Proton Cable Prizreni është favorit më i madh në Ligën e Parë për t’u rikthyer në elitën e basketbollit të Kosovës.
Ekipi nga Prizreni është përforcuar me basketbollistin Besim Bytyqi.
Proton Cable Prizreni kryeson me 15 pikë sa ka edhe New Basket, ndërsa KEK-u është në vend të tretë me 14 sosh.
“Besim Bytyqi i bashkohet Proton Cable Prizreni!
Me shumë kënaqësi prezantojmë përforcimin më të ri të ekipit tonë, Besim Bytyqi, një nga talentet më premtuese të basketbollit kosovar.
Së fundmi, ai u shpërblye nga Federata e Basketbollit të Kosovës me çmimin “Shpresa e Vitit 2025” në kategorinë e djemve – një vlerësim që tregon qartë potencialin dhe punën e tij të palodhur.
Besimi është pjesë e Kosovës U-18, ku ka konkurruar në FIBA U18 EuroBasket 2025 Divizion B, duke treguar aftësi dhe nivel serioz në arenën ndërkombëtare.
Ai i bashkohet ekipit tonë si lojtar i huazuar nga KB Bashkimi, ndërsa këtë sezon do të luajë edhe me licencë të dyfishtë, duke i mundësuar paraqitje për të dy klubet.
Mirë se vjen në familjen Proton Cable Prizreni, Besim!
Talent, energji dhe perspektivë – presim shumë nga ky kapitull i ri”, njofton KB Proton Cable Prizreni.