Një udhëtim historik, nëpër histori...

Diaspora

Një udhëtim historik, nëpër histori...

Dr. Luan Zyka Nga Dr. Luan Zyka Më 15 maj 2022 Në ora: 13:57
Pamje nga udhëtimi i Komunitetit shqiptar të Selanikut

Më datat 7 dhe 8 maj 2022, Komuniteti Shqiptar i Selanikut organizoi udhëtimin e tij të parë, dhe jo rastësisht u zgjodh Prishtina edhe Shkupi.

Nën tingujt e muzikës dhe këngëve të shoqëruara nga Elona, Lindita, Sajmiri, Valentina, Zamira, Fuli, Mishela, Nina, Marinela, Marjana, Dita, Dino, Laureta dhe gjithë grupi, autobuzi u nis nga sheshi “Aristotel” i Selanikut për të arritur pas 3 orësh në kufirin e Maqedonisë së Veriut me Kosovën.

Në të dy anët e kufirit vendi ka të njëjtin emër, Hani i Elezit, ashtu siç ndosh shpesh edhe në kufijtë e tjerë midis shteteve të Ballkanit. Dëshmi e padrejtësisë së ndarjes së shteteve të Ballkanit në mënyrë arbitrare, por ndoshta edhe pamundesësisë për tu ndarë ndryshe, ose me shumë akoma, kotësisë për tu ndarë…

Por, grupi nuk kish kohë për përsiatje historike…Sapo para nesh u duk tabela “Republika e Kosovës”, autobuzi u kthye në një megafon gjigand nga ku buçiste kënga “Xhamadani vija-vija…”. Unë zbrita për të dorëzuar dokumentat e grupit tek policia e Kosovës. Polici i parë quhej Urim, i thashë kush ishim.

Image
Pamje nga udhëtimi i Komunitetit shqiptar të Selanikut

Pas pak vjen një femër police, më foli me një shqipe të çalë.

Më tha, jam serbe.

E pashë dhe e përshëndeta me respekt në shqip dheme dy fjalë serbe që di.

I thashë – jemi Komuniteti Shqiptar i Selanikut dhe Greqinë e ndjejmë si atdheun tonë të dytë. Kështu uroj për ty dhe serbët e tjerë të Kosovës, të jeni qytetarë të barabartë dhe të respektuar në Kosovë. Ne duhet të bëjmë historinë e re të Ballkanit, atë të paqes…

Më përcolli me një buzagas të lehtë.

Autostrada që lidh Hanin e Elezit, nga kufri Kosovë -Maqedoni e Veriut me Prishtinën, një nga rrugët më të bukura që kam parë në Europë, ka një emër të njohur në botën shqiptare, Arbën Xhaferri. Politikan dhe lider ekselent që u mungon sot trevave shqiptare.

E pashlyeshme më ka mbetur biseda shumë orëshe me Arbënin në vitin 2002 kur unë isha në Ministrinë e Kulturës dhe ai erdhi në Tiranë. Tregoi shumë interesim mirdashës për grekët dhe Greqinë.

Rrugës komunikoja me z. Avdi, pronarin e hotelit që kisha prenotuar për qëndrimin në Prishtinë. Ai me shumë interesim dhe mirësjellje më thotë se na pret në daljen e dytë të autostradës për Prishtinë. Ashtu si edhe ndodhi. Në shoqërimin e tij arritëm në hotel.

Hoteli i pastër, dhe pasi u rregulluam nëpër dhoma hëngrëm drekën po aty. Një drekë e shijshme me prodhime kosovare, me pogaçe, speca me gjizë, bukë e shijshme e ngrohtë etj.

Pas dreke u shtriva pak i qetë që faza e parë e udhëtimit kaloi bukur dhe pa asnjë problem.

Në orën 19, sipas programit të bashkrenduar, shkojmë në Ministrinë e Jashtme dhe të Diasporës së Kosovës, ku na pret këshilltari Atdhe Prelvukaj, me porosi të veçantë të zv. Ministres Liza Gashi. Edhe po të kishte emër tjetër, ai meriton emrin – titull Atdhetar. Me studime shumëvjeçare në USA dhe Angli, Atdheu ishte kthyer për të shërbyer në atdheun e tij Kosovë. Mikpritje mbresëlënëse.

Pas njohjes së politikave të ministrisë për diasporën, si edhe misionit dhe veprimtarive të Komunitetit Shqiptar të Selanikut, Atdheu na shoqëroi për disa orë nëpër Prishtinën e ngrohtë dhe plot aroma pranverore, ashtu siç e përcaktoi Anna.

Sajmiri na gjeti një restorant ku provuam edhe dhallë kosovare

Nga Vlora më telefon Mehmet Prishtina. Sapo ishte mbyllur ceremonia e vendosjes së bustit të Hasan Prishtinës tek Sheshi i Pavarsisë. Një përpjekje titanike dhe dhuratë e Mehmetit, këtij misionari të vlerave kombëtare të shqiptarëve.

Tash po le familjen në Vlorë, më tha, dhe po nisem për Prishtinë. Nesër në orën 10 më prisni tek hoteli.

Image
Pamje nga udhëtimi i Komunitetit shqiptar të Selanikut

Në orën 9 të mëngjesit vjen në hotel Atdheu dhe shkojmë në Ulpianë, qytetin e lashtësisë Dardane të ndërtuar në shek. e II pas erës sonë, ku veç parahistorisë ilire dhe qytetërimit romak, është edhe varri i dy martirëve të Krishtërimit, Florit dhe Laurit. Aty është edhe bazilika paleokristiane e ngjashme me bazilikën paleokristane mbi rrënojat e së cilës serbët ngritën manastirin e Graçanicës në shek. e 14-të, pas ardhje së tyre në hapësirat ilir-dardano-shqiptare.

U ndamë vëllazërisht me Atdheun, të prekur nga mirësjellja e tij, nga njohuritë erudite dhe optimizmi i tij për Kosovën.

Mehmeti po në priste në autostradë. Pas përqafimeve drejtohemi tek kompleksi i rezidencial “Hasan Prishtina” i 290 vilave moderne që po ndërton Mehmeti. Njohuritë, shpirti krijues dhe investues, vizioni dhe atdhedashuria e këtij njeriu të lenë pa mend.

Mehmeti pëshëndetej me punonjësit e kompleksit të tij dhe u thoshte – janë vllaznit tanë të Komunitetit Shqiptar të Selanikut. Ai ndjehej i lumtur, ashtu si edhe ne duke dalë fotografi para dhe brend vilave moderne. Rrugët e gjera të vilave dhe tabela me emra historikë shqiptarë si rruga “Kongresi i Drejtshkrimit, Pjetër Bogdani etj.”

I shtrëngoj dorën, dhe ashtu me duar të shtrënguara, Mehmeti i drejtohet gjithë grupit – ju premtoj se një nga rrugët kryesore të kompleksit do emërtohet “Diaspora Selanik”…

Marrim rrugën për në Mitrovicë,në kullën e Isa Boletinit në Boletin, 700 m mbi nivelin e detit ku është vendprehja e Isa Boletinit, gjeneralit të Pavarsisë shqiptare, “Robin Hood-i” i Shqipërisë siç e quajtën në Londër. Por Isa ishte më shumë se një Robin Hood folklorik. Stërnipi i tij, Gazmend Boletini, miku i Mehmetit, me një elokuencë ciceroni dhe njohuri të shumta në përshkroi fakte nga jeta e gjeneralit të Pavarsisë dhe familjes së tij. Isa ishte aty mes maleve duke i vënë shpatullat mbrojtëse përjetësisht atdheut të tij.

Image
Pamje nga udhëtimi i Komunitetit shqiptar të Selanikut

Zbresim në Mitrovicën e ndarë gjymtueshëm, si plagë që rrjedh nëpër lumin Ibër. Atje tej, pranë lumit që murmuron dhimbshëm, Mehmeti shtron një drekë për grupin tonë.

Shpejt marrim rrugën për në Drenicën heroike, në Prekaz tek memoriali i Adem Jasharit. Vend pelegrinazhi për shqiptarët. Aty pas kullës së shkatërruar nga serbët në betejë me Jasharajt, Mehmeti dallon vëllanë e tij që shpëtoi pa u vrarë, Rifatin, dhe i thërret duke e prezantuar me ne. Takim me historinë. Lule mbi vendprehjen e Adem Jasharit.

I kërkoj Mehmetit të shkojmë në Polac, në vendlindjen e tij dhe të Hasan Prishtinës, për të vënë një buqetë me lule në varrin e babait të Mehmetit dhe xhaxhait të tij, të rënë për lirinë e Kosovës më 1999. Dheu i Kosovës njomur me gjak… Nuk është një rastësi Mehmet Prishtina.

Mehmeti merr në telefon Skënder Asanin, akademik dhe drejtor i Instiutitit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore Shqiptare të Shkupit. Skënderi sapo kishte arritur nga Vlora ku ishte i ftuar nga Mehmeti për vendosjen e bustit të Hasan Prishtinës atje. Po na priste neve në Shkup.

Do vij t’ju përcjell deri në Shkup, thotë Mehmeti. Jo, i them, ti erdhe nga Vlora për ne. Ne duhet të kursejmë kohën tënde. I flet edhe Rafaeli, si më i madhi grupit. Më kot. Mehmeti shkon e hypën në makinën e tij që e drejtonte i nipi, avokati i Parlamentit të Kosovës, Veton Raci.

Marrim autostradën moderne Prishtinë – Shkup. Shoferi autobuzit Thanasi mgjitur mbi timon.

Në orën 10 të natës na presin në Shkup akademik Skënder Asani me dy bashkëpuntorë të tij, Sevdail Demiri, kryetar i Këshillit të Institutit dhe Besnik Rameti, shef i Departamentit të Historisë. Akademik Asani në shoqëroi nëpër sallat e Institutit (më parë godina e Ambasadës Amerikane në Shkup) ku na njohu me rolin e rëndësishëm të këtij institucioni unik jo vetëm në Maqedoninë e Veriut por edhe në botën akademike shqiptare. Dhe kjo, në saj të vizionit shkencor dhe patriotik të akademik Skënderit dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Ra mesnata. Duhet të ktheheshim në Selanik. U përshëndetëm vëllazërisht me Mehmetin, Skënderin, Vetonin, Sevdailin, Besnikun. Ikëm duke marrë mikpritjen e tyre që na magjepsi të gjithëve ne, dhe sidomos fëmijët tanë Annën, Perlën dhe Romeon.

Ikëm me kokën mbrapa, dhe vështrim përpara…

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat