Çeku homazhe për Shaqir Hotin: Do të përjetësojmë punën dhe veprën e tij

Kultura

Çeku homazhe për Shaqir Hotin: Do të përjetësojmë punën dhe veprën e tij

Më: 11 prill 2021 Në ora: 15:26
Hajrulla Çeku

Nën organizimin e Ministrisë së Kulturës, para Teatrit Kombëtar janë mbajtur homazhe për artistin Shaqir Hoti i cili vdiq mbrëmjen e kaluar.

Aty ishte prezent edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku i cili tha se dje Kosova humbi një artist të madh dhe të jashtëzakonshëm që ka lënë shumë vepra dhe një koleksion të jashtëzakonshëm të artefakteve, veprave, instrumenteve dhe një korpus të trashëgimisë muzikore.

Çeku: Jemi shumë të pikëlluar për këtë humbje

"Jemi shumë të pikëlluar për këtë humbje, sepse ka qenë unik dhe i papërsëritshëm. Megjithatë, duke e ngushëlluar familjen, të gjithë komunitetin dhe qytetarët e Kosovës, unë në emër të Ministrisë së Kulturës zotohem që kontributin e tij ta qojmë tutje. Atë që ai e ka dhënë për këtë popull dhe për këtë shtet tani t'ia kthejmë në formë të dokumentimit dhe promovimit të veprës së tij në mënyrë që kjo t'iu shërbejë edhe gjeneratave të ardhshme për punën artistike, por edhe për atdhedashurinë ndaj popullit dhe ndaj vendit tonë”, tha ai.

Ministri Çeku po ashtu tha se do të angazhohen që në mënyrë institucionale të përjetësojnë punën, jetën dhe veprën e bacësh Shaqë.

Çeku: Do të përjetësojmë punën, jetën dhe veprën e tij

“Jemi këtu bashkë me komunitetin muzikor, kulturor dhe të trashëgimisë kulturore dhe do të vazhdojmë të bëjmë nderime për Shaqir Hotin, por edhe do të veprojmë institucionalisht që ta përjetësojmë punën, jetën dhe veprën e tij", tha ai.

Për të nderuar jetën dhe veprën e tij, homazhe pranë fotografisë së vendosur para Teatrit Kombëtar, kanë bërë edhe kolegë e bashkëpunëtorë të të ndjerit.

Varrimi i artistit Shaqir Hoti do të bëhet në vendlindjen e tij në Rogovë të Hasit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat