Akademia e Shkencave organizon veprimtari shkencore-përuruese për botimin e partiturёs së baletit tё parё shqiptar “Halili dhe Hajrija”

Kultura

Akademia e Shkencave organizon veprimtari shkencore-përuruese për botimin e partiturёs së baletit tё parё shqiptar “Halili dhe Hajrija”

Më: 14 maj 2021 Në ora: 19:00
Veprimtari shkencore-përuruese për botimin e partiturёs së baletit tё parё shqiptar “Halili dhe Hajrija”

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Komisioni i përhershëm i artit dhe trashëgimisë kulturore, kanë organizuar sot nё 95-vjetorin e lindjes sё akademikut Tish Daija (1926-2003) një veprimtari shkencore dhe pёruruese nё bashkёpunim me Fakultetin e Muzikёs (UA), pёr tё promovuar partiturёn e baletit tё parё shqiptar “Halili dhe Hajrija”, me muzikё tё kompozitorit Tish Daija dhe me libret dhe koreografi tё Panajot Kanaçit.

Bëhet fjalë për një botim të plotë të kompjuterizuar të partiturës historike të baletit të parë shqiptar "Halili dhe Hajrija" (573 faqe).

Veprimtaria me pjesëmarrje fizike dhe online u moderua nga dr. Mikaela Minga, anëtare e Akademisë së të rinjve.

Vasil S. Tole përshëndeti në emër të Kryesisë së ASH-së dhe tha se historia e këtij baleti është një histori suksesi.

Premiera e baletit u bë më 13 janar 1963 në Teatrin e Operës dhe Baletit (sot Akademia e Arteve). Në vitin 1983, me rastin e 20-vjetorit të vënies në skenë, janë riorkestruar disa numra nga baleti. Eshtë shfaqur afro 300 herë në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë. Kjo trupë e ka shfaqur baletin jashtë vendit në turnetë e Greqisë (1983), në Itali (1991) dhe në Festivalin “Vera e Ohrit" (2005).

Në Francë, ky balet është vënë në skenë me artistët e Teatrit të Operës dhe Baletit Clermond-Ferrand (1980), me koreograf Brice Leroux. Baleti është vënë në skenë gjithashtu edhe në Kosovë nga Ansambli i Baletit të Teatrit Krahinor të Prishtinës në vitin 1979, tha akad. Vasil Tole, i cili më tej foli për rëndësinë e botimit, ndërsa po rrezikohej degradimi i veprës origjinale. Ai tha se kjo vepёr këtё vit do tё pasohet edhe me 4 veprat pёr orkestёr simfonike tё Fan S. Nolit dhe vitin tjetёr do tё botohet e para simfoni shqiptare, ajo e Ҫesk Zadesё, nё kuadrin e 95-vjetorit tё lindjes sё tij. Botimi i partiturёs historike të baletit tё parё shqiptar do t’i shërbejë një larmie të madhe përdoruesish, nga dirigjentët brenda e jashtë vendit, kompozitorëve të rinj dhe muzikologëve, bibliotekave të specializuara ose jo, nxënësve dhe studentëve të muzikës, dashamirësve, koleksionistëve etj.

Dr. Eno Koço, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave, foli për rëndësinë e baletit të parë shqiptar dhe rrëfeu kujtime nga puna me kompozitorin e shquar Tish Daija.

Tish Daija përfaqëson një nga ata pak kompozitorë, që mbeten në elitën e kompozitorëve më të shquar shqiptarë, tha dr. Eno Koço.

Prof. Dr. Isak Shehu, dekan i Fakultetit të Muzikës pasi foli për edukimin muzikor të Tish Daisë, që nis që në moshën parashkollore, me pjesëmarrjen në korin françeskan, ku merr mësimet e para nga padër Martin Gjoka e Filip Mazreku. Ai foli më tej për rolin si pedagog i kompozicionit dhe tha se “Tish Daija ka dhënë një kontribut të madh në krijimin dhe zhvillimin e muzikës instrumentale, vokale e simfonike shqiptare në të gjitha gjinitë, këngë të muzikës së lehtë, popullore, muzikë filmash etj., si: opereta “Lejlaja”, opera “Pranvera”, baleti i parë shqiptar “Halili dhe Hajria”, “Bijtë e peshkatarit” etj.

Vlerat e krijimtarisë së Tish Daisë ndikojnë në edukimin e kompozitorëve të rinj. Krijimtaria e tij flet shqip. Zgjedhja e materialit burimor, harmonizmi, orekstracioni, forma etj., flasin të gjitha vetëm shqip, tha prof.dr. Isak Shehu.

Rafet Rudi (Kosovë) foli për rëndësinë e botimeve muzikore. Ai e cilësoi Tish Dainë një nga bardët e muzikës shqiptare, të cilët i dhanë një start të ri kompozimit.

Djali i akad. Tish Daisë, kompozitori Gust Daija, në fjalën online (nga SHBA), pasi falënderoi dhe i shprehu mirënjohjen Kryesisë së ASH-së për botimin e partiturës, tha se “Halili dhe Hajrija ishte vepra e katërt e kompozitorit Tish Daija në fillimet e punës së tij. Ai rrëfeu rrugën e Tish Daisë si autor i shumë veprave të mëdha muzikore si, opereta “Lejlaja”, opera “Pranvera”, baleti i parë shqiptar, "Bijtë e Peshkatarit" etj.

Gjithashtu veprimtarinë e përshëndeti edhe baletmaestri Albert Janku, i cili është një nga protagonistët e vetëm që ende jeton të baletit të parë shqiptar “Halili dhe Hajria”.

Veprat e bukura i mbijetojnë kohës dhe janë pasuri e madhe e popullit, tha Albert Janku, duke kujtuar me nostalgji kohën e realizimit të kësaj vepre dhe punën e palodhur që u bë për ngjitjen e këtij baleti në skenë me mjeshtrin e baletit Panajot Kanaçi që solli risi në shprehjen harmonioze të gjuhës së trupit të kërcimtarëve me muzikën e Tish Daisë.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat