Klubi i basketbollit Peja është gati për sfidat evropiane.
“Ka ardhur momenti që të gjithë e kemi pritur. Më 23 shtator, në ora 20:15, KB Peja nis rrugëtimin në FIBA Europe Cup, dhe ndeshja e parë kualifikuese na sjell në Karagaç skuadrën rumune Dinamo Bukuresht.
Kjo nuk është vetëm një ndeshje basketbolli. Është një tjetër kapitull i historisë së KB Pejës në arenën evropiane dhe një moment ku skuadra jonë ka nevojë për forcën e qytetit të saj. Karagaçi duhet të jetë plot, zëri i Pejës duhet të dëgjohet dhe atmosfera duhet të jetë ajo që vetëm ky qytet di ta krijojë.
Për këtë arsye, e ftojmë tifozerinë tonë ikonike UCF, të gjithë qytetin e Pejës, tifozët, familjet, të rinjtë dhe të gjithë dashamirët e klubit që të jenë në Karagaç dhe ta përkrahim skuadrën në mënyrë masovike. Sepse në Evropë nuk luan vetëm ekipi – luan Peja!
Dhe për të gjithë ata që për një arsye apo tjetër nuk do të mund të jenë në palestër, kemi menduar edhe për ju. KB Peja ka finalizuar marrëveshjen me RTK, e cila do ta transmetojë ndeshjen drejtpërdrejt, si në rrjetin tokësor, ashtu edhe në rrjetin satelitor, duke e bërë të mundur që ndeshja të ndiqet edhe nga bashkatdhetarët tanë në diasporë, kudo që ndodhen.
Por nëse je në Pejë më 23 shtator, vendi yt është në ‘Karagaç’.
Ejani ta mbushim palestrën, ta ndezim atmosferën dhe t’ua tregojmë kundërshtarëve se çfarë do të thotë të luash kundër KB Pejës në shtëpinë e saj”, thuhet nga Peja.