Musa Riçku, profili human i një biznesmeni të suksesshëm

Kultura

Musa Riçku, profili human i një biznesmeni të suksesshëm

Nga: Gëzim Loka Më: 23 dhjetor 2020 Në ora: 15:37
Musa Riçku

Shoqëria e sotme, megjithë problematikat e mprehta që ka, në këtë tranzicion të vështirë, po promovon edhe vlera, njerëz e figura që me kontributet e tyre humane, i bashkëngjiten vektorit social të së mirës dhe të së drejtës. Po ndodh që njerëz në dukje të zakonshëm, dhuntitë e të cilëve “flinin” nën siglën e retushuar të barazitizmit sa për sa e faqe, shpërthyen dhe dolën në start, duke e shtyrë vetë kohën përpara, në hapësira të reja të ëndrrës.

Musa Riçku është njëri prej tyre, një biznesmen i suksesshëm, që me punë e përkushtim, ia doli të ndërtonte diçka të tijën, të cilës i dha frymë me ëndrrat dhe pasionin e tij, duke u përballur me vështirësi të panumërta, që jo vetëm nuk e dekurajuan për asnjë çast, por e bënë më të fortë dhe më këmbëngulës në realizimin e projeksionit të tij.

Musa Riçku vjen nga fronti i mbrojtjes kombëtare dhe si ushtarak shembullor, ka sjellë edhe në biznes dhe kudo në jetën e tij motivime që i tejkalojnë thjeshtë interesat e tij dhe bëhen nxitje e frymëzim për gjithëkëd që ka në shpirt humanizëm dhe mendon edhe për të tjerët.

Ky dibran fisnik, bir i Limjanit, një fshat me tradita atdhetare dhe klerikale, ka shumë për të rrëfyer rreth rrugëtimit të tij të vështirë, por ai është modest, dhunti kjo dhunti e njerëzve me mend, që i shtyn më shumë se drejt fjalës, drejt veprimit, pasi një veprim në mënyrën e duhur, në kohën dhe vendin e duhur, flet me shumë se mijëra e mijëra fjalë të bukura…

Musai lindi më 1 janar 1956 në Limjan, ku kreu shkollën fillore dhe tetëvjeçare. Në vitin 1970 u rregjistrua në Shkollën e Mesme Pedagogjike Peshkopi, të cilën e mbaroi me nota shumë të mira. Kur ishte në vitin e dytë si pedagogjikas, mori pjesë në aksionin kombëtar për ndërtimin e hekurudhës Librazhd-Pogradec, gjë që i la mbresa dhe e përjetoi me shpirtin rinor që përjetonte rinia e kohës frymën e aksioneve për begatimin e jetës dhe edukimin e të rinjve me punë dhe vështirësitë e aksioneve të asaj kohe.

Image
Musa Riçku me bashkëshorten

Pasi mbaroi Pedagogjiken, në gusht të vitit 1974 emërohet mësues në shkollën tetëvjeçare Lajthizë Lurë, ku qëndron gjer në vitin 1976, kohë kur si stazhier do të punojë si vagonist në pusin nr.2, niveli 3 në thellësitë e nëntokës së minierës së kromit Bulqizë.

Në vitin 1977-1978 mbaron Shkollën e Oficerëve Zall-Herr dhe në vitin 1979 titullohet oficer, caktohet në Përrenjas, si shef i përgatitjes fizike të Brigadës, ku komandant ishte Zydi Kroi, për të vazhduar më tej si instruktor pranë Shkollës së Lirë Ushtarake në Zogjaj.

Në shtator 1979 do të jetë student në Shkollën e Ministrisë së Brendshme. Me 16 tetor 1982, kurorëzon dashurinë e tij të jetës, duke u martuar me Hasijen, e cila gjithashtu ka mbruar Shkollën Pedagogjike dhe ka qenë e është në krah të tij, jo vetëm në familje, por edhe në punë e biznes, një këshilltare dhe shoqe e denjë jete, me të cilën kanë ndarë së bashku vështirësitë, sifidat, por dhe arritjet e shumta.

Era e ndryshimeve që ndodhën në Shqipëri solli shumë pështjellim në shumë sektorë të jetës dhe të shoqërisë e më së shumti në Ushtri, nga radhët e së cilës largohet në vitin 1992 me kërkesë të tij. Emigron në Greqi për një jetë më të mirë, por fati nuk e ndihmoi, ndaj kthehet dhe nisi punën si tregtar në Peshkopi, mori një lokal me qera dhe me shumë mundë e djersë, me përkushtim e fjalëmbajtje, pas shumë lodhjeje e përkushtimi, ia doli të dilte në stratin e tregut të lirë dhe të ecte përpara me kurajë.

Dihet ashpërsia e kapitalizmit, por ndryshe nga shumë biznesmenë, që konkurencën e trajtojnë si një mënyrë për t’ia ngecur tjetrit dhe për të fituar vetë, Musa Riçku e trajton atë si një konkurim të cilësisë së punës, shërbimit dhe aseteve. Në fund të fundit, a nuk është në thelb kapitalizmi një konkurim vlerash, që e çon gjithmonë në projeksione dhe shtigje të reja përvojën dhe guximin njerëzor?!

Kënaqësia e Musait buron nga kënaqësia që iu dhuron klinetëve, cilësia e ofruar, çfarë do të bënte lejtmotiv të çdo veprimtarie biznesi. Të jeshë i ndershëm me vetveten dhe pastaj me të tjerët, kjo është filozofia e Musa Riçkut, këtij njeriu që më shumë se sa flet mendon, më shumë se sa ecën vrapon, që të ndjekë ritmet e kësaj kohe të vrullshme…

Në shërbimet e tij në big-marketin në Laprakë dhe në çdo veprimtari biznesi ku operon, shkëlqen pastërtia e tij, obligimi dhe përkushtimi për të qenë i drejtë dhe i ndershëm me konsumatorët, duke ndihmuar sa herë që i jepet mundësia familjet në nevojë, sidomos në kushtet e kësaj pandemie të trishtë.

Musai është një nga nismëtarët e Lidhjes së Intelektualëve Dibranë, ku mban pozicionin e nënkryetarit dhe sposori kryesor i veprimtarive të saj në dedikim të vlerave historike e njerzore të trevës mbarëdibrane.

Ai ka mbështetur financiarisht shumë veprimtari të shoqatave të tjera dibrane në Tiranë, duke u bërë një figurë e dashur dhe kontributore, mik me historianë, shkrimtarë, figura publike që kërkojnë t’i japin një sistem vlerash këtij vendi.

Është themelues dhe botues, një nga aksionerët kryesorë të gazetës mbarëdibrane “Rruga e Arbërit”, që është një tribunë e mendimit dibranë dhe ka dhënë një ndihmesë të çmuar në promovimin e Rrugës së Dibrës, e cila tashmë është një realitet konkret, që dibranët presin të shijojnë dhe për të cilën ai dhe intelektualët më të mirë dibranë kanë bërë gjithçka që kanë mundur, për t’i dhënë frymë dhe jetësuar.

Duke rrjedhë nga një familje me tradita klerikale, Musai ka ndihmuar me bujari dhe pasion në ringritjen dhe rikonstruktimin e objekteve të kultit në Dibër dhe Tiranë, si rikonstruktimin e xhamisë së fshatit të tij, rikonstruktimin e Teqesë së Limjanit, rikonstruktimin e xhamive të Kandrit, Vranjtit, Rrenzit, Peshkopisë etj.

Një ndihmë të lavdërueshme iu ka dhënë shkrimtarëve dibranë për botimin e librave të tyre, sidomos të librave që evokojnë dhe pasqyrojnë historinë mbresëlënëse të Dibrës dhe të krejt shqiptarisë. Dora e tij ndihmuese dhe mbështetëse ndaj familjeve në nevojë, që për fat të keq po shtohen dita ditës në këtë tranzicion të vështirë e të pashpirt, është pjesë e shpirtit dhe psikologjisë humane të këtij biznesmeni, që nuk mendon vetëm për veten dhe familjen e tij, por kërkon që të jenë mirë të gjithë njerëzit, e gjithë shoqëria të begatohet e lumturohet, pasi vetëm atëhere do të ndihen mirë njerëz si Musai, që e ndiejnë gjer në lëkurë dhimbjen dhe nevojën e tjetrit.

Musai me bashkëshorten e tij Hasijen kanë tre djemë të mrekullueshëm, Nimetin, Klodin dhe Erjonin, tashmë të martuar dhe më fëmijë, të tre me arsim të lartë, që ndjekin shembullin e prindërve të tyre dhe me punë e djersë ia kanë dalë të jenë edhe ata njerëz të respektuar në jetë.

Për vlerat si intelektual, si biznesmen dhe qyetatar i angazhuar, kontribues në promovimin e vlerave dhe të historisë së botës dirane, këshilli bashkiak i bashkisë Dibër i ka dhënë titullin e merituar “Qtetar Nderi”.

Musa Riçku e ka mbartur Limjanin dhe Dibrën e dashur me vete, si një gur sizifian, jo vetëm për shkak se vendlindja i mungon dhe për të ndihet i përmalluar, por dhe për shkak se kudo e rrethojnë bashkëfshatarët e tij, dibranët, njerëzit e letrave, gazetarët, shkrimtarët, me të cilët mban lidhje dhe kjo e bën të ndihet mirë…

Jo vetëm në komunitetin dibran, por dhe në komunitete të tjera, ku pikat e kontaktit me këtë biznesmen janë nga më të ndryshmet, për Musa Riçkun të flasin me respket e konsideratë, me dashuri e mirënjohje. I thjeshtë, i sjellshëm, i ngrohtë, i çiltër në komunikim, me intelekt natyral dhe formim të plotë si intelektual, ai të bën për vete për modestinë dhe prakticitetin, me gadishmërinë për ta dëgjuar tjetrin dhe për të qenë pranë njerëzve në nevojë.

Për njerëz si Musa Riçku mund të shkruash shumë, por këto rreshta mjaftojnë për të ravijëzuar, qoftë dhe kalimthi, një portret biznesmeni dhe humanisti të provuar, që bën aq shumë për kohën dhe njerëzit, që kjo shoqëri të jetë më e drejtë dhe më e mirë, të ofrojë mundësi dhe shanse më të shumta për të gjitha shtresat dhe nivelet e saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat