Besëlidhja një fitore larg finaleve

Basketboll

Besëlidhja një fitore larg finaleve

Më: 15 prill 2025 Në ora: 11:44
Pemje nga një ndeshje

Besëlidhja fitoi 92-74 ndaj Vllaznisë në gjysmëfinalen e dytë play off në basketboll për meshkuj, duke udhëhequr 2-0 serinë e takimeve. Tashmë lezhjanët janë një fitore larg finaleve, ku synojnë të mbrojnë titullin kampion.

Në ndeshjen e luajtur në Shkodër, skuadra e Besëlidhjes bëri një paraqitje të mirë, duke u shkëputur 24-15 që në periodën e parë. Më pas, administrojnë me qetësi avantazhin deri në fund, duke e merituar fitoren.

Vllaznia nuk pati asnjë shans të rivalizojë edhe pse Walton ishte shënuesi më i mirë me 23 pikë.

Për lezhjanët u dalluan Bernard me 21 pikë dhe Hamati me 20 pikë e 16 rebound. Ndeshja e tretë do të luhet në kryeqytet.

Në gjysmëfinalen tjetër, Apolonia mundi 83-71 Teutën në Fier dhe barazoi në 1-1 serinë e takimeve. Ndeshje ku vendasit e thelluan epërsinë gradualisht me kalimin e minutave, duke e merituar fitoren.

Teuta nuk ishte në gjendje të rivalizonte, duke pranuar humbjen. Harris me 18 pikë, që e nisi ndeshjen nga stoli, u dallua për Apoloninë, ndërsa 29 pikët e Morton për durrsakët mbetën për statistikë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat