Dy shqiptarë zgjidhen anëtarë të këshillave të qyteteve në Slloveni, Ambasada e Kosovës i përgëzon

Diaspora

Dy shqiptarë zgjidhen anëtarë të këshillave të qyteteve në Slloveni, Ambasada e Kosovës i përgëzon

Nga: A.M. Më: 21 nëntor 2026 Në ora: 09:09
Nexhat Shala dhe Vera Haliti janë zgjedhur anëtarë të këshillave të qyteteve të Nova Goricës dhe Celjes në Slloveni.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Lubjanë ka përgëzuar Nexhat Shalën dhe Vera Halitin për zgjedhjen e tyre anëtarë të këshillave të qyteteve të Nova Goricës dhe Celjes, në kuadër të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 15 nëntor 2026 në Slloveni.

Sipas njoftimit të Ambasadës, Nexhat Shala është zgjedhur për herë të dytë anëtar i Këshillit të Qytetit të Nova Goricës, si përfaqësues i listës Goriška.si.

Ndërkaq, Vera Haliti është zgjedhur anëtare e Këshillit të Qytetit të Celjes, si përfaqësuese e listës Lista Matije Kovača in skupnost.

Ambasada e ka vlerësuar këtë rezultat si dëshmi të pjesëmarrjes aktive të qytetarëve me prejardhje shqiptare në jetën publike dhe institucionale të Sllovenisë.

"Përfaqësimi në institucionet vendore përbën një dimension të rëndësishëm të integrimit të komunitetit shqiptar në shoqërinë mike sllovene, duke mundësuar pjesëmarrje aktive në proceset vendimmarrëse dhe kontribut të drejtpërdrejtë në jetën shoqërore", thuhet në njoftim.

Më tej, Ambasada ka theksuar se mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me institucionet lokale dhe qendrore të Sllovenisë, në funksion të avancimit të integrimit dhe përfaqësimit të komunitetit shqiptar.

Në fund, Ambasada u ka uruar Shalës dhe Halitit suksese në ushtrimin e mandateve të tyre dhe në përmbushjen e përgjegjësive në shërbim të qytetarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat