Lakers rinovojnë edhe me Davis, 190 milionë për 5 vjet

Basketboll

Lakers rinovojnë edhe me Davis, 190 milionë për 5 vjet

Më: 4 dhjetor 2020 Në ora: 13:37
Anthony Davis

Menjëherë pas marrëveshjes me “Mbretin” James, drejtuesit e Los Angeles Lakers bindën gjithashtu edhe sulmuesin apo qendrën e skuadrës, Anthony Davis, për të rinovuar me franchise-n kalifornian.

Pavarësisht ndryshimeve të jashtëzakonshme që pësoi kontigjenti i lojtarëve në prag të sezonit të ri, përsëri prania e Anthony Davis nuk u vu fare në dyshim. 27-vjeçari nga Chicago konsiderohet si një ndër basketbollistët më të mirë në NBA, madje tetë vjet më parë Anthony Davis vari në qafë medaljen e artë në Olimpiadën e Londrës, kur ishte vetëm 19 vjeç, ndërsa dy vjet më pas, në moshën 21-vjeçare, ai ishte pjesë e seleksionit të Shteteve të Bashkuara që triumfoi në Spanjë, në kampionatin botëror.

Diskutimet ishin shtyrë në kohë thjesht për çështjen e parave, megjithatë, në fund gjithçka u zgjidh dhe palët ranë dakord për një kontratë 5-vjeçare. Anthony Davis u transferua në Qytetin e Engjëjve te Lakers në korrikun e vitit 2019, si rrjedhojë e shkëmbimit që bënë New Orleans Pelicans me Los Angeles Lakers.

Davis kaloi fillimisht te Lakers me një kontratë 1-vjeçare, ndërsa në Louisiana u zhvendos treshja Lonzo Ball, Brandon Ingram, Josh Hart, plus tre përzgjedhje nga raundi i parë në draft.

Pa harruar kontributin e lojtarëve të tjerë, falë dyshes LeBron James – Anthony Davis Lakers shkuan deri në fund në Orlando Bubble, për të mposhtur 4-2 në finale Miami Heat, duke u barazuar në këtë mënyrë në krye me 17 tituj me franchise-n nga Massachusetts, Boston Celtics, megjithatë në krahun tjetër kjo lëvizje nuk i solli asnjë lloj përfitimi ekipit buzë Mississippi-t, që e mbylli sezonin e rregullt në Konferencën e Perëndimit jo vetëm jashtë zonës play off, por gjithashtu edhe në pozicionin e 13 nga 15 skuadra gjithsej, me vetëm 30 fitore në 72 takime.

Kështu 27-vjeçari nga Illinoisi do të luajë te “liqenorët” edhe për pesë vjet të tjera dhe mediet e ndryshme amerikane kanë zbuluar se Anthony Davis do të përfitojë plot 190 milionë dollarë nga kjo kontratë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat