Dushku analizon Superligën e basketbollit, kush është befasia e këtij sezoni?
Sekretarja e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Elvira Dushku, ka vlerësuar paraqitjet e skuadrave në Superligën e Kosovës, duke veçuar organizimin e BORA-s, rezultatet e Trepçës dhe paraqitjet e mira të Bashkimit.
E ftuar në emisionin SportCast të Agjencisë së Lajmeve KosovaPress, Dushku ka thënë se paraqitjet e BORA-s nuk përbëjnë befasi, pasi skuadra ka vazhduar me përgatitje dhe organizim të mirë edhe nga edicioni i kaluar.
“Në fakt Borën më nuk duhet ta quajmë befasi. Bora është një ekip që është dëshmuar edhe në edicionin e kaluar dhe ka vazhduar në kontinuitet përgatitjet, duke treguar lojëra shumë të mira. Është ekipi i dytë i kryeqytetit, por me një organizim shumë të mirë e të mirfillt si në aspektin organizativ, ashtu edhe në atë profesional. Ata kanë dëshmuar se janë ekip që duhet respektuar shumë më tepër sesa në edicionin e kaluar”, ka deklaruar Dushku.
“Trepça në fillim e fillioi pak më ngadalë, gjë që është e pritshme për një ekip të tillë. Unë gjithmonë them se Trepça e fillon kështu edhe më pas fillon ta marrë veten. Është ekipi që ka shënuar disa fitore në garat ndërkombëtare, gjë që na gëzon shumë. Pastaj kemi Bashkimin, që po tregon lojëra shumë të mira në Superligë, ndërkaq në garat ndërkombëtare është hera e parë që po merr pjesë në një edicion të rregullt. Por edhe ekipet tjera si Peja, Rahoveci, Vëllaznimi e deri diku edhe Sigal Prishtina e edhe Ylli mos ta harroj janë duke treguar gradualisht ngritje të nivelit edhe secila prej tyre normalisht se kanë ambicie, dikush për të hyrë në playoff të madh dikush në playoff të vogël e dikush për ta fituar titullin e kupën. Ne tashmë ende nuk po dimë ta ndajmë tabelën sepse sapo ak filluar sezoni edhe të shohim në vazhdim se si do të shkojë”, ka theksuar ajo.
Dushku ka përmendur edhe Pejën, Rahovecin, Vllaznimin, Sigal Prishtinën dhe Yllin, duke thënë se këto skuadra po shfaqin gradualisht ngritje të nivelit dhe se secila ka objektivat e veta për këtë edicion. Sipas saj, është ende herët për të bërë një vlerësim përfundimtar të renditjes, pasi sezoni sapo ka filluar.