Dy ditë para zgjedhjeve të mesit të mandatit, sondazhet dhe modelet e pavarura amerikane (Silver Bulletin, Decision Desk HQ, Fox News Power Rankings dhe të tjerë) tregojnë se demokratët janë favoritë të qartë për të fituar Dhomën e Përfaqësuesve dhe kanë avantazh të konsiderueshëm edhe për Senatin.
Votuesit amerikanë duket se do të "dënojnë" administratën Trump, veçanërisht për shkak të inflacionit, luftës në Iran dhe vlerësimit historikisht të ulët të presidentit.
Sipas Harry Enten të CNN, Trump është presidenti më i papëlqyer që shkon në midterm me të pavarurit – madje më keq se Nixon para dorëheqjes – dhe demokratët po regjistrojnë me këtë grup një nga marzhet më të mira në dekadat e fundit.
Siç theksoi vetë Enten, klipet që Trump shfaq në mitingje mbi favorabilitetin e lartë te MAGA tregojnë vetëm një pjesë të vogël të historisë, pasi zgjedhjet vendosen nga të pavarurit dhe nga republikanët jo-MAGA.
Këto zgjedhje mund të quhen me të drejtë referendum mbi Trumpin.
Siç kanë vënë në dukje CNN, Reuters dhe USA Today, Trump vetë u ka thënë votuesve të veprojnë “si të isha unë në fletëvotim”, ndërsa Barack Obama ka dalë në fushatë me mesazhin e kundërt: “mjaft me kaos, mizori dhe paaftësi”.
Është një duel simbolik midis dy figurave që kanë dominuar politikën amerikane për dy dekada. Obama është kthyer si zëri kryesor i demokratëve, sepse mbetet ende figura më e besueshme dhe e respektuar e partisë, me vlerësim të lartë te baza dhe te të pavarurit.
Klintonët dhe Kamala Harris kanë luajtur rol shumë më të kufizuar, dhe në dukje paksa klanor në partinë demokrate. Harris mbetet te demokratët e lidhur me humbjen e 2024-ës, ndërsa Klintonët paksa të tërhequr në dukje dhe nuk mobilizojnë më të njëjtën energji si Obama.
Mbi 47.9 milionë amerikanë kanë votuar para zgjedhjeve të mesit të mandatit të 3 nëntorit.
Në Teksas është shënuar rekord historik me mbi 7.4 milionë vota të hershme (7.41 milionë deri më 30 tetor), ose 38.92% e votuesve të regjistruar.
Kjo tejkalon ndjeshëm 5.5 milionët e 2022-shit dhe 4.9 milionët e 2018-ës. Pjesëmarrja është veçanërisht e lartë në zonat urbane si Houston, Dallas dhe Fort Worth.
Sipas modeleve më serioze, në SHBA, demokratët duket se kanë shanse të larta të fitojnë të dy dhomat, edhe pse Senati mbetet më i ngushtë.
Nëse republikanët humbin të dyja, Trump do të përballet me dy vjet të vështira: hetime të mundshme, bllokime legjislative dhe humbje të kontrollit mbi axhendën.
Ai do të përpiqet të mbajë bazën MAGA të mobilizuar, por do të ketë më pak instrumente pushteti. Nëse demokratët fitojnë vetëm Dhomën e Përfaqësuesve( kongresin) dhe humbin Senatin, do të krijohet një qeverisje e ndarë, ku demokratët do të mund të bllokojnë shumë nisma të Trumpit, dhe të nisin hetime, por jo të kalojnë ligje të mëdha pa mbështetjen e Senatit republikan.
Këto zgjedhje janë test i rëndësishëm për republikanët dhe demokratët në 2028.
Një humbje e rëndë do të dobësonte kontrollin e Trumpit mbi partinë dhe do të hapë rrugën për figura të reja, në partinë republikane, ndërsa një performancë e mirë do ta forconte atë si udhëheqës të padiskutueshëm edhe pas dy viteve, me dy a tre kanditatura të forta DiVance, Rubio , DeSantis.
Për demokratët, është gjithashtu test identiteti dhe gjetja e kandidaturave të forta për 2028.
Obama u fut në lojë sepse partia ka nevojë për një zë të moderuar dhe me kredibilitet të lartë që të tërheqë të pavarurit, në kushtet që ndodhen demokratët pas 2024.
Nëse demokratët fitojnë, më 3 nëntor 2026, pyetja e menjëhershme do të jetë nëse forca e majtë ekstreme (AOC, Bernie Sanders dhe kandidatë si Abdul El-Sayed) do të përfitojë apo do të dëmtojë partinë në 2028.
Ajo mobilizon bazën dhe rrit pjesëmarrjen, por rrezikon të frikësojë votuesit e qendrës në shtete kyçe, për zgjedhjet e 2028.
Nga ana tjetër, MAGA dhe slogani “Too Big to Rig” (që Trump e ka përdorur për të argumentuar se fitorja e tij ishte e pathyeshme dhe që Harris e ka kopjuar, sipas tij) forcojnë bazën, por dëmtojnë partinë te të pavarurit dhe te republikanët tradicionalë.
Siç tregon analiza e Enten, populariteti ekstrem brenda MAGA nuk mjafton për të fituar zgjedhje kombëtare.
Zgjedhjet e 3 nëntorit do të tregojnë nëse Amerika dëshiron të vazhdojë me këtë stil politik apo kërkon një korrigjim nga e kaluara me të dyja paritë.
Megjithatë, asnjëra nga dy palët nuk është në kushte të qeta për fitore, në këto kushte. Mbasi në shumicën e garave kyçe të Senatit dhe në dhjetëra rrethe të Kongresit, diferenca qëndron brenda ±5 për qind, çka e bën rezultatin jashtëzakonisht të paqëndrueshëm.
Demokratët mbështeten te kandidatë si Sherrod Brown në Ohio, James Talarico në Teksas, Mary Peltola në Alaska, Adam Hamilton në Kansas dhe Troy Jackson në Maine – të gjithë brenda marzhit të gabimit.
Republikanët shpresojnë te Jon Husted (Ohio), Ken Paxton (Teksas), Roger Marshall (Kansas), Ashley Hinson (Iowa) dhe Susan Collins (Maine).
Në Michigan, progresisti Abdul El-Sayed përballet me Mike Rogersin në një garë të ngushtë. Ndërsa, në Dhomën e Përfaqësuesve, dhjetëra distrikte mbeten “toss-up”, ku edhe një valë e vogël mund të ndryshojë kontrollin.
Kjo paqëndrueshmëri tregon se as Trump as demokratët nuk kanë avantazh të sigurt, dhe çdo gabim i vogël ose pjesëmarrje e papritur mund të përcaktojë fituesin.