80 vjetori i lindjes së aktorit Jani Riza/ Këto janë rolet ku ka spikatur

Kultura

80 vjetori i lindjes së aktorit Jani Riza/ Këto janë rolet ku ka spikatur

Më: 17 janar 2021 Në ora: 11:28
Jani Riza

Aktori Jani Riza sot do të kishte 80 vjetorin e tij të lindjes. I njohur dhe i spikatur në disa role në kinematografinë shqiptare, Riza ndërroi jetë në moshën 47 vjeçe nga një aksident automobilistik, në 24 tetor 1988.

Aktori Jani Riza lindi në 17 janar të vitit 1941, në fshatin Bulgarec të rrethit të Korçës. Mbaroi shkollën e lartë për aktor “Aleksandër Moisiu”, më 1964 dhe fill më pas u emërua aktor në teatrin “A. Z. Çajupi” të Korçës. Luajti aty mbi 40 role, kryesore dhe të dyta, duke u bërë një nga aktorët më të spikatur të trupës së këtij teatri. Kishte një zë të ashpër, trup të bëshëm, të vetëndjerë të thellë të rolit.

U dallua për krijimin e figurave nga rrethet fshatare, njerëz të vrazhde, me vullnet të fortë, zemërake dhe një identitet të shfaqshëm kryekreje (dramat: Moro Mokra e Ruzhdi Pulahës*, Qyteti i akuzuar e Teodor Lacos*), por, herë-herë, edhe njerëz naiv, të çiltër, disi të leshtë (Dalipi te drama Këneta), apo hileqare e me vese (drama Djemtë e Bato Gores e R. Pulahës). Në qasjet e tij interpretative zunë vend, po ashtu, personazhe që breheshin nga dyshimet dhe lëkundjet e forta në marrjen e vendimeve, të cilat u shkaktonin trazime shpirtërore, meri të fshehura, dyzime (Halimi te Të pamposhturit e Minush Jeros*, Delua te Përballeë vetes e R. Pulahës).

Jani Riza ishte aktor i suksesshëm dhe në kinematografi, ku luajti mbi 15 role. Spikati me rolin e Xhezos në filmin Përballimi (1976), por figura tek e cila pati një mishërim aktorial të nivelit të lartë ishte ajo e Bunac Saliut në filmin televiziv Agimet e stinës së madhe (1981). Me këtë rol fitoi Medaljonin në Festivalin V të Filmit Shqiptar. Aktori Jani Riza vdiq nga një aksident automobilistik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat