Trajneri i Manchester Cityt, Enzo Maresca, ka pranuar se skuadra e tij po has vështirësi për të ruajtur qetësinë kur pëson gol e para në ndeshje.
Barazimi zhgënjyes 1:1 ndaj Fulhamit, të shtunën pasdite në “Etihad Stadium”, i dha fund dominimit të jashtëzakonshëm të Cityt ndaj skuadrës londineze, duke ndërprerë serinë prej 20 fitoresh radhazi në përballjet mes tyre.
Fulham befasoi vendasit duke kaluar në epërsi që me rastin e parë të rrezikshëm në ndeshje.
Oscar Bobb depërtoi bukur në mbrojtjen e Cityt dhe asistoi për Rodrigo Muniz, i cili realizoi me një goditje të saktë në këndin e sipërm të portës.
Duke komentuar rezultatin dhe momentin nëpër të cilin po kalon skuadra, Maresca deklaroi për BBC Sport:
“Është një moment i vështirë sa i përket rezultateve. Nuk na pëlqejnë momente të tilla. Por është gjithashtu normale kur po përpiqesh të ndërtosh diçka të re”.
Trajneri pranoi se një prej problemeve kryesore të skuadrës është reagimi pas pësimit të golit.
“Është diçka që po e bëjmë gabim. Pasi pësojmë gol, fillojmë të bëjmë gjëra me nxitim dhe kjo nuk është e mirë për ne.
Duhet të gjejmë një mënyrë për ta mbajtur portën të paprekur. Të gjitha ndeshjet e Premierligës janë të tilla, pasi kundërshtarët gjithmonë përpiqen të na sulmojnë”, u shpreh Maresca.
Manchester City pati edhe një gol të anuluar të Erling Haalandit, pasi portieri Bernd Leno kishte ende duart mbi top kur sulmuesi norvegjez e dërgoi atë në rrjetë.
Barazimi erdhi në pjesën e dytë, kur Elliot Anderson realizoi një gol të bukur me goditje nga jashtë zonës, pas një topi të larguar nga mbrojtja e Fulhamit pas një goditjeje nga këndi.
Maresca e vlerësoi lart paraqitjen e Andersonit.
“Gol fantastik. Po përpiqemi të gjejmë zgjidhje për të qenë më shumë në zonën kundërshtare. Ai zhvilloi një ndeshje shumë të mirë. Sot ndryshuam diçka me Ayyoub dhe Elliotin. Elliot luajti pak më përpara, pranë zonës”, deklaroi trajneri.
Për Manchester Cityn, ky ishte pikë e parë në Premierligë pas më shumë se një muaji dhe fundi i serisë prej tri humbjesh radhazi në kampionat.