Tirana përsërit gabimet

Futboll

Tirana përsërit gabimet

Më: 16 shkurt 2021 Në ora: 11:34
Tirana përsërit gabimet

Shpresat e Tiranës për të mbrojtur statusin e kampiones, tanimë janë të varura vetëm nga matematika dhe një kombinacion i çuditshëm i rezultateve të ekipeve rivale. Humbja me Kukësin në shtëpi ka ndalur bardheblutë në kuotën e 26 pikëve, duke i zbritur në vendin e gjashtë dhe me diferencë -14 nga kryesuesit e Vllaznisë.

Nëse matematika i mban ende në lojë, kur mbeten edhe 51 pikë në garë, logjika sportive dikton në këtë moment të kampionatit, për një abdikim të Tiranës në froni, me enigmën e vetme, thjesht zyrtarizimin e kësaj date.

Arsyet për këtë dështim mund të jenë të shumta, duke filluar nga prekja e strukturës së ekipit kampion, dëmtimet e futbollistëve të rëndësishëm të formacionit dhe skarciteti në një përqindje të lartë e blerjeve të këtij sezoni.

Por më shumë se kaq, një arsye e fortë për dështimin e kampionëve, mund të konsiderohet përsëritja e të njëjtave gabime të të njëjtave situata në të kaluarën. Për ta vërtetuar, na vjen në ndihmë historia e tre titujve kampion të fituar nga bardheblutë më 2005-ën, 2007-ën dhe 2009-ën, të cilat janë përsëritur në mënyrë pothuajse identike me gjithçka ka ndodhur pas triumfit të vitit të kaluar.

Tirana e 2005-ës ishte padyshim një superfuqi e futbollit tonë, me shumë futbollistë pjesëtarë të ekipit kombëtar dhe Sulejman Starova në stol. Por tatëpjeta fillon pas eliminimit nga turi i dytë në Champions League nga CSKA-ja e Sofjes, me largime lojtarësh të rëndësishëm, si dhe uljen në stol të tre trajnerëve në harkun e një sezoni, italianit Menechini, Krenar Alimehmetit dhe Mirel Josës. Si rrjedhojë titulli kampion, shkoi tek Elbasani i Ilir Dajës në stol dhe Nevil Dedes në fushë.

Tirana e 2007-ës ishte një premtim për të ndërtuar një tjetër cikël të suksesshëm, por sërish gabimet në menaxhimin e asaj skuadre, kaosi me trajnerët, ku Sulejman Starova, Astrit Hafizi dhe Sulejman Mema ndikojnë për të fiksuar një nga sezonet më zhgënjyes, që kulmon jo vetëm me pamundësinë për të fituar një trofe, por për herë të parë në mijë-vjeçarin e ri dështon të marrë një biletë europiane.

Në mënyrë identike historia do të përsëritet edhe pas titullit të 2009-ës. Largime lojtarësh të rëndësishëm, blerje të bujshme, por që nuk respektojnë pritshmëritë dhe sërish ndryshime të shpeshta trajnerësh, duke filluar me kroatin Lancarevic, Alban Tafajn dhe Sulejman Starovën. Si rrjedhojë Tirana e mbylli sezonin pa trofe.

Besohej se këto tre eksperienca do të ishin të mjaftueshme për të nxjerrë mësimet e duhura, por gjithçka ka ndodhur në këtë sezon, nga ndryshimet e grupit të futbollistëve kampionë, te rokada në stol mes Egbosë, Dedes dhe tani Shehit, që po i drejtojnë bardheblutë tek një dështim sportiv, pa titull kampion, pa kupë dhe me shumë mundësi edhe pa një biletë pjesëmarrjeje në Europë. Kush mund ta besonte një skenar të tillë, në ditën që bardheblutë festonin titullin e 25 kampioni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat