Flick: Bernal nuk është i gatshëm 

Futboll

Flick: Bernal nuk është i gatshëm 

Nga: BOTA SOT Më: 28 nëntor 2026 Në ora: 13:30
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, doli këtë të shtunë në konferencë për media, ku foli për ndeshjen e së dielës kundër Deportivo La Corunas.

Sipas mediumit spanjoll, “Marca”, gjermani konfirmoi mungesën e Alejandro Baldes dhe Marc Bernalit, ndërsa bëri të ditur se Andreas Christensen, Lamine Yamal dhe Rodri do të jenë në dispozicion të skuadrës.

“Gjithmonë kam thënë se kemi shumë cilësi në skuadër dhe është e rëndësishme që të gjithë lojtarëve t'u japim minutat që meritojnë. Ajo që bëmë kundër Sabahut ishte shumë e rëndësishme për të gjithë.

Duhet të kemi parasysh edhe lojtarët e lënduar, sepse nuk është e lehtë. Gerard Martín po luan gjithmonë në nivel shumë të lartë, por edhe ai ndonjëherë ka nevojë për pushim.

Për pjesën tjetër të lojtarëve, është e rëndësishme që të jenë të freskët, në mënyrë që të mund të zbatojnë stilin tonë të lojës dhe të tregojnë intensitetin e kërkuar në fushë”, deklaroi Flick.

“Bernal nuk është i gatshëm, ndërsa Balde do të mungojë. Rodri, Christensen dhe Lamine do të udhëtojnë me skuadrën dhe do të jenë në gjendje të luajnë”, konfirmoi trajneri.

Sa i përket Marc Bernalit, Flick sqaroi se dëmtimi i tij nuk është serioz, por nuk është i gatshëm për këtë ndeshje dhe mund të mungojë edhe ndaj Atletico Madridit.

De Jong në mesfushë

“Frenkie ka bërë një punë shumë të mirë si qendërmbrojtës. Të gjithë e dinë se pozicioni i tij natyral është në mesfushë dhe se mund të na japë shumë në atë repart.

Do ta shohim ndeshjen e nesërme. Tani duhet të vendosim se cilët janë lojtarët më të mirë për ta nisur dhe për ta përfunduar takimin. Duhet të kemi parasysh edhe ndeshjen e së mërkurës”, tha Flick.

Fermín dhe Dani Olmo

“Fermín ishte në një moment shumë të mirë. Ai na jep shumë. Të dy na ofrojnë gjëra të ndryshme, por kanë cilësi të jashtëzakonshme.

Dani e kontrollon ritmin e lojës dhe mund të japë pasimin e fundit. Jam shumë i lumtur që është rikthyer. Fermín bën gjëra të paparashikueshme dhe na jep shumë mundësi. Po flasim për dy futbollistë të nivelit më të lartë”, u shpreh trajneri.

Pushimi i Atletico Madridit

“Nuk ka justifikime. Kështu është futbolli. Gjithmonë ka presion. Puna jonë është të jetojmë nën presion. Sezoni është një rrugëtim i gjatë deri në fund. Duhet të luajmë futbollin tonë më të mirë dhe gjithmonë të synojmë fitoren. Ky është Barcelona, asgjë më shumë”, deklaroi gjermani.

Pedri është në formë

“Ne planifikuam vetëm minutat e tij për ndeshjen kundër Sabahut. Ai është mirë, vjen në një moment të mirë, është 100 për qind i gatshëm dhe do të jetë në dispozicion.

Kemi më shumë alternativa dhe duhet t'u japim mundësi edhe lojtarëve të tjerë. Ndonjëherë është mirë të menaxhohen minutat e futbollistëve të tillë. Gjithçka varet nga ndeshja dhe duhet të përshtatemi”, tha Flick.

Casado dhe përballja me Deportivon

“Casado është profesionist dhe do të na ndihmojë shumë me qëndrimin dhe mentalitetin e tij. Ai është një pjesë shumë e rëndësishme e skuadrës.

Jam i lumtur që po luan dhe që është rikthyer pas lëndimit. Mund të them vetëm fjalë pozitive për të. Është një futbollist i madh, një djalë i shkëlqyer dhe një profesionist i vërtetë”, theksoi trajneri.
Trajneri gjerman foli edhe për talentin Ebrima Tunkara, për të cilin pati fjalë të mëdha vlerësimi.

“Ebrima është një talent i madh. Një futbollist i shkëlqyer. Nuk dua të them shumë, por ai ka një të ardhme të shkëlqyer në këtë klub”, deklaroi Flick.

Zemërimi pas golit në Baku

Flick u ndal edhe te reagimi i tij pas golit të pësuar në Baku.

“Isha pak i zemëruar me atë situatë. Nëse do ta kisha goditur topin me forcë, ndoshta do të më kishin përjashtuar, ndaj u mendova mirë.

E nisëm ndeshjen me shumë përqendrim. Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur luan në transfertë dhe në një vend kaq të largët. Ishte një ndeshje e Ligës së Kampionëve dhe duhet t'i respektojmë të gjithë kundërshtarët. Objektivi ynë ishte të merrnim tri pikët”, shpjegoi ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat