Letërsia e diasporës!

Diaspora

Letërsia e diasporës!

Nga: Hejza Art Më: 1 prill 2022 Në ora: 10:35
Ilustrim

Bota akademike e refuzon kategorikisht një emërtim të tillë dashakeq, sa për t’ia vënë një “emër” letërsisë që krijohet nga krijues shqiptarë që jetojnë në diasporë! Diasporë do të thotë grup etnik që jeton jashtë shtetit të vet amë! Shpesh haset edhe si “Letërsia e migracionit”!

Historia e popullit shqiptar migrimet më tragjike që i njeh janë ato të periudhës pas vdekjes së Skënderbeut, pastaj gjatë periudhës së invazionit të mbretërisë serbe mbi tokat shqiptare, është brezi tjetër i shqiptarëve që braktisin atdheun të shtrënguar nga politikat raciste rankoviqiane, pastaj brezi i “disidencës” në fillimet e instalimit të ideologjisë komuniste, pastaj brezi i viteve ’90-të dhe, i fundit, migracioni ekonomik i periudhës nga fundi i shekullit XX e këndej. Të gjithë ata që ikin nga atdheu për shkaqe politike, ekonomike, sociale etj. quhen emigrantë! Në esencë emigranti është person tragjik. Duke ia shtuar disa artifice e bëjmë edhe më tragjik!

Në mesin e këtyre brezave emigrantësh pa dyshim që ka pasur edhe talente, madje gjeni të krijimtarisë artistike, ka pasur artistë të fushave të ndryshme, ambasadorë të kulturës shqiptare. Si ta quajmë letërsinë e Kadaresë të tri dekadave të fundit të krijuar në Paris? Shqiptarët, sikur edhe në Hënë të shpërnguleshin, ata që do të shkruajnë në shqip, prapëseprapë kontributi i tyre do të vlerësohej si madhor në letërsinë shqiptare!

Historianët e letërsisë shqiptare kurrë nuk e kanë bërë këtë gafë, siç po e bëjnë sot disa “kritikë” duke emërtuar një letërsi pa kurrfarë kodi gjenetik! Letërsia e diasporës!!! Letërsia e migracionit!!!

Historia e Letërsisë Shqiptare fillon me Mesharin e Gjon Buzukut, këtij emigranti shqiptar që u strehua në Itali, pastaj me Budin, Lek Matrëngën, Frang Bardhin, Naim Frashërin, Jeronim Deradën, Çajupi, Faik Konica, Noli e një duzinë shkrimtarë shqiptarë pas të cilëve radhiten shkrimtarët bashkëkohorë nga Shqipëria, nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut, si dhe nga viset e tjera etnike. Edhe nga ata shkrimtarë që “u dëbuan” nga ideologjia komuniste! Çdo gjë e shkruar në gjuhën shqipe dhe nga krijues shqiptarë, kudo qofshin ata në botë, përbën Letërsinë Shqiptare! Paramendoni sikur kjo “kulturë” të influenconte edhe më thellë dhe sot të nisnim e të flisnim për “gjuhën e diasporës”, për “pikturën e diasporës”, për një “kulturë” që i përket diasporës shqiptare!

Sot kemi krijues e artistë të ndryshëm shqiptarë që jetojnë anekënd botës. Krijimtaria e këtyre krijuesve e artistëve pa dyshim që i bashkëngjitet vlerave të përgjithshme kulturore shqiptare. Ata nuk mund të kenë një amëz tjetër, nuk mund të kenë rezervë një arkë ku i palosin shenjat dhe kodet e një kulture, të një civilizimi që nuk ka asgjë të përbashkët me kulturën shqiptare! Sepse, të thuash “letërsia e diasporës”, do të thotë t’i japësh vetes të drejtë të “krijosh” një etnikum të ri, apo, të jesh qenie raciste që e diferencon “etnikisht” një kulturë, duke e lënë margjinave të teksturës amë!

Krijuesit në diasporë, që migruan për shumë arsye, krijojnë letërsi shqiptare, pikturë shqiptare, flasin e shkruajnë shqip, kultivojnë gjuhën shqipe, përforcojnë identitetin e tyre kulturor.

Pra, edhe letërsia shqiptare ka vetëm një identitet, sado që dikush, mbase krejt pa qëllim të keq, mundohet ta parcializojë në “identitet komunitar” të papërfillshëm dhe, i emëruar si i tillë, duhet të ngelë sa ma larg “trungut letrar” që ka rrënjët brenda kufijve të shtetit! Ky madje nuk mund të jetë as “projekt i djallit”, por vetëm sharlatantizëm dhe pseudo-shkencë e palo “kritikëve letrarë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat