Ish basketbollisti i mirënjohur, Granit Rugova, shprehet se synon pozitën e kryetarit të KB Sigal Prishtinës.
Pas dorëheqjes së Bekë Berishës, Rugova shprehet vullnetarisht që të jetë në krye të klubit me të trofeshëm në vendin tonë.
“Sot, e ndiej obligim moral të marr përgjegjësi dhe ta shpreh haptas vullnetin tim për të pretenduar për pozitën e kryetarit te klubit të zemrës. Jo për ambicie personale, por sepse besoj se kam njohuri, përvojën dhe energjinë për ta menaxhuar mirë klubin dhe, bashkë me Plisat, qytetarët e Prishtinës dhe të gjithë dashamirët e klubit, ta çojmë klubin aty ku e meriton.
Prishtina ka qenë pjesë e pandashme e jetës time që nga pas lufta. Në këtë klub jam rritur si basketbollist, si sportist dhe si njeri. Kam përjetuar fitore, sfida dhe momente historike që me kanë mësuar çfarë do të thotë përgjegjësia ndaj fanellës dhe qytetit.
Pas karrierës si lojtar, vazhdova kontributin tim në udhëheqjen e sportit, në Federatën e Basketbollit të Kosovës dhe me pas si Drejtor i Sportit në Komunën e Prishtinës.
Kjo përvojë me ka dhënë një pamje të qartë se si duhet të udhëhiqet një klub i madh, me vizion, stabilitet dhe transparencë.
Prishtina nuk është thjesht klub sportiv.
Është identitet i kryeqytetit.
Është krenari qytetare.
Kjo është thirrje për bashkim.
Për pune te ndershme.
Për vizion të qartë.
Për Prishtinën.
Kthimi në rrugën e fitoreve dhe kupave.
Bashke mundemi dhe do t’ja dalim”, ka shkruar Rugova.