Infeksionet e veshit të brendshëm, këshillat si duhen trajtuar!

Këshilla mjekësore

Infeksionet e veshit të brendshëm, këshillat si duhen trajtuar!

Më: 10 dhjetor 2020 Në ora: 15:49
Foto Ilustrim

Sëmundjet e veshit janë ndër patologjitë që hasen në masë pothuajse tek të gjitha grupmoshat, veçanërisht tek fëmijët. Ndër shqetësimet më të shpeshta në këtë rast janë infeksionet e veshit, të cilat kërkojnë një kujdes maksimal në trajtim. Kjo me qëllim për të shmangur pasojat e rënda që ato mund të lënë në dëgjim. Në vijim të shkrimit mjekja Ilda Xhelili ndalet në detajimin e shkaqeve që çojnë në shfaqjen e infeksioneve që prekin veshin e brendshëm, simptomat dalluese, si dhe masat që duhet të marrim për trajtimin dhe parandalimin e tyre. Mjekja thekson se sa më herët të bëhet diagnostikimi dhe marrja e mjekimit të duhur, aq më të pakta janë mundësitë për ndërlikime që mund të cenojnë dëgjimin. Gjithçka duhet të dini rreth trajtimit të hershëm të infeksioneve të veshit të brendshëm e gjeni të detajuar në vijim.

Çfarë përfshin infeksioni i veshit të brendshëm?

Anatomia e veshit është e ndarë në tre pjesë: veshi i jashtëm i përbërë nga pjesët e dukshme (llapa e veshit, kanali i jashtëm), veshi i mesëm  që përbëhet nga membrana timpanike dhe kockat e dëgjimit, si dhe veshi i brendshëm që përbëhet nga kanalet gjysmërrethore të mbushura me lëng, kërmilli, si edhe nervi i dëgjimit dhe i ekuilibrit. Një infeksion i veshit të brendshëm është teknikisht një infeksion i pjesës më të brendshme të veshit. Shpesh, një infeksion i tillë është më tepër një acarim i pjesëve të veshit, të cilat janë përgjegjëse për ekuilibrin dhe dëgjimin. Rrallë, një infeksion i veshit të brendshëm është një infeksion i vërtetë i shkaktuar nga një virus, ose bakter. Kur veshi i brendshëm është i përflakur, ose i irrituar, simptoma të tilla, si: marramendje, humbje ekuilibri, tingëllima në vesh dhe të vjella mund të shfaqen papritur.

Hollësisht, cilat simptomat klinike të një infeksioni të veshit të brendshëm?

Disa njerëz me infeksion të veshit të brendshëm mund të kenë pak, ose aspak simptoma klinike. Kur shfaqen këto simptoma, ato kanë tendencë të shfaqen me shpejtësi. Shenja klinike të tilla mund të jenë: marramendje ose ndjesi rrotulluese (vertigo), të përziera dhe të vjella, probleme me ekuilibrin ose me ecjen, humbja e dëgjimit (ose ulja e vëllimit të zërit) në një vesh, dhimbje veshi, ethe, të dridhura (jo shpesh), tingëllima në vesh, ose dëgjimi i tingujve anormalë. Simptomat e infeksionit të veshit të brendshëm janë të ngjashme me çrregullimet e tjera të veshit të brendshëm (si për shembull neuriti vestibular ose labyrinthiti).

Cilët janë shkaktarët kryesorë të infeksioneve të veshit të brendshëm?

Një infeksion viral është shkaktari më i zakonshëm i një infeksioni të tillë. Viruset më të shpeshtë përfshijnë gripin, viruset herpetike dhe poliomelitin. Më rrallë, një infeksion bakterial mund të shkaktojë një infeksion të veshit të brendshëm.

Sa zgjasin ne kohë infeksione të tilla?

Kjo varet së pari nga fakti se sa i rëndë është infeksioni. Kur mjekohen menjëherë, shumica e infeksioneve të veshit të brendshëm do të zgjidhen brenda disa ditësh, deri në rreth dy javë, pa asnjë dëmtim të përhershëm të veshit.

Po nëse vonohet marrja e mjekimit?

Nëse këto infeksione nuk trajtohen në kohën e duhur, mund të çojnë në dëmtime të përhershme të pjesshme, ose totale të dëgjimit. Mund të ketë edhe dëmtime të sistemit vestibular, i cili është përgjegjës për ekuilibrin e trupit, gjë e cila mund të zgjasë edhe kohën e shërimit. Në përgjithësi, shumica e infeksioneve që prekin veshin e jashtëm dhe të mesëm janë të buta dhe largohen brenda një ose dy javëve. Ndërsa çrregullimet e veshit të brendshëm mund të zgjasin më gjatë. Infeksionet kronike të veshit mund të zgjasin 6 javë ose edhe më shumë.

A ndodh që simptomat e infeksionit të veshit të brendshëm të ngatërrohen me çrregullime të tjera shëndetësore?

Simptomat e infeksionit të veshit të brendshëm si marramendja dhe humbja e ekuilibrit mund të ngjajnë me probleme të tjera mjekësore, si për shembull goditja cerebrale, trauma të kokës, sëmundje të zemrës, efekte anësore të medikamenteve, ankthi apo çrregullime të tjera neurologjike. Prandaj diagnoza diferenciale dhe trajtimi i duhur dhe në kohën e duhur janë mjaft të rëndësishme. E rëndësishme është të diferencohen edhe infeksionet e veshit të brendshëm nga infeksionet e veshit të mesëm. Në fakt, shumica e infeksioneve të veshit, janë infeksione të veshit të mesëm (otitis media). Infeksionet e veshit të mesëm zakonisht shoqërohen me infeksione të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes (ftohja e zakonshme e shkaktuar nga viruset ose bakteret). Këto infeksione përfshijnë zakonisht dhimbjen e veshit, ethe, rrjedhje të veshit, hundë të zëna, dhimbje koke, dhimbje fyti dhe janë mjaft të shpeshta tek fëmijët e moshës shkollore. Të përzierat, të vjellat dhe marramendja nuk janë zakonisht simptoma të një infeksioni të veshit të mesëm.

Si mund të lehtësojmë në kushtet e shtëpisë infeksionet e veshit?

Mjetet në kushtet e shtëpisë nuk mund të kurojnë asnjë nga llojet e infeksioneve të veshit. Për të marrë mjekimin e duhur nevojitet konsulta me mjekët specialistë ORL, por në kushtet e shtëpisë mund të lehtësojmë dhimbjet e veshit dhe simptomat e tjera klinike. Një gargarë me ujë me kripe mund të ndihmojë në pastrimin e tubave të eustakut (tubat që lidhin veshin me grykën) dhe të lehtësojnë dhimbjet e fytit. Mundohuni të kufizoni pirjen e alkoolit, duhanit, si edhe qëndrimin në tymin e duhanit. Për dhimbjet mund të përdoren preparatet analgjezike, si: paracetamoli dhe Ibuprofeni. Një infeksion i veshit të brendshëm në vetvete nuk është ngjitës, por viruse dhe bakteret që mund ta shkaktojë atë janë ngjitëse. Për të parandaluar këto infeksione kujdesuni për një higjienë të mirë. Lani duart shpesh dhe shmangni qëndrimin në ambiente publike gjatë periudhave kur ka më shumë viroza.

Po vaksinat si ndikojnë?

Fëmijët duhet të vaksinohen veçanërisht me vaksinat e grupit të pneumokokut dhe të gripit për t’u mbrojtur nga infeksionet përkatëse që ato shkaktojnë. Vaksina e gripit është e rëndësishme të aplikohet edhe tek të rriturit, veçanërisht tek ata që vuajnë nga infeksione kronike. Aplikimi i vaksinave redukton në masë ndërlikimet që mund të vijnë nga infeksionet e veshit.

Kujdes:

Një infeksion i veshit të brendshëm në vetvete nuk është ngjitës, por viruse dhe bakteret që mund ta shkaktojë atë janë ngjitëse. Për të parandaluar këto infeksione kujdesuni për një higjienë të mirë. Lani duart shpesh dhe shmangni qëndrimin në ambiente publike gjatë periudhave kur ka më shumë viroza.

Shenjat klinike të infeksionit në veshin e brendshëm mund të jenë:

Marramendje ose ndjesi rrotulluese (vertigo).

Të përziera dhe të vjella.

Probleme me ekuilibrin ose me ecjen.

Humbja e dëgjimit (ose ulja e vëllimit të zërit) në një vesh.

Dhimbje veshi.

Ethe, të dridhura (jo shpesh).

Tingëllima në vesh, ose dëgjimi I tingujve anormalë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat