Luftë e hapur mes Barçës dhe La Ligës

Futboll

Luftë e hapur mes Barçës dhe La Ligës

Më: 27 janar 2023 Në ora: 18:23
Tebas e Laporta

“Luftë e hapur Barcelona-La Liga”. Kështu e kanë etiketuar mediat katalanase përplasjen më të fundit mes klubit të drejtuar nga Joan Laporta dhe ligës profesioniste të drejtuar nga Havier Tebas.

Sipas “SER Catalunya”, në zyrat e Barcelonës mendojnë se Liga është kundër tyre. Sipas medias katalanase në fjalë, janë dy motive që kanë çuar në këtë përplasje të re mes palëve.

I pari është i famshmi 15% ekstra për pagesat e lojtarëve, që institucioni i drejtuar nga Tebas u ka dhënë të gjitha klubeve që kanë nënshkruar me fondin e investimeve “CVC”.

Duke qenë se Barcelona dhe Reali nuk kanë firmosur një marrëveshje të tillë, ato përjashtohen nga ky bonus 15%. Në këtë mënyrë, Barcelona nuk ka mundësi të përdorë fonde të tjera për të shtuar masën e saj të pagave. Në të kundërt do të kalonte vijën e kuqe të përcaktuar nga La Liga.

Arsyeja tjetër e luftës së hapur është Gavi. Sipas “SER”, vetëm një milion euro ndajnë klubin e Barcelonës dhe La Ligën për federimin e kontratës së re të Gavit si lojtar të ekipit të parë.

La Liga e ka njoftuar Barcelonën se nuk mund ta regjistrojë Gavin si pjesë të ekipit të parë dhe me kushtet e reja ekonomiko-financiare të kontratës, pavarësisht se Barça po këmbëngulë që të mbyllë gjithçka në janar.

La Liga ia ka argumentuar Barcelonës vendimin për të mos lejuar regjistrimin e kontratës së re të Gavit, duke përmendur nenin 93.6, që thotë se: “Për klubet që kanë kryer operacione të jashtëzakonshme (të tilla si levat financiare ose hyrjet jo të zakonshme) dhe për klubet që kanë rënë nga kategoria, duhet të dorëzohet një Plan Thesari për dy sezonet në vijim”.

La Liga nuk beson se Barça është e gatshme të paraqesë një plan. Por edhe pse La Liga nuk e lejon regjistrimin, sipas gazetës “Mundo Deportivo”, Barcelona nuk ka ndër mend të heqë dorë nga ideja e saj për të federuar Gavin brenda merkatos së janarit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat