Flet Kryetari i Shoqatës Kulturore “Lunxhëria” folkloristi, Koço Vasili

Kultura

Flet Kryetari i Shoqatës Kulturore “Lunxhëria” folkloristi, Koço Vasili

Nga: Albert Z. Zholi Më: 20 prill 2021 Në ora: 17:06
Koço Vasili

- Festivali i vitit 1978 mbetet Festivali më i arrirë, një organizim perfekt ku Gjirokastra ishte si nuse

- Formimi i batalionit partizan “Misto Mame” në gusht kthehet në festë në Lunxhëri

- Festivalet e monizmit ishin festa, gëzim ose më mirë të them dasma kombëtare.

-Ky grup mori pjesë në 25-vjetorin e Pavarësisë në Pallatin Mbretëror në vitin 1937.

- Grupi ynë ka marrë pjesë në Kongresin e 5 Botëror të Rinisë komuniste që është zhvilluar në Moskë

-Në vitin 1957 në Moskë, ansambli “Lunxhëria” tronditi pjesëmarrësit me veshjet dhe këngët

- Viva-viva muhabeti, shokë të na rrojë mbreti, të na rrojë mbreti ynë, të na zgjerojë kufinë, me Kosovë dhe Çamërinë

Grupi folklorik “Lunxhëria” është një ndër grupet më të vjetër dhe me më shumë eksperiencë në Shqipëri. Fillesat e këtij grupi janë në vitet 1934-1935, por formimin zyrtar e shpalli në 28 Nëntor 1937 kur mori pjesë në Ceremoninë e 25-vjetori të Shpalljes së Pavarësisë në Pallatin Mbretëror ku interpretoi vallen e kënduar “shokë të na rrojë mbreti”. Ky grup ka në arkivin e tij mbi 400 këngë, valle të kënduara si dhe një veshje tepër të veçantë që ka bërë bujë jashtë shtetit. Kryetari i Shoqatës Kulturore “Lunxhëria” Koço Vasili ka mbi 40 vjet që e drejton këtë grup dhe përcjell për lexuesit një histori të pabesueshme. Ishte ky grup që në vitin 1957 mori pjesë në Kongresin e V Ndërkombëtar të Rinisë Komuniste duke marrë çmim inkurajues. Por kulmin e tij grupi e arriti në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës në 1978, i cili sipas Vasilit mbetet Festivali më i madh, më i arrirë. Një organizim perfekt. Mahniteshe se si bëhej Gjirokastra. Si nuse. Ne në atë festival u paraqitëm me vallen e kënduar “Lunxhëri plot lezete, ç’bukuri ke mbi vete”.

-Kur është krijuar grupi i këngës dhe valleve “Lunxhëria?

Ky grup ka një histori të madhe pasi është formuar shumë herët. Madje përpara vitit 1936, por dokumentet tregojnë se për herë të parë ka marrë pjesë në një aktivitet mbarë kombëtar kur është festuar 25-vjetori i Pavarësisë në Pallatin Mbretëror në vitin 1937. Ky është prezantimi i parë publik i grupit të Lunxhërisë. Në këtë përvjetor grupi i zonës sonë ka shkuar së bashku me një grup të Gjirokastrës. Kanë qenë dy gra njëra nga Selcka tjetra nga Qesorati, të cilat kanë shkuar dhe kanë kënduar një valle të kënduar lunxhiote. Viva-viva muhabeti/ Shokë të na rrojë mbreti/ Të na rrojë mbreti ynë/ të na zgjerojë kufinë/ Me Kosovë dhe Çamërinë . Ardhja e luftës bëri që dhe ky grup të pushojë veprimtarinë. Por menjëherë pas çlirimit ky grup u ringrit sërishmi fuqishëm.

- Ku dhe si i filluat veprimtaritë e para? Kë mbajnë mend ata që e ringritën këtë grup artistik?

Ky grup u riformua dhe dha shfaqjet e para në festën e Lunxhërisë. Kjo festë lidhej me formimin e batalionit partizan “Misto Mame” në gusht. Në këtë datë vinin në Lunxhëri të gjitha grupet e zones, por edhe nga Gjirokastra dhe më tej. Në këto festa ky grup spikati për folklorin, për vallet e bukura, për veshjet tepër karakteristike. Kështu filluan të na ftonin në shumë aktivitete jashtë Gjirokastrës dhe më tej..

-Për më tej mos doni të thoni se ky grup në sistemin monist ka dalë dhe jashtë vendit?

= Po. Grupi ynë ka marrë pjesë në Kongresin e 5 Botëror të Rinisë komuniste, që është zhvilluar në Moskë. Në këtë Kongres kanë shkuar tre çifte nga ky grup, të cilët kanë hedhur vallen e kënduar lunxhiote. Ishte vitit 1957. Ishte një përfaqësim dinjitoz, që la gjurmë. Kthimi në fshat u bë shumë pompoz, pasi ishte një ngjarje e rrallë. Kjo i dha shumë emër dhe shumë zemër vetë përfaqësuesve të grupit.

-Po në Festivalet Folklorike të Gjirokastrës, kur ka filluar të marrë pjesë ky grup?

Grupi “Lunxhëria” ka marrë pjesë qysh në Festivalin e parë në vitin 1968 duke u bërë pjesë e tij në të gjitha edicionet. Pra, ne nuk u ndamë kurrë nga Festivali i Gjirokastrës, pasi vetë këngët, vallet,, veshjet lunxhiote ishin tepër karakteristike dhe mirëpriteshin.

-Kur ka arritur kulmin ky grup në Festivalet e Gjirokastrës?

E ka arritur në Festivalin e vitit 2015 me vallen e kënduar me motive dasme që mori çmimin e Madh të Festivalit, si vallja më e mirë e kënduar. Doli nusja në divan/ me një bukuri shafran....Pra i këndohej nuses kur dilte për të shkuar tek burri. Këngë me motive popullore nga folklori i zonës sonë.

-Ju, kur i jeni bashkuar këtij grupi?

Unë kam më shumë se 40-vjet që jam kryetar dhe udhëheqës artistik i grupit Lunxhëria. Pra kam filluar që në vitin 1974 si krijues i grupit, si këngëtar i grupit. Pra pas këtij viti shumë këngë dhe valle të kënduara janë pjesë e krijimtarisë sime. Kam botuar disa libra ku mund të veçoj librin me këngët më të bukura të Lunxhërisë, i cili titullohet “ Bukuri lunxhiote” ku janë rreth 150 këngë. Kam botuar librin “Dasma lunxhiote” ku kam hedhur rreth 400 këngë të dasmave Lunxhiote. Këngë tipike, këngë që kanë ngjallur mjaft interes.

tona janë të pallogaritshme si brenda dhe jashtë vendit. Kemi bërë mbi 200 udhëtime jashtë vendit si në Ballkan disa herë dhe më tej të ftuar në aktivitete të ndryshme.

- Po për Enverin keni bërë ndonjë këngë në atë sistem?

- Po kemi bërë një këngë, por ka kaluar në heshtje. Më vonë nuk kemi bërë asnjë këngë.

Si do t’i krahasonit Festivalet e sistemit komunist me këto të sotmet?

-As mund të bëhet asnjë krahasim. Ato festivale ishin festa. Ishin gëzim ose më mirë të them dasma kombëtare. Kishin organizim të përsosur, kishin një lloj bashkëpunimi të pa diskutueshëm. Respekt në popull. Vlerësim maksimal. Çdo gjë fliste me gjuhën e shpirtit dhe me kualitet të lartë. Specialistët qëndronin në krye të punës. Cilësia ishte maksimale. Ato nuk arrihen më. P.sh Festivali i vitit 1978 mbetet Festivali më i madh, më i arrirë. Një organizim perfekt. Mahniteshe se si bëhej Gjirokastra. Si nuse. Ne në atë festival dolëm me vallen e kënduar “Lunxhëri plot lezete, ç’bukuri ke mbi vete. Ishim laureat i atij Festivali. Ne për një valle punonim 6 muaj. Sot hajde të shkojmë o burra të ndërrojmë ambient. Një këngë mund të na shkonte po aq muaj. Ndërsa kur flitet për veshjet punohej me vite dhe ato veshje i ruanim nëpër shtëpi si sytë e ballit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat