Clippers rigjejnë suksesin

Basketboll

Clippers rigjejnë suksesin

Më: 21 mars 2021 Në ora: 11:43
Clippers rigjejnë suksesin

Los Angeles Lakers vijon të shfaqet me oshilacione dhe tashmë ka dorëzuar edhe vendin e dytë të renditjes në Konferencën e perëndimit. Skuadra kaliforniane është mposhtur në shtëpi nga Atlanta Hawks me shifrat 94-99, por humbja më e madhe ka qenë dëmtimi i liderit të ekipit, Lebron James.

Ky i fundit luajti pak më tepër se çerekun e ndeshjes për t’u shtrirë më pas në parket, pasi nuk mund të vijonte më ndeshjen, teksa gjatë ditës së sotme pritet të përcaktohet se kur do të rikthehet sërish të kontribuojë për Lakers.

Sa i përket sfidës, gjithçka ishte e balancuar pas gjysmës së par,ë por në fraksionin e tretë u prishën ekuilibrat, pasi Hawks triumfuan me shifrat 12-22 falë formës së mirë të Collins e italianit Gallinari, ndërsa më pas ruajtën avantazhin deri në gongun final.

Disa orë më vonë, po në “Staples Center” skuadra tjetër e Los Angelesit, Clippers ia doli të fitojë me shifrat 125-98 ndaj Charlotte Hornets. Paul George dhe Kawhi Leonard ishin protagonistët e Clippers në sfidën ndaj Hornets, duke shënuar së bashku 38 pikë, rikuperuar 8 topa dhe dhënë 13 asiste.

Philadelphia 76ers vijon të kryesojë në Konferencën e Lindjes dhe pas humbjes dy ditë më parë ndaj Milwaukee Bucks, ka reaguar mbrëmjen e djeshme duke triumfuar me shifrat 129-105 ndaj Sacramento Kings.

Harris dhe Milton ishin protagonistët absolutë të suksesit të 76ers, të cilët zgjodhën gjithçka që në fraksionin e parë, duke vendosur një avantazh të konsiderueshëm, të cilin e menaxhuan mirë deri në fund të takimit.

Në sfidat e tjera, Memphis Grizzlies triumfoi me shifrat 111-103 ndaj Golden State Warriors, ndërsa Milwaukee Bucks fitoi me rezultatin 120-113 ndaj San Antonio Spurs.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat