Ndeshjet e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut rikthehen pas pushimit për shkak të angazhimeve të kombëtareve. Sot në mesditë, në stadiumin “Zhelezarnica”, futbollistët e Skopjes do të presin skuadrën e Arsimit nga Çegrani.
Sipas mediumit maqedonas “Ekipa”, skuadra vendase ende nuk ka arritur të regjistrojë asnjë fitore që nga rikthimi në elitën e futbollit. Për këtë arsye, futbollistët e drejtuar nga Ivan Varadinovski shpresojnë që pikërisht ndeshja e sotme të jetë momenti për të festuar tri pikët e para.
Pushimin dyjavor Skopje e shfrytëzoi për të konsoliduar skuadrën, ndërsa trajneri Varadinovski pati kohë të mjaftueshme për t'ua përcjellë lojtarëve idetë e tij. Tashmë, pritet që ato të zbatohen edhe në fushë, në përballjen e sotme.
“Shkojmë për fitore, jemi të përgatitur dhe maksimalisht të motivuar”, thuhet në njoftimin e Skopjes.
Arsimi synon t'i japë fund serisë negative
Edhe mysafirët udhëtojnë me synimin për të marrë rezultat pozitiv dhe për t'i dhënë fund periudhës së vështirë në aspektin e rezultateve.
“Jemi të vetëdijshëm se na pret një ndeshje shumë e rëndësishme kundër Skopjes. Kemi punuar shumë gjatë gjithë javës dhe jemi përgatitur maksimalisht për këtë sfidë.
E dimë se nuk po kalojmë periudhën më të mirë, por besojmë në cilësitë tona dhe në forcën e skuadrës.
Objektivi ynë është i qartë: të marrim një rezultat pozitiv dhe të fillojmë të dalim nga kriza. Do të japim maksimumin në fushë, do të luftojmë për çdo top dhe shpresojmë që në fund të festojmë së bashku me tifozët tanë”, deklaroi Gueye nga radhët e Arsimit.
Skopje kërkon fitoren e parë sezonale në elitë, ndërsa Arsimi synon të rikthehet te rezultatet pozitive.