Java e kulturës kosovare e studentëve të Padovës dhe zbulimi identitar akademik

Diaspora

Java e kulturës kosovare e studentëve të Padovës dhe zbulimi identitar akademik

Nga: Gëzim Muçolli Më: 25 maj 2026 Në ora: 15:49
Foto nga vendi i ngjarjes

Kur flitet emri i Padovës, imagjinata e çdo njohësi të qytetërimit europjan e sjell në mendje qytetin që mblodhi nëpër shekuj studentët e dalluar nga vendet e kontinentit dhe rrezatoi dije dhe kulturë përherë. 

Universiteti i Padovës, i themeluar më 1222, me 804 vitet e tij shërbeu gjithmonë si një vatër universale e dijes, e cila përherë ka pranuar studentë nga popujt e ndryshëm dhe ka garantuar lirinë e mësimdhënies duke krijuar themelin e laicitetit të diturisë dhe mendimin kritik.

Sot ky universitet antik ndodhet në mesin e njëqind universiteteve më të mira në botë dhe në vendin e katërt në Itali. Moto e përhershme e këtij universiteti është Universa Universis Patavina Libertas, duke theksuar lirinë e shprehjes së mendimit dhe opinionit dhe gjatë historisë ishte i vetmi universitet i hapur, për studentët dhe profesorët e dyshuar për herezi ose që konsideroheshin jobesimtarë ndaj dogmave fetare. 

Kontributi historik pati ndikim direkt jo vetëm në lëvizjet shoqërore në Itali por edhe për demokracinë europjane, nëpërmjet mbrojtjes së lirisë së shprehjes, krijimit të institucioneve mbinacionale dhe kërkimeve të avancuara akademike duke rrënjosur kulturën demokratike të kontinentit duke forcuar lidhje dhe shkëmbime akademike me rrjetin botëror të universiteteve kërkimore.

Lidhjet e shqiptarëve me Universitetin e Padovës janë të shënuara në kronikat historike me studentë dhe profesorë që studiuan ose ligjëruan  duke filluar nga mesjeta. Lidhjet u përtërinë te fillimi i viteve dyzet të shekullit të kaluar, kur erdhën në Itali studentët si Idriz Ajeti, Anton Çetta, etj, që më vonë ndikuan në krijimin e elitës kulturore dhe akademike në Kosovë.

Viteve të fundit është rritur dukshëm interesimi i të rinjëve nga Kosova që të vijnë e të studiojnë ose të kompletojnë specializimin e tyre në Itali, ku Universiteti i Padovës ofron kushte të mira dhe diplomë të vlefshme në nivele akademike internacionale. Një numër i djemve dhe vajzave që aktualisht po studiojnë në nivelin master përbëjnë një komunitet solid dhe serioz me studimin dhe punën e tyre kërkimore. Me sukseset e tyre kanë arritur të sigurojnë dukshmëri dhe respekt në mesin e studentëve dhe docentëve italianë. 

Mirëpo duke vërejtur se kolegët nga vende të ndryshme të botës nuk kanë njohuri të mjaftueshme për Republikën e Kosovës dhe për realitetin në shtetin më të ri në Europë, studentët  kosovarë promovuan javën kulturore si iniciativë me impakt të drejtpërdrejtë me publikun “Young Europeans: Kosovo Week” e cila në edicionin e saj të parë nga 11 der 17 maj 2026 u kthye në një platformë prezentuese të kulturës, artit dhe inovacionit të të rinjve kosovarë. 

Ky organizim i mirëfilltë dhe i strukturuar mirë u përkrah institucionalisht nga Universiteti i Padovës, Qendra Universitare për të Drejat e Njeriut “Antonio Papisca” dhe nga  aktivistët e projektit të shërbimit civil universal e "Youth Agenda 2030". 

Studentët tonë të prirë nga Ylli Alija dhe Erlinda Sallauka qysh në fillim kishin nënvizuar qëllimin që nëpërmjet  të kësaj nisme kulturore internacionale dhe fuqizimit të të rinjëve: “të nxisë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe të rrisë dukshmërinë e Kosovës përmes historive dhe arritjeve të saj, gjithashtu dhe të sfidojë përceptimet e mëhershme të Kosovës të cilat janë krijuar si shkak i historisë së luftës dhe pasluftës”. 

Java kulturore shënoi fillimin e saj me 11 maj me inaugurimin e ekspozitës fotografike “Kosovo Through New Lenses” të artistit Arben Llapashtica në ambientet e komunës së Padovës, në Palazzo Moroni e cila u vizitua nga artdashësit italianë dhe turistët e shumtë që kalojnë në qytetin e Padovës antike. Ekspozita i ofroi publikut imazhe artistike që reflektojnë bukurinë, talentin potencial të botës rinore, jetën dhe gjallërinë kulturore dhe sociale në Kosovën e sotme.

Kurse në mbrëmje në Teatrin Ruzzante të Padovës u bë hapja zyrtare e këtij manifestimi kulturor në prani të publikut ku ishin ftuar edhe përfaqësues diplomatikë të Republikës së Kosovës, profesorë të Universitetit të Padovës, biznismenë Italian dhe qytetarë kosovarë nga Padova që kanë kontribuar në ndërtimin e paqes në Kosovës para dhe pas luftës, si dhe studentë të shumtë. Organizatori kryesor Ylli Alija foli hapur për dëshirën dhe  vullnetin e studentëve kosovarë për ta paraqitur realitetin bashkëkohor të vendit të tyre pa harruar historinë dhe sakrificën e madhe për liri.

I ftuar në skenë konsulli i përgjithshëm i Kosovës në Milano, z, Diamant Kastrati shprehu mirënjohjen e tij për veprimtarinë e studentëve dhe përshëndeti publikun në sallë duke theksuar marrëdhëniet e mira mes vendit tonë dhe Italisë. Ai iu uroi organizatorëve suksese dhe vazhdimësi arritjesh në punë studimore dhe shkëmbime kulturore dhe akademike. Në  shenjë mirënjohje për Universitetin e Padovës ai shkëmbeu dhurata institucionale me profesorë e kësaj vatre të dijes. 

Në vazhdim para publikut u shfaq filmi  artistik dramatik  “Zgjoi” i regjisores Blerta Basholli (2021) i shumëshpërblyer në festivale të prestigjoze, i cili u përcoll me interesim dhe krijoi emocione të forta që sikur po sinkronizoheshin me motin që po mbretëronte në ato momente në Padova me bubullima e vetëtima. Publiku u njoh jo vetëm me historinë e personazhes dhe sakrificën e saj në një fshat, tashmë të shënuar në kronikat e historisë ku u vranë qindra burra, fëmijë e gra por edhe me aspektet e thyerjes së botëkuptimeve patriarkale në mesin e banorëve të Krushës, ku lufta dhe masakrat kanë lënë dhimbjen për të pagjeturit si dhe vullnetin e pathyeshëm të një grupi të grave të prira nga personazhja Fahrije, për të rindërtuar jetën dhe rritur fëmijët e mbetur jetimë.

Pas filmit Ylli ftoi edhe mysafiren e nderuar, zonjën e madhe Fahrije Hoti nga Krusha e Kosovës, e cila u prit me duartrokitje dhe në vazhdim iu përgjegj pyetjeve të shumta të pranishmëve të cilët deshën të mësojnë edhe për guximin dhe forcën e këtyre grave që ti dalin përballë vështirësive dhe shkatërrimeve që la lufta, fuqizimit të rolit të femrave në transformimin e  shoqërisë kosovare të pasluftës si dhe për keqardhjen për mosgjetjen e trupave të pajetë të atyre që ushtria dhe policia serbe i masakruan në vitin 1999.

Momenti qendror i Javës kulturore kosovare të të rinjve europjanë vazhdoi aktivitetet e saj me 15 maj, me iniciativën tjetër dinamike me panelin e aktivistëve me titull “Change Makers: Building a Country Through Youth” (“Bërësit e ndryshimeve: Ndërtimi i një vendi përmes të rinjve”) në Qendrën e të Drejtave Humane “Antonio Papisca” të Universitetit të Padovës. 

Interesimi i publikut ishte jashtëzakonisht i madh dhe vëmendje të veçantë i kishte kushtuar edhe një nga emrat më autoritativ të këtij Universiteti, Prof. Marco Mascia i cili ishte prezent aty. Profesor Masha është drejtor i Qendrës së Drejtave të Njeriut, profesor i Relacioneve Internacionale , titullar i katedrës Unesco “Drejtat e Njeriut,demokracia dhe paqja” në UniPD si dhe përgjegjës për formimin e të rinjëve në shërbimin civil universal të Universitetit dhe anëtar i Komitetit shkencor të revistave nacionale dhe internacionale.

Panelin e moderoi me sukses Erlinda Sallauka, bashkëthemeluese e Javës Kulturore Kosovare duke ftuar në diskutim panelistët prezent si Ajxhan Esati nga Ojq “Livrit” e Preshevës dhe Sindi Manushi kryetare e komunës Pieve di Cadore në Itali. Poashtu u zhvillua dialog interesant dhe konstruktiv në lidhje të drejtpërdrejtë video me z.Vullnet Sanaja - drejtor ekzekutiv i Ojq “Anibar” nga Peja, z.Arbër Lleshi, drejtor menaxhues i “Bonevet Gjakova”, ku u shkëmbyen edhe përvoja mbi arritjet në ndërgjegjësimin e të rinjëve, iniciativat kulturore dhe kooperimin internacional. 

Ky dialog i pjekur realizoi qëllimin e tij për të nxitur të rinjtë të angazhohen në jetën demokratike dhe të marrin përgjegjësi në marrjen e vendimeve dhe të llogarisin në impaktin e tyre në të ardhmen. Edhe dëshirën që të vazhdohet me krijimin e një hapsire të pasur ndërveprimi mes të rinjëve kosovarë dhe komunitetit europjan.

Java kulturor u mbyll me program artistik me performancën muzikore të studentes Edona Vatoci, e cila solli një befasi artistike me vokalin e saj të fuqishëm, që ndërlidh mirë muzikën alternative me elementet pop dhe folk të traditës, si dhe me prezentimin e librit “Il Vomere” (Parmenda) të autorit  Carmelo La Rosa, që përmbledh rrëfimet e të rinjve nga Kosova për gjenocidin e serbëve ndaj popullsisë shqiptare.

Duhet përmendur se aktivitetet e javës së kulturës kosovare në Universitetin e Padovës u zhvilluan para publikut ndërkombëtar dhe mbajtja e tyre në gjuhën angleze, jo vetëm që forcoi bindjen për aftësinë dhe përgatitjen e këtij brezi të ri, por edhe ishte dëshmi e gatishmërisë për tu rritur rolin e brezit të ri në zhvillimet shoqërore kulturore dhe ekonomike jo vetëm në Kosovë dhe Ballkanin Perendimor por edhe në nivele europjane. Qasja e tyre e pjekur ndaj temave të ndieshme, si ajo e të drejtave qytetare dhe kombëtare në Luginën e Preshevës si dhe insistimi, në relizimin e plotë të ekzistencës së popullsisë shqiptare dhe respektimin e të drejtave të tyre si në çdo vend të qytetëruar europjan, bind edhe për guximin intelektual dhe qëndrueshmëri kombëtare.

Me përshtypjet e mira të realizimit të Javës Kulturore Kosovare 2026, vlen të përgëzohen dhe të ndihmohen në projektet e ardhshme promovuese të kulurës dhe qytetarisë, studiuesit e rinj Ylli, Erlinda,  Sabaeta, Edona, Donika, e shumë të tjerë që nderojnë me punë dhe suksese vendin tonë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat