Elseid Hysaj dhe Marash Kumbulla do të ndjekin nga televizori ndeshjet e skuadrave përkatëse në Ligën e Europës në këtë javë. Të dy mbrojtësit e përfaqësueses shqiptare, normalisht duhej të ishin në fushë apo të paktën të grumbulluar përkatësisht nga Napoli e Roma, por dëmtimet e njëpasnjëshme u kanë prishur punë.
Hysaj prej një javë ka shqetësime muskulore dhe kjo ka detyruar trajnerin Gatuzo që të kursejë lojtarin për ndeshjen e parë ndaj Granada.
Napoli kërkon shërbimet e Hysajt në kampionat ku klubi po mundohet të blindojë një vend mes katër skuadrave të para dhe të kthehet në Ligën e Kampioneve. Ndaj ai është lënë pushim për sifdën e mesjavës, që të rikuperojë plotësisht nga dëmimi që ka pësuar.
E njëjta situatë është edhe për Marash Kumbullën, i cili është lënë jashtë si në ndeshjen e fundjavës të Romës në kampioant, ashtu edhe sot për grumbullimin para sfidës me portugezët e Braga.
Sipas mediave italiane, Kumbulla mund të mungojë edhe në ndeshjen e kësaj fundjave, për të qenë të sigurt se dëmtimi i tij nuk do të përsëritet dhe ai të kthehet në formën maksimale në fushën e lojës me ekipin që gjithashtu është i përqendruar në kampionat në luftën për një vend në Ligën e Kampioneve.