Basketbollistët e Zhalgirisit padyshim që e kuptuan shumë mirë se ajo që ndodhi në prag të ndeshjes së Euroligës në fushën e Cërvena Zvezdës në Beograd ishte një provokim i pastër.
Tifozët famëkeq të skuadrës serbe, pritën yjet e koshit nga Lituania me një këngë ruse, një ngacmim i qartë për arsye se vendi baltik nuk ka aspak raporte të mira me Rusinë.
Nuk ka rëndësi se cili ishte emri I këngës, dhe cila këngëtare e këndonte, diçka me të cilën nuk u morën as mediat serbe e të tjera.
Bashkë me parullën “Lavdi Rusisë”, grupimi “Delije” dha mesazhin e vet.
Diçka paradoksale për faktin se në ekipin beogradas këtë sezon luan lituanezi Donatas Motiejunas, që ishte ndër më të mirët ndaj Zhalgirisit.
Natyrisht, nuk është I vetmi, dhe dihet nga përvoja se provokimet kanë qenë edhe më parë në Beograd, apo kur Cërvena Zvezda e Partizani kanë shkuar në Kaunas.