Klubi i basketbollit Peja ka njoftuar të enjten se e ka themeluar ekipin B.Peja B do të garojë në Ligën e Parë të Kosovës në basketboll, ka njoftuar klubi i verdhë.
Sipas Pejës, formimi i ekipit të dytë ka mision të rëndësishëm – zhvillimin e lojtarëve vendorë.
KB PEJA B – NJË HAP I MADH PËR TË ARDHMEN E BASKETBOLLIT NË PEJË!
Me krenari ju njoftojmë se nga sot KB Peja B është zyrtarisht pjesë e Ligës së Parë të Basketbollit të Kosovës.
Ky ekip nuk është krijuar për rezultate afatshkurtra, por për një mision shumë më të madh – zhvillimin e lojtarëve tanë vendorë.
Prej vitesh kemi qenë dëshmitarë se shumë talentë pejanë, pas moshës 18-vjeçare, e kanë pasur të vështirë depërtimin në ekipin e parë për shkak të mungesës së minutave dhe hapësirës për të luajtur. Nga sot, ata do të kenë një ekip ku mund të zhvillohen, të fitojnë përvojë dhe të përgatiten për hapin e madh drejt fanellës së ekipit të parë të KB Pejës.
Pavarësisht rezultateve sportive, KB Peja B do të mbetet gjithmonë pjesë e Ligës së Parë, sepse qëllimi i këtij projekti nuk është promovimi në Superligë, por krijimi i një ure të fortë mes basketbollit të të rinjve dhe ekipit të parë.
Që nga ardhja e bordit të ri, synimi ynë kryesor ka qenë ripërtëritja e gjeneratës së lojtarëve të KB Pejës, dhe me krenari mund të themi se ky proces tashmë ka filluar me sukses. Po ndërtojmë një strukturë të qëndrueshme, ku talenti vendor do të jetë gjithmonë prioritet.
Falë edhe marrëveshjes së bashkëpunimit me disa trajnerë që punojnë sot në Qytetin tonë nga sot; KB Peja garon në të gjitha kategoritë: U-12, U-14, U-16, U-18, Liga e Parë – Meshkujt (KB Peja). Por gjithashtu edhe gjeneratat e ekipeve të vajzave.
Besojmë fuqishëm se ky projekt do t’i sjellë Pejës lojtarë të rritur në shtëpi, të cilët pas disa vitesh do të jenë bartësit e fanellës verdhezi dhe krenaria e qytetit tonë.
Në fund, një falënderim i veçantë shkon për Bordin e Federatës së Basketbollit të Kosovës, i cili e miratoi këtë projekt madhor të KB Pejës dhe mbështeti vizionin tonë për zhvillimin afatgjatë të basketbollit vendor.
E ardhmja ndërtohet sot. Bashkë për Pejën, bashkë për basketbollin!