura.
Pas asaj bisede, dhe ca punëve tjera shkova në shtëpi, pa e ditur se vetëm pak orë më vonë do të më priste lajmi i kobshëm: Ukë Bytyqin e kishin vrarë!
Që nga ajo natë e deri më sot, biseda jonë e fundit dhe lajmi i hidhur që pasoi kanë mbetur të pashlyera në kujtesën time.
Urimet dhe gëzimi i asaj nate u kthyen në një kujtim të dhimbshëm.
Sot, pas 24 vjetësh, kujtoj me dhimbje mikun dhe bashkëveprimtarin tim, Ukë Bytyqin.
I përjetshëm qoftë kujtimi për të!