Bashkimi fiton derbin e madh ndaj Go+Pejës

Basketboll

Bashkimi fiton derbin e madh ndaj Go+Pejës

Më: 15 nëntor 2025 Në ora: 21:18
Pamje nga ndeshja

Bashkimi nga Prizreni ka triumfuar në derbin e javës së gjashtë të ProCredit Superligës, duke fituar ndaj GO+ Peja me shifrat 83:79 (26:19, 17:16, 22:26, 18:18).

Prizrenasit mbeten skuadra e vetme e pamposhtur me gjashtë fitore në gjashtë ndeshje, kurse për verdhezinjtë ishte humbja e parë pas pesë fitoreve. 

Sfida në Prizren u zhvillua në një atmosferë të jashtëzakonshme, me shumë duele të luftuara në parket, me rikthime në rezultat e gjithçka tjetër. 

Vendasit të përkrahur nga publiku e fituan çerekun e parë 26:19, derisa periudha e dytë ishte më e baraspeshuar, 17:16, ku pjesa e parë përfundon 43:35. 

Lojë edhe më interesante u zhvillua në pjesën e dytë.

Mysafirët barazuan rezultatin në 57:57, derisa shifrat pas 30 minutash ishin 65:61.

Në dhjetë minutat e fundit u zhvillua dramë, por Portokallezinjtë ishin më të përqendruar dhe fituan 83:79. 

Te vendasit u dalluan Kyan Anderson me 16 pikë, gjashtë kërcime e tetë asistime, Dequon Lake me 14 pikë e shtatë kërcime dhe Lejson Zeqiri me 14 pikë e tetë kërcime, derisa te mysafirët u dalluan Cesare Edwards me 16 pikë e 11 kërcime dhe Tajh Green me 15 pikë e nëntë kërcime.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat