Shkëndija reagon ashpër, tërhiqet nga zgjedhjet për presidentin e ri të Federatës së Futbollit në Maqedoni!

Futboll

Shkëndija reagon ashpër, tërhiqet nga zgjedhjet për presidentin e ri të Federatës së Futbollit në Maqedoni!

Më: 16 shkurt 2021 Në ora: 13:39
Shkëndija reagon ashpër, tërhiqet nga zgjedhjet për presidentin e ri të Federatës së Futbollit në Maqedoni!

Duke marrë parasysh zhvillimet e fundit rreth kuvendeve zgjedhore për përfaqësim organizativ të futbollit në RMV, sikurse në nivelin lokal (Lidhja Komunale Futbollistike Tetovë), po ashtu edhe në nivelin qendror (Federata e Futbollit të Maqedonisë), KF Shkëndija njofton opinionin, institucionet përkatëse, dhe me gjërë, se nuk do të jetë aspak pjesëmarrëse në këtë proces në formën në të cilën veçse është filluar dhe vijon, dhe me këtë edhe nuk do të pranojë validitetin e këtyre zgjedhjeve të organizuara në këtë format jodemokratik, diskreditues dhe jozhvillimor për futbollin, për katër vitet e ardhëshme të mandatit të këtyre zgjedhjeve.

Me datë 18.02.2021, është caktuar data e Kuvendit Zgjedhor për zgjedhje të Kryesisë së Lidhjes Futbollistike Komunale Tetovë dhe organeve tjera përkatëse. Statuti aktual diskreditues parasheh vetëm 3 delegatë nga KF Shkëndija në LFK-Tetovë (po aq sa kanë edhe disa klube të rangeve më të ulta të Tetovës), nga diku gjithësej 35-40 delegatë që do të përbëjnë këtë Kuvend. Vlerësimi ynë është që ky statut, në formën aktuale që përdoret për këto zgjedhje, nuk mundëson përfaqësim adekuat të KF Shkëndija, por edhe të klubeve dhe investitorëve tjerë të Tetovës sipas proporcionit kundrejt kontributit që japin në futbollin vendorë.

Për më tepër, duke shfrytëzuar statusin aktual, pjesë e konsideruseshme e delegatëve kuvendar me të drejtë vote në LFK, veçse janë paracaktuar të jenë individë apo subjekte fiktive me kontribut shumë më të vogël (disa edhe zero) në futbollin e Tetovës, që përbëjnë shumicën absolute, në disbalansin kundrejt klubeve meritore me numër të vogël delegatësh sipas statutit.

Për më tepër, nga rëndësia, njëkohësisht ndjekim edhe zhvillimet në aspekt qendror me Kuvendin Zgjedhor në Federatën e Futbollit të Maqedonisë, i cili është shpallur të mbahet me datë 14.03.2021. Njejtë edhe rreth kësaj, vlerësojmë se statuti aktual i vjetëruar i FFM-së, shfrytëzohet për këtë organizim zgjedhor jodemokratik, diskreditues dhe jozhvillimor për kohërat e tanishme dhe meritorët kryesorë aktual në futbollin vendorë. Disbalansi i përfaqësimit adekuat zgjedhor në nivel komunal në mbarë republikën, nga këto zgjedhje komunale përcakton edhe delagatët/kuvendarët që zgjedhin Këshillin Drejtues, Kryesinë dhe Organet tjera të rëndësishme të FFM-së.

Ky statut dhe proces zgjedhor, mundëson dhe mbronë ekosistemin e vjetëruar dhe të mbyllur nga LFK e deri në FFM, ku të drejtë përfaqësimi me shumicë absolute në koalicionime dhe vendimmarrje në nivele më të larta të organizimit të futbollit në FFM, u jepet individëve dhe subjekteve tjera fiktive të së kaluarës, që shumë pak ose aspak nuk ofrojnë për futbollin vendor, ndërsa investitorët, klubet dhe sportistët me merita të rëndësishme anashkalohen në tërësi. Vlerësimi ynë është që krejt ky proces nuk do të mundësojë të drejtën e përfaqësimit të denjë të KF Shkëndija (por edhe klubeve tjera meritore të vendit), në nivelet më të rëndësishme të organizimit të futbollit në FFM, gjë që veçse një kohë të gjatë është në praktikat e të së kaluarës, e në dëm të zhvillimit të futbollit në RMV.

Si rrjedhojë e këtyre parregullsive, KF Shkëndija, njofton se aspak nuk do të caktojë delegatë për organizimin për Kuvend Zgjedhor të LFK-Tetovë më date 18.02.2021, dhe për Kuvendin Zgjedhor të FFM-së më datë 14.03.2021, dhe me këtë as nuk do të pranojë validitetin e këtyre zgjedhjeve në formatin në të cilin ato vijojnë të përshpejtohen deri në finalizim, duke anashkaluar KF Shkëndija dhe meritorët tjerë të futbollit në vend.

E drejta e klubeve dhe investitorëve kryesorë në futboll, të jenë në proporcionin e duhur të përfaqësuar në organizimin e futbollit, si kodeks funksionimi, veçse është mundësuar dhe vazhdimisht përditësohet viteve të fundit edhe në shtetet tjera të rajonit, e mos flasim për Europën Perëndimore ku prej shumë kohësh janë vendosur proporcionet e duhura në këtë aspekt, që mundësojnë të drejtën e fjalës dhe vendimmarrjes klubeve sipas peshës së tyre që kanë në futboll (Liga e Parë, Liga e Dytë, etj).

Vlerësojmë se palët e ndërlidhura në diskutimet e deritanishme rreth këtyre zgjedhjeve (FFM dhe Agjencioni per Rini dhe Sport), kanë kohën që të gjejnë kompromisin e duhur që ky vit kalendarik i shpallur si zgjedhor, të mundësojë:

1. Përfaqësimin e kombëtares se RMV-së në Kampionatin Europian në Qershor 2021 dhe më pastaj,

2. Zgjedhje të reja në LFK dhe FFM, pasi që të përshtatet Statuti që do të përcaktonte përfaqësimin adekuat.

Fundja, kompromisi më i mirë të parasheh shtyerjen e zgjedhjeve të FFM-së për fillim të vitit 2022, se sa që të lejohen edhe 4 vite tjera të organizimit të futbollit në RMV në formën e të së kaluarës, ku individëve apo edhe interesave tjera jo-sportive do vazhdojë t’ju mundësohet ekskluzivisht, e drejta e organizimit të futbollit në vendin tonë. Kjo e fundit nënkupton tërhjekje të vazhdueshme të investitorëve aktual, pa mos dashur të cekim që nuk do të lihet hapsirë edhe për katër vite tjera, për investitorë të tjerë të ri, të nevojshëm për të rritur cilësinë e futbollit në vendin tonë, reagon Shkëndija nga Tetova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat