Peja triumfon në derbin ndaj Trepçës

Basketboll

Peja triumfon në derbin ndaj Trepçës

Më: 3 prill 2022 Në ora: 19:18
Peja triumfon në derbin ndaj Trepçës

Peja ka shënuar fitore ndaj Trepçës me rezultat 79:71 (20:14, 20:18, 27:22, 12:17), në xhiron e 25-të të Art Motion Superligës së Kosovës në basketboll.

Fillimi i ndeshjes ishte i barabartë deri tek rezultati 9:9, kur pejanët hyn në një seri prej 8:0, duke u shkëputur në 17:9, ndërsa çerekun e parë e fituan me shifrat 20:14. Periudha e dytë ishte më e barabartë, ku mitrovicasit afruan shifrat në 25:24, por verdhezinjtë sërish arritën të shkëputen në 32:24, e më pas krijuan epërsi prej dhjetë pikësh, 40:30, ndërsa pjesa e parë përfundoi 40:32.

Edhe në periodën e tretë, vendasit ishin për një nuancë më të mirë, ku arritën edhe epërsinë më të lartë, që shkoi deri në 15 pikë, 61:46, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 67:54.

Në dhjetë minutat e fundit, ‘Xehetarët’ tentuan përmbysjen e madhe, ndërsa pejanët menaxhuan me sukses epërsinë e krijuar duke triumfuar 79:71.

Te Peja u dalluan Stephen Maxwell me 20 pikë e katër kërcime dhe Dardan Berisha me 26 pikë e tetë asistime, kurse te Trepça u dalluan Andrew Gordon me 12 pikë e 12 kërcime dhe Amin Hot me 10 pikë, gjashtë kërcime dhe gjashtë asistime.

Peja ka 16 fitore e nëntë humbje, kurse Trepça ka 17 fitore e tetë humbje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat