Takimi me humanisten dhe etnografen e shquar norvegjeze, Berit Backer

Kultura

Takimi me humanisten dhe etnografen e shquar norvegjeze, Berit Backer

Nga: Bajram Sefaj Më: 9 mars 2021 Në ora: 12:50
Bajram Sefaj

Oslo, pranverë e vitit 1990.

Ndër ato dhimbjet e mëdha që, nuk më shqiten kurrë, dhe, sa herë që rikujtoj ditët e kapërcyera në TVP, është edhe reportazhi im i fundit, në udhëtimin tim të fundit si gazetar i tevepe-së, (gjithçka e fundit), që e realizova në Oslo. Jemi, pra ne kryeqytetin e Norvegjisë, në pranverën (muajin maj) të vitit 1990.

Krejtësisht i përgatitur (i shndërruar në pogaçe, siç e kishin zakon të thoshim atëherë), ai reportazh, kurrë nuk e pa dritën e botimit, të emetimit, që, në fakt është e njëjta gjë. Ndoshta ka humbur dhe është tretur krejt. Si edhe mijëra e mijëra emisione dhe materiale tjera të fondit te arkivit të TVP-së, e kanë përpijë flakët e asgjësimit që u ka vërë armiku barbar.

Provoj të shpalos atë dhimbje.

Ishte në atë reportazh, edhe Nënë Terezë, ishte edhe Berit Becker (Meritë Bekër, sikur bukur e quajti atë, në një reportazh të vetin, me rastin e vdekjes se saj tragjike, kolegu Z. Çelaj!).

Një agjenci udhëtimesh, me qerasi me një udhëtim falas deri, hej, deri në Oslo të Norvegjisë. Shfrytëzova këtë rast fatlum dhe, shpejt e shpejt “sajova” ekipin televiziv që përbëhej prej meje dhe një xhiruesi.

Me kishte pikur ideja që as nga Oslo, që sa po kishin filluar ta popullzonin refugjatët shqiptarë, si edhe krejt Norvegjinë dhe shtete të tjera skandinave, më në fund, të përgatis një emision (me shumë minuta!) dokumentar nga atje. Në momentin e fundit, derisa po nisesha, një kolegia ime, u kujtua e me tha që, pasi veç shkoja në Oslo, mos të kthehem pa e takuar edhe etnografen e njohur norvegjeze, Berit Backer. Ajo kishte kaluar dy a tre vjet në katundin Isniq, të komunës se Deçanit. Me qëllim të thëllimit të dijeve nga kjo lemë, kishte udhëtuar gjithkah nëpër Kosovë.

Pas udhëtimit tejet të gjatë, duke u përbiruar nëpër gjithë ato kalime kufitare dhe duke përjetuar gjithfarë ndodhish, më në fund, arritëm në Oslo. Pavarësisht nga lodhja dhe pagjumësia, kisha flakë e etje, për te filluar xhirimin, thuaj se ai qytet i veriut të skajshëm të Evropës, do të me ikte dhe do të tretej sysh.

Oslo, nuk ishte qytet i madh. Qytet bonbone ishte. I vogël. Nuk ishte i shkapërderdhur. Ishte qytet i vocërr, por shumë i hijshëm. Të bëhej ta gëlltitje të tërin. Të tërin, me rrugë, me aveny e sheshe, me parqe e me ndërtesa të reja e të vjetra. Krejt çfarë kishte në atë copë (krye)qytet të Norvegjisë, duke përfshirë edhe njerëzit e tij, synohej t’i fusja në lentën e filmit. Sa i takon Pallatit (të bardhë) mbretëror, ai lypsej të “fotografohet” në mënyrë të veçantë, mbretërore. Në atë Pallat mbretëror, në muajin dhjetor të vitit 1979, Nëna jonë e madhe, Nëna Terezë, (Gonxhe Bojaxhiu), nga duart e vet mbretit të Norvegjisë, kishte marrë çmimin NOBEL për paqe. Të dukej se përmes ditarëve, apo nga ndonjë e çarë tjetër e Pallatit, vinin (dëgjoheshin) fjalët e ëmbla që ajo i kishte shqiptuar me atë rast: “Une gjithmonë e kam në zemër popullin tem Shqiptar. Shum luti zotin që Paqja e tij të vijn në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjith botën. Lutnu shum për fukarat e mij – dhe për mua dhe motrat e mija. Une lutem për juve”. M Teresa Bojaxhiu (Oslo, 10/12/79).

*

Edhe pse nuk kisha pasur rastin as fatin të takoja kurrë më parë, zonjën Berit Backer, e ndija disi të njohur dhe të afërt, kur edhe aty, në Oslo, kisha dëgjuar fjalë të mira dhe admiruese për punën e saj të mirë dhe fisnike. Me në fund, i telefonova. I thashë se po e pres bashkë me Ibsen-in (Henrik Ibsen 1828 – 1906), shkrimtar dhe dramaturg i madh norvegjez dhe i letërsisë botërore, përgjithësish, nën hijen e shtatores së tij monumentale, në oborrin e shtëpisë se Teatrit mbretëror të Oslo-s, ku po qëndroja. Gazmoren time e mori si origjinale, në përpjekjen e saj që të kuptohet si e tillë, dhe e mbështolli me shami të bardhë. Nuk vonoi shumë e erdhi. Sinjalin e parë ogurzi, që diçka nuk është në rregull, se diçka nuk shkonte, në raport me komunitetin shqiptar, hetohej që në të parë. Jo! – tha, nuk hyjmë në atë kafene! Aty ka shumë shqiptarë! Nuk e pritja një reagim të tillë. Përkundrazi. Tash me brejti meraku se as regjistrimin e bisedës me te nuk e kishte pranuar me qejf aq të madh, veçse nuk kishte kuptim ta refuzonte, pasi, si të thuhet, ishte nikoqire, ishte në shtëpinë e vetë, ishte në Oslo.

Të nesërmen herët, xhiruam bisedën e gjallë televizive, me veprimtaren e shquar dhe etnologen norvegjeze Berit Backer. Në ndarje, Beritën (ose Meritën) e lusim që të na e dërgojë një shirit me muzikë tipikë norvegjeze, me të cilin do të ilustrohej emisioni, reportazhi i gjatë, i tipit mozaik, që e ishte “marrë” në Oslo. Muzikën e premtuar, më saktësi, me pedanteri skandinave dhe me besnikëri të pashoqe, zonja Berit na e dërgoi dhe, pa modesti të rreme, mund të thuhet se emisioni doli shumë i realizuar. Me gëzim, si me padurim, pritja emetimin e tij. Ai, ndërkaq, nuk u emetua kurrë!

Ndërkohë, ndodhi ajo që ndodhi. Ngjarja kur, madje njëmijë e treqind punëtorë të Radios dhe të Televizionit të Prishtinës, me dhunë barbare u nxorën jashtë shtëpisë se tyre informative.

Eh, sikur atë emision dokumentar (tash kur nuk me kujtohet më se çfarë titulli i pata dhënë!) të ishte emetuar, se pakut, me rastin e ngjarjes tragjike kur Berit Backër, gjeti vdekjen më të papritur. Më të pabesueshme! U vra nga një prej atyre që, mbase më se shumti, i kishte ndihmuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat