Vlera letrare shqiptare në brigjet e mërgimit

Diaspora

Vlera letrare shqiptare në brigjet e mërgimit

Nga: Baki Ymeri Më: 23 maj 2021 Në ora: 08:28
Ballina e librit

Poezia është boshti kurrizor që e ndërlidh qiellin me tokën. Ajo është një Zonjë e lartë që bashkon zemra dhe përjetime. Poeti dhe poeteshat kultivojnë dhe mbëltojnë harmoni në botë. Poezia është nëna e dashurive. Poezia dhe muzika janë dhurata hyjnore të qetësisë së shpirtit, jehona e një ndjeshmërie të brishtë. Poeti është një anije fluturuese që vërtitet përreth botës së fjalëve. Ai është krye engjëlli i kohës dhe timonier i karrocës së mbushur me fjalë, me lule dhe flutura. Poezia është mbretëresha e arteve kurse poeti një flutur që fluturon, fluturon dhe bie në zjarr duke u djegur pa u djegur.

Libri është mrekullia e një tempulli të përfunduar. Ai është gjithmonë i mbështjellë me diçka të fshehtë, sepse është thesari i shpirtit. Libri është kroi i ilaçit që e shuan etjen për dije, për ide, për risi, për bukuri. Librat e krijuesve tanë në trojet italiane, e ndër to edhe të bashkatdhetarit tonë, Pjerin Ndreka,  janë prodhimi më i zgjedhur i meditimit ku lartësohen ndjenjat. Ato shëmbëllejnë me do rreze drite që i shndrisin  hapat e poetëve në drejtim të universit të dijes.

Zt. Pjerin Ndreka vjen para lexuesve tanë me një vëllim të ri poetik, duke qenë bashkautor me poeteshën e talentuar rumune Mariana Grigore. Poezitë e tyre shëmbëllejnë me një kandil shkëlqimtar të cilin nuk e tremb asnjë errësirë. Ata janë një verigë që e ndërlidhin botën e sotme me botën e ardhmërisë. Pjerini është pronar ëndrrash dhe frymëzimesh briliante. Ja një nga lirikat më të bukura të tij: Asht ndalë hâna sipër kodrës./ Me té ti flet me sy ujit./ Në flokt tuej si degë shelgjesh/ ajo po vizaton zogj./ Trishtili âsht zog i parë;/ Cërcâma e tij m'des nër buzë./ Dielli âsht ngjyrosë me flakë;/ Unë e nxis t'ngûtet,i ngâthti,/ e ta shuejë edjen në det. (Asht ndalë hâna sipër kodrës).

Që nga Jeronim de Rada i shekullit 19-të, e deri te bota kontemporane në trojet italiane, botën tonë letrare e zbukurojnë veprat e Irma Kurtit, Vitore Lekës, Robert Shkurtit, Zef Bardhit, Lindita Koplikut, Zef Mulajt, Mardena Kelmendit, Skënder Lazajt, Elisabeta Gockaj, Ojerin Ndrekajt etj. Poeti shëmbëllen me një pemë e mbëltuar në bregun e Lumit të Bukurisë. Ai është një bilbil që kërcen nga njëra në degën tjetër të fjalëve, duke krijuar melodi që e mbushin trupin me butësi dhe delikatesë. Numri i poetëve të botës që shkruajnë për ëndërrime është i panumërt. Njëri ndër ta është edhe Zt. Pjerin Ndreka: Nji ditë m'pate thânë/ se un i shof ândrrat / simbas qefit têm./ E pra/ nuk t'pata kallzue/ se i shof ditën e me sy çilë/ e se ti je e vetmja që hin ndër tó/ pa pvetë kurrkênd... (Zot i andrrës)

Poezia është një gurrë e ëmbël që ua shuan etjen shpirtrave të etshëm për dashuri dhe kulturë. Poezitë e Pjerinit dhe Marianës shëmbëllejnë me një pemë me fryte të ëmbla për shijen e shpirtrave të uritur. Lirikat e Zt. Pjerin Ndreka vijnë para nesh në dialektin e gegërishtes, përmes së cilës njeriu eksploron mahnitjen e vet. Kujtim te këmba e urës, Tinguj nate, Dashunia, Eja zani em, Vegimi i dashunisë së parë, E shejtë, Zot i andrrës, Ti hyn në andrrën teme, Zot bekoje dritën, Dashnor ujnash të ambla, Harresa, Burrnia, Feniks, Bjen Shi, Shirokë, Ah moj dardhë, I fus mendimet nën çarçaf, Mall për nanën, Unë zogu dhe koha, janë disa nga poezitë më të frymëzuara të mërgimtarit tonë në trojet italiane. Lirika e tij shfaqet kur emocioni ka gjetur mendimin e vet dhe ka zbuluar fjalët e veta. Poezia e tij është arti i bashkimit të kënaqësisë me të vërtetën. Shkenca është për ata që mësojnë, poezia për ata që dinë. Detyra e poezisë është të pastrojë realitetin e fshehur nga fjalët tona duke krijuar hapësira heshtjeje rreth gjërave.

Pjerin Ndreka dhe Mariana Grigore e shikojnë botën ashtu si një burrë që e shikon një grua. Poetët janë gjykatësit e panjohur të botës. Poeti është një vizionar që gjithmonë e thotë të vërtetën. Ai që nxjerr kënaqësi fisnike nga ndjenjat e poezisë është një poet i vërtetë, megjithëse mund të mos ketë shkruar një varg të vetëm në tërë jetën e tij. Poezia është ditari i një krijese detare që jeton në tokë dhe dëshiron të fluturojë në ajër. Poezia e Pjerin Ndrekës është një jehonë që kërkon një hije për të t’u flladitur. Poezia e tij përfaqëson mendime frymëmarrjeje dhe fjalë.

Poezia është gjithçka që ia vlen të kujtohet gjatë gjithë jetës. Autobiografia e një poeti përbëhet nga poezia e tij. Pjesa tjetër janë vetëm shënime në fund të faqes. Poezia e vërtetë mund të komunikojë para se të kuptohet. Poezitë e Pjerin Ndrekës dhe Marian Grigores janë arti i nusërimit të fjalëve me fjalë. Poezitë e tyre janë si magjistarët që kërkojnë fjalë magjike për të nxjerrë frikën nga shpirtrat e njerëzve. Poezia është një mit i vogël për aftësinë e njeriut për t’i dhënë kuptim jetës. Në fund të fundit, poezia nuk është diçka që ne e shohim, por përkundrazi, një dritë përmes së cilës mund të shohim, dhe ajo që shohim është jeta. Jeta është art dhe arti është jetë. (Bukuresht, 20 maj 2021)

Âsht ndale hâna

Asht ndalë hâna sipër kodrës.

Me té ti flet me sy ujit.

Në flokt tuej si degë shelgjesh

ajo po vizaton zogj.

Trishtili âsht zog i parë;

Cërcâma e tij m'des nër buzë.

Dielli âsht ngjyrosë me flakë;

Unë e nxis t'ngûtet,i ngâthti,

e ta shuejë edjen në det.

Zot i andrrës....

Nji ditë m'pate thânë

se un i shof ândrrat

simbas qefit têm.

E pra

nuk t'pata kallzue

se i shof ditën e me sy çilë

e se ti je e vetmja që hin ndër tó

pa pvetë kurrkênd.

Po ndoshta,

kët' ti e din kaherë,

prandaj shndrin

e vrân n'qiellin têm

si don vetë,

si nji Zot,

qe s'lên rast pa demostrue

 autoritetin e vet absolut.

Zot i ândrrës e i zhgjândrrës s'ême.

Zot, bekoje dritën!

Bien gjethet në vjeshtë dhe vesa përmbi 'tó.

Shof bregun e liqenit që i kthen shpinën erës.

Qiella andrron rikthimin me sy t'hapun rêsh.

Stina e frutave t'pjekuna shpejton hapat.

Sytë e mi të vokun m'i shtyp pesha e dritës,

dritës,që tesh sa ditë nuk m'i hjedh as sytë.

N'ândërr me ty n'ballë zgjohet mashkulli

me djegën e ngrîme nër qerpikë.

Zot,bekoje dritën nër gjetht që kanë mbetë,

dritën që mshehet se dikush don me e fikë.

Dashnor ujnash të ambla

Prej qiellës pikojnë yje,

e bien direkt n'sytë e tu;

ti i hape me i pa unë.

Kur bâna me i puthë

u futën n'ujna t'âmbël.

Buzët e mia,t'thame edit,

u zhytën me u njomë,t'shkretat.

Qysh at ditë,i tham vedit,n'lazdrim,

dashnor ujnash të âmbël.

Têsh,pres verën që po vjen

me u zhytë mbrêndë me gjithë tesha.

Harresa

Fati êm ka ardhë me gjâmë.

 mbytë n'shpella lakuriqësh.

Dhîmb't e mia s'kanë fuqi

me durue,as me bërtitë,

veç shkrepin nër sy prej guri.

M'duhet me msu' giuh'n e shêjave

me nisë me iu ankue motit.

Kush i pastron plagët e mia?!

E kaluemja m'gjuen me pesha,

po harresa a nuk shëron?!

 

Burrnia

Se burrnia s'âsht me rênd.

Nuk ulet vênd e pa vênd.

Nuk përzihet me gjithkênd.

Kur hap gojën flet prejmênd.

E  shêjtë

Unë jam Fjala,

dalë prej gurit e drûnit.

Më ngjizi Zâni, Biri i Dheut,

e leu Kânga.

Mori dy copa qielle

e i vûni në sy,

e dritën e diellit rreth kresë

si aurë.

 

Feniks

Sytë e mi-oaz i thamë,

mbushë me rânë t'shkretînës s'dheut.

Era e mârrë më shfryn në gjoks,

fshâmë e kputun prej jets s'vjêrrun

n'mirazhe t'lângta kujtimesh,

sekuenca t'vjetra rêsh.

Edhe dielli s'po m'gjuen mâ

se kujton që s'po marr frymë.

S'di se si kapa 'i fill zâ

e m'u lag goja me pshtymë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat