Ekzekutimi i Armando Beqirit/ Flet shqiptari i arrestuar: E vrava për...

Diaspora

Ekzekutimi i Armando Beqirit/ Flet shqiptari i arrestuar: E vrava për...

Më: 3 maj 2021 Në ora: 12:38
Armando Beqiri

Mediat në Islandë kanë rikthyer edhe njëherë në vëmendje vrasjen e Armando Beqirit, në Reikjavik të Islandës në shkurt të këtij viti. "Frettabladid" ka publikuar rrëfimin e Angjelin Stërkaj, shqiptarit të arrestuar për ekzekutimin e bashkombasit të tij, i cili pretendon se ka vepruar i vetëm dhe se ngjarja ka ndodhur për arsye personale.

“Më vjen shumë keq që një numër njerëzish, të cilët nuk kanë të bëjnë me krimin që bëra unë, janë të përfshirë në këtë çështje dhe madje u desh të caktoheshin në paraburgim, duke përfshirë një islandez i cili është akuzuar zyrtarisht dhe fotografitë janë publikuar nga ai me mbulim mediatik të çështjes. Gjithçka ka ndodhur për arsye personale, të cilat kishin të bënin personalisht me mua dhe të ndjerin. U bënë kërcënime serioze dhe filloi rrjedha e ngjarjeve, të cilat nuk i shpjegoj dot për momentin".

Pas daljes nga izolimi në burgun e Hólmsheiði ai thotë se ka pasur mundësi të ndjekë mediat dhe pasqyrimin rreth ngjarjes, me të cilën sipas tij është spekuluar shumë.

Angjelin Stërkaj ka qëndruar në paraburgim për gati dhjetë javë dhe në 15 maj i skadon afati nëse ndaj tij nuk do të ngrihet një aktakuzë konkrete nga prokuroria, kjo mund të çojë në lirimin e tij.

Në fillim të hetimeve u arrestuan 14 persona nga Islanda, Rumania, Spanja, Italia, Portugalia, Shqipëria, Estonia, Serbia, Letonia, Bjellorusia dhe Lituania.  Ndërkohë arma e zjarrit me të cilën u vra Armando u gjet rreth një muaj pas ngjarjes në det pranë zonës së kryeqytetit.

Angjelin Stërkaj nuk është një emër i panjohur edhe për policinë shqiptare, pasi është shpallur në kërkim për vjedhje me dhunë. Sipas mediave ndërkombëtare ai ka jetuar në Islandë për rreth 7 vjet dhe është e qartë se kishte armiqësi midis tij dhe Armando Beqirit.

Armando Beqiri u ekzekutua mbrëmjen e 13 shkurtit në hyrje të shtëpisë. Autori, i cili po e priste, e ka qëlluar me më shumë se 5 plumba pas shpine, në qafë dhe kokë, duke bërë që 33 vjeçari të ndërronte jetë në spital si pasojë e plagëve të marra.

Në fillim të hetimit policor, kishte dyshime se çështja kishte të bënte me një lloj marrëveshje midis grupeve kriminale në këtë vend, si të huaj ashtu edhe Islandez.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat