“Valon-izmi”

Diaspora

“Valon-izmi”

Nga: Gëzim Muçolli Më: 25 dhjetor 2020 Në ora: 17:31
Gëzim Muçolli

"Valonizmi" është apo mund të jetë fenomen i ri (i vjetër) në shoqërinë kosovare në ditët e fundit të dhjetorit të vitit të parë covidian.

Ngjarja jo e hijshme që ndodhi në rrugë në një lagje në qendrën historike të Prishtinës, ku një qytetar abuzoi fizikisht ndaj një gazetari fizikisht më të dobët, nga shumica e bashkëpatriotave tonë që ende e përdorin logjikën u vlerësua e turpshme edhe pse e motivuar nga absurdi.

Nuk kam shkruar asgjë deri më sot sepse kësaj pune i vie era budallaki dhe si temë e kam vlerësuar si supë të hollë e të lirë e të ftohtë por shumë të nevojshme për menynë e varfër të gazetave e portaleve tona.

Nuk ia vlen të merresh me shkrimet e Valonit derisa ai shkruante dhe vazhdon të shkruajë me përkushtim të diskutueshëm për popullin paralel të Republikës së Kosovës, për mërgimtarët.

Edhe Valoni, si shumë të tjerë,i quan gabimisht Diasporë, mërgimtarët tonë duke harruar se ata ende nuk janë ndarë e as shkapërderdhur sikur arbëreshët që lanë trojet arbërore gjashtë shekuj më parë nga zullumi otoman i stërgjyshërve të "miqve" tanë të Turqisë tashmë erdoganiste.

Do ta kisha përkrahur Valonin në denoncimin e tij fillestar ndaj mjaft vetive e sjelljeve negative që mund t'i ketë vërejtur te ndonjë mërgimtar i yni gjatë qëndrimit të tyre në vendlindje. Valoni ka parë shumë mirë por nuk i ka kuptuar mirë ato që nuk janë të mira. Ai nuk mund të them se gaboi, sepse nuk është aq i vogël sa mos ti kuptojë njerëzit që flasin gjuhën e vet, por i dha drejtim dhe e fryejti këtë rrëfim të vazhdueshëm me figura e personazhe mërgimtarësh të paemër që dukej se ishin shëndërruar në kauzë të "edukimit" kombëtar në shkrimet e tij.

Kanë thanë se edhe mjalti nëse hahet përditë mund të na shijojë i idhët. Lëre më i njëjti muhabet që nuk lente në padukje edhe një lloj refuzimi jo vetëm personal por edhe historik ndaj tërësisë së pjesës së madhe të popullit që rrokullima e epokave historike e degdisi nëpër vende të shumta të Europës dhe Botës që dikur nuk shenoheshin as nëpër harta gjeografike.

Valonooo, ka edhe më keq nga ndonjë sjellje jo fort të mirë që mund ta ketë bërë ndonjë mërgimtar në atdhe, në vendlindje. Mund ti denoncosh pa frikë por kur ia nis e shkruan për qejf tëndin e ua prish qejfin qindra mijëra të tjerëve, ndoshta fiton edhe famën e "Antiheroit" por rrezikon edhe demokracinë në vend.

Me norma ligjore, Karta e ligje ndërkombëtare  si dhe me kushtetuta shtetërore, liria e shprehjes ose manifestimit të mendimit konsiderohet një nga të drejtat burimore të njeriut brenda shoqërisë dhe pluralizmi i opinioneve në dialog me pikëvështrime të ndryshme është bazë e demokracisë dhe garanci për stabilitetin e shteteve moderne. 

Megjithë garancitë mbi lirinë e shprehjes së mendimit, nganjëherë vetë gjyqet kushtetuese në këto shtete pa harruar frikën nga shkelja e kësaj të drejte kushtetuese, kanë intervenuar në mbrojtjen e të drejtave të tjera fundamentale duke aplikuar ndonjë ngushtim apo kufizim të lirisë së shprehjes së lirë të mendimit. E gjithë kjo është përcjellur me debate të ndezura e të ashpra nga frika se një ngushtim i kësaj të drejte mund të sjell deri te cenzura e panevojshme.

Pra ka liri të shprehjes së mendimit por ka edhe kufij të kësaj lirie , me qëllim  të mbrojtjes së vlerave të tjera si p.sh. respekti dhe integriteti i imazhit personal apo kolektiv.

Sot në botë dy nga temat më të përfolura  që kanë shkaktuar jo rrallë edhe debate rreth kufizimit të së drejtës së lirisë së shprehjes janë Revizionizmi historik dhe Negacionizmi ,për shkak të pjesmarrjes së ndonjë shkrimtari apo historiani që merret me interpretime pseudoshkencore e pseudohistorike të memories historike dhe fakteve mbi holokaustin e ebrejve nga nazistët gjermanë.

Sot jo rrallë ka njerëz në Kosovën e pasluftës, që po harrojnë se brezat e mëparmë të mërgimtarëve nuk kanë qenë të gjithë mërgimtarë ekonomikë por ishin viktima të dhunës sistematike shtetërore të Jugosllavisë dhe Serbisë.

Këta mërgimtarë kanë bërë shumë për atdheun e vet!

Mbi të gjitha këta mërgimtarë kur lëshuan trojet e tyre nuk i pyetën as qytetarët e vendeve mikpritëse se a mund të shkonin azilantë apo jo në atë vend. Shkuan dhe mjaft. Iu përshtatën vendit dhe punuan duke mos u ndarë kurrë nga pjesëmarrja aktive në jetën familjare dhe popullore të zhvillimeve në Kosovë.

Pra as sot nuk kanë nevojë të pyesin askënd në Kosovë se a mund të kthehen në shtëpitë dhe familjet e tyre!

As nuk kanë nevojë ti pyesin askënd se për kënd duhet të votojnë në zgjedhje, duke kryer detyrën themelore kushtetuese të daljes në zgjedhje, sepse ata votojnë ndryshe, jo për partinë por për programin më të mirë!

Rasti i Valonit nxori në shesh të palarat e një ambienti të indoktrinuar keq në Kosovë, ku njeriu jo rrallë hesht përballë shumë të këqijave dhe zgjohet e shpreh pastaj solidaritetin e rrejshëm i cili më shumë i ngjan "përkatësisë" së klasës apo klanit.

Është krejt në rregull pse shumë gazetarë kosovarë e mbrojtën kolegun e tyre dhe shkruan fjalë për fjalë se janë kundër dhunës. Dhunën nuk e do askush në Republikë.

Por viktimizimi apriori pa u marrur me rastin dhe pa analizuar se sa rëndë shkelen nganjëhere të drejtat e qytetarit në Kosovë pikërisht nga gazetarët e portaleve dhe gazetave, pa pasur pothuajse asnjëherë ndonjë reagim nga ndonjë komision etik, është goditje e ulët e shfajësimit duke luajtur rolin e qenieve të rrezikuara nga zhdukja evolutive.

Mbrojtja paralele deklarative nga kolegët gazetarë dhe justifikimi i shkrimit të pacensuruar të Valonit për shkak të dhunës gratis nga një mërgimtar i frustruar, mund të konsiderohet edhe si fenomen i ri socio-antropologjik në vend i cili mund të referohet me emrin "Valon-izëm".

Duke shpresuar se ky rast do të jetë i fundit shpresojmë se edhe gazetarët do të aplikojnë kod të mirësjelljes dhe mirëkuptimit ku asnjë qytetar nuk duhet të jetë i shenjuar si i padëshiruar apo i keq në shëmtinë e imagjinuar kolektive.

Nuk duhet shumë për të arritur një standard që dikur e kemi pasur në ambiente kulturore e artistike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat