Romani “Makthi” fitoi çmimin e parë “Teki Dërvishi” në mitingun e poezisë në Gjakovë

Kultura

Romani “Makthi” fitoi çmimin e parë “Teki Dërvishi” në mitingun e poezisë në Gjakovë

Nga: Ahmet Pllana Më: 29 maj 2021 Në ora: 18:26
Fatmir Halimi

Mitingu i Poezisë që mbahet për çdo vjet në Gjakovë, i organizuar nga Klubi Letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, sivjet u mbajt për të 57-tën herë me radhë, por për shkak të pandemisë me një numër të vogël të pjesëmarrësve dhe me distancë. Në konkurs të shpallur publikisht për roman, prozë dhe poezi nga Klubi Letrar “Gjon Nikollë Kazazi” sivjet, pra për vitin 2021, e zuri romani me titull “Makthi” i shkrimtarit Fatmir Halimi.

Mitingu i Poezisë sivjet i 57-ti me radhë, të cilin e organizon Klubi Letrar “Gjon Nikollë Kazazi” i Gjakovës, është njëri ndër manifestimet më të vjetra i letërsisë në të gjitha trojet shqiptare, të cilin kaherë e kishin themeluar poetët vendës, sikurse Din Mehmeti, Besim Bokshi, Teki Dervishi, etj. Që nga atëherë ky Miting i Poezisë e vazhdon për çdo vit traditën.

Sipas kryetarit të Mitingut të Poezisë, Muharrem Kurti, pas një konkurrence të fortë në këtë zhanër të letërsisë dhe të prurjeve të mëdha në këtë vit nga Kosova dhe Shqipëria, por edhe trevat tjera shqiptare, romani me titull “Makthi” i autorit Fatmir Halimi, sipas jurisë doli romani më i mirë, i cili edhe mori Çmimin e parë “Teki Dervishi”, edhe pse në konkurs kishin arritur edhe romane të tjera. Romani “Makthi” i Fatmir Halimit përshkohet me një stil ri të krijimit dhe me një temë psikologjike, por edhe sociale dhe shoqërore, ku personazhi kryesor është një individ krejt i vetmuar mbi sipërfaqen e detit dhe mbijetimin e tij, i cili faktikisht e përjeton, por edhe e mbijeton makthin.

“Për mua mbrëmja e 28 majit e vitit 2021 ishte dita më e veçantë, pasi që romani im i radhës “Makthi”, i botuar para një muaji, fitoi çmimin më të rëndësishëm të Mitingut të Poezisë në Gjakovë, Çmimin e parë “Teki Dervishi”, që më shkaktoi një emocion të veçantë dhe një gëzim të papërshkruar”, ka thënë Fatmir Halimi. “Kjo më bëri të kuptoj se romanet e mia, sikurse romani “Dy vdekjet e një jete” që para tre viteve fitoi çmimin më të madh në Kosovë nga Ministria e Kulturës, ndërsa tani romani “Makthi” nga Mitingu i Poezisë në Gjakovë. Vërtet për mua si autor janë çmime të veçanta. Me çdo roman të ri letërsia jonë shqipe pasurohet. Dy romanet e mia e kanë një stil paksa më ndryshe dhe krijojnë një përjetim dhe tërheqje emocionale, andaj lexuesit i bëjnë për vete”, ka theksuar Halimi.

“Me këtë rast e falënderoj publikun e Gjakovës si dhe poetët tanë, por edhe poetët ndërkombëtarë që përmes platformës ZOOM u bën pjesë e pandashme e Mitingut. E falënderoj edhe jurinë profesionale: Muharrem Kurti, Migena Arllati, Engjëll Berisha dhe gjithë stafin tjetër të Klubit Letrar “Gjon Nikollë Kazazi” në Gjakovë.

Falënderoj familjen time, gruan dhe tre fëmijët e mi që patën durimin dhe që arritën të më krijojnë kushte pune gjatë gjithë kohës së shkrimit të romanit “Makthi”, ka thënë Halimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat