Ishte baci i të gjithë neve

Diaspora

Ishte baci i të gjithë neve

Nga: Ramadan Reshitaj Më: 11 prill 2022 Në ora: 14:36
Autori i shkrimit, i ndjeri Ibrahim Metaj dhe dr Muhamet Shatri

Në 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, pra në nëntor të vitit 2012, në Malmë u mbajt edhe festivali i 10-të Jubilar i Poezisë dhe Muzikës Krijuese Shqiptare në Diasporë. Përpos krijuesve që kishin ardhur  edhe nga disa shtete të Evropës, për të promovuar librin e tij të dytë kishte ardhur edhe Ibrahim Metaj. Ai ishte në përcjellje të djemëve të tij, që e mbanin për krahu, sepse mosha e shtyer dhe sëmuraja disa vjecare, e kishin rënduar bukur shumë.

Atij i pëshpëritnin tek veshët  fjalët që thuheshin për librin, sepse kishte problem edhe me të dëgjuarit. Ibrahim Meta, që dikur një poet yni,  shtatin e tij e përshkruante si shtizë flamuri, dukej tepër i  lodhur. E kishin lodhur edhe barrët e viteve. Siç thoshte shpeshë ”Valët e jetës më kanë hedhur andej-këndej botës, në Shkup e në Stamboll, në Bruksel e në Berlin dhe më së fundi në Skandinavi”. Dhe këto shtegëtime, Ibrahim Meta,  nuk i kishte bërë se i donte udhëtimet e as avanturat. Ishin hallet ato që e shtynë të ndërronte vendbanimet dhe parasegjithash veprimtaria e tij e bujshme në shërbim të atdheut dhe të çështjes kombëtare.

Dhe kudo që ka shkuar, kudo që ka qëndruar të paktën disa orë, ka krijuar atmosferë dhe ka zënë miqë. Asnjëherë baci Ibrahim nuk e ka mshehur dhe as që ka pasur frikë da thotë atë që ia donte zemra: Shqipërinë dhe Trojet e bashkuara etnike shqiptare. Lidhur me këtë nuk ka lejuar kurrëfarë kompromisi. Asnjë pëllëmbë toke shqiptare, madje as sa një  gisht i vetëm i trollit shqiptar, nuk ia lejonte të tjerëve. Këtë e thonte haptas si para miqve të shumtë, para bashkëpunëtorëve dhe para të gjithëve.

Bashkëveprimtarët e tij nuk harrojnë aktivitetin që bënte për të përkujtuar opinonin me padrejtësitë që përjetonin shqiptarët në trojet e veta por nën okupimin e Jugosllavisë së Titos. Madje, me pietet kujtohet veprimi  tij dhe i bashkëveprimtarit Bislim Fazliun, kur në kohën e regjimit policor të Rankoviqit, befasoi UDB-në. Ishte 27 nëntori i vitit 1964, pra në prag të Ditës së Flamurit tonë kombëtar, i cili aso kohe ishte rreptësisht i ndaluar të përdorej, kur baci Ibrahim, së bashku me Bislimin vendosën flamujë kombëtar në trenin që qarkullonte në vijen ndërkombëtare Selanik – Mynih. Flamujt kuqezi, të ndaluar padrejtësisht nga regjimi jugosllav, valuan në të dy anët e trenit që gjarpëronte nga Greqia në Gjermani nëpër Shkup, Beograd, Zagreb, Ljubjanë e deri në qytetin e Mynihut.

Qëndrimet e tija atdhetare, shumë kjart dhe shumë hapur i prezantoi edhe në dy librat që i botoi: “Marie Shllaku: Kosovë gjaku i im tu bëftë dritë”, 1995 dhe  në librin “Shtigjeve të jetës sime”, 2012”. 

Ai ishte veprimtar politik, antar aktiv i Besëlidhjes Kombëtare Demokratike Shqiptare, dhe Koordinatori i BKDSH-së për degën në Suedi. Sa ishte në Suedi, sidomos para luftës në Kosovë, bashkëpunonte me të gjitha format e organizimit të shqiptarëve këtu. Jepte përvojat e veta dhe ndihmonte në organizimin e protestave që aso kohe organizoheshin në Stockohlm dhe gjetiu për sensibilizimin e çështjes së Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi. ”Kur është në pyetje indteresi kombëtar dhe atdheu, duhet bashkëpunuar edhe me kundërshtarët politikë”, thoshte ai. Ishte ndër të parët në këto organizime, me pak fjalë dhe me shumë veprime konkrete. Edhepse një kohë jetonte me ndihmat sociale, pothuaj se pjesën më të madhe të atyre mjeteve që merrte si asistencë sociale e ndante për të ndihmuar materialisht të varfërit në Kosovë. Kështu vepronte edhe me aksionet për grumbullimin e ndihmave humanitare që organizoheshin.

Si përfaqësues i “Besëlidhjes shqiptare” ai në pranverë të viti 1991përfaqësuesit zyrtar të Amnesty International ia dha 7.5 kilogramë dokumente që kishin një vlerë jashtëzakonisht të madhe, ku përshkruheshin e dokumentoheshej dhuna që pushteti serbo-slav ushtronte me dekada kundër popullësisë së pafajshme të Kosovës.

Ishte edhe anëtar i Këshillit të Emergjencës, këshill ky që u themelua nga veprimtarët e Suedisë që në ditët e para të shpërthimit të luftës së fundit në Kosovë. Por e donte dhe e çmonte organizimin e shqiptarëve. Konbtribuoi edhe në kohën sa ishte anëtar I Kryesisë së Unionit të Shoqatave Shqiptare në Suedi, në gjiun e së cilit vepronin rreth shoqata shqiptare të shpërndara pothuajse në gjitha anët e këtij shteti skandinav.

E donte dhe e çmonte dr Ibrahim Rugovën. E përkrahte visionin e tij, edhepse nuk ishte anëtar i LDK, ashtu siç rrespektonte të gjitha lëvizjet dhe përpjekjet që gjindeshin në vijën kombëtare.

Ibrahim Metaj ishte baca i të gjithë neve. Kishte rrespekt nga të gjithë dhe fjala e tij dëgjohej dhe kishte efekt.

Por më 8 mars të këtij viti, në moshën 81 vjeçare, pas një sëmundje të gjatë, vdekja ia vodhi jetën, njeriut të urtë dhe veprimtarit të devotshëm, Ibrahim Meta. Emri dhe vepra e tij do të shërbej për brezat dhe nuk do të harrohet. Trupi i tij, në prani të familjarëve, bashkëveprimtarëve dhe dhe bashkëkombasëve, u varros në vendlindjen e tij, në trollin e Kosovës së lirë dhe të pavarur, të cilën gjitmonë e pati në zemër baca ynë Ibrahim Metaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat