Pëlhurat e ngjyrta të Penelopës së Durrësit

Art

Pëlhurat e ngjyrta të Penelopës së Durrësit

Nga: Andi Bica, Beti Kumi Më: 14 janar 2019 Në ora: 06:13
Portret familjar

I ftohti i Janarit të sivjetshëm u mvesh me dritat e qytetit  romantik. Në sheshin e qendrës së Durrësit, mes një "tuneli ëndrrash" të improvizuar me vargje dritash dekorative, u bashkuan edhe fotografimet e bliceve mbrëmësore të kalimtarëve. Por përballë këtij dekori festiv u ndjemë më ngrohtë brenda Galerisë "Nikolet Vasia". Kuajt e gjallë në fund të sallës, që dukej sikur kërcenin nga telajot e Shpresa Milaqit, na thërrisnin për të udhëtuar mbi ta, për të ndjekur aventurën e  botës së ngjyrave.

Bashkudhëtarët modestë, Shpresa dhe Petrit Bajko , na shpjeguan emocionet e ekspozimit, gërshetuar edhe me ngjarjet e rëndësishme të jetës së tyre dhe të qytetit , si Krishtlindja dhe trokitja e vitit të ri 2019. Me thjeshtësi dhe entuziazëm të përmbajtur, Petriti si një kujdestar i ekspozitës " Ngjyra në dimër ", na pohoi se shumë artistë gjatë vizitave, i kanë vlerësuar me shënime emocionale punët e autores.

Gjiri i nënës ngjyrë shege, gruaja shtatzënë me vajzën përdore, rrethuar me sfonde të çelura lulesh, janë disa ngacmime të bukura e të shëndetshme, ndër 78 prurjet e Shpresës në akuarel, vaj e pastel. 

Image

Ndalemi tek portreti i gruas me perimet ndër duar, ku jeshilja trazuar me të verdhë dhe vishnja në violet duken mbizotëruese brenda kuadratit. 

Shprehia paqësore në portretin e zonjës së moshuar të tërheqin me natyrshmërinë e saj. Duket sikur nëna na thërret nga telajo, për ti shijuar së bashku të mirat e kopshtit të saj.

Raporti me atin, shpaloset në portretin e babait, në lidhjen si enë komunikuese, e cila na e bën më të lehtë dialogimin me piktoren. Babai i Shpresës në pikturë, edhe pse në mungesë, sikur na afron me buzagazin e përvojës të bisedojmë së bashku në një shoqërim të lirshëm.

Image

Në finale, te hyrje-dalja e galerisë, godet portreti i triptikut familjar. Nëna, babai dhe djali na buzëqeshin, e na vështrojnë me një vizion optimist drejt së ardhmes. Edhe sytë e shikimi, janë një nga detajet e rëndësishme të pikturës së Shpresa Milaqit. Përmes tyre ajo si një Penelopë endëse pëlhurash në telajo, na mundëson t'i shohim më të ngrohta ngjyrat e dimrit.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat