Krijimtaria fuqizon: Intervistë me mjeshtrin e arteve të bukura, pedagogun Agron Hasanaj

Kultura

Krijimtaria fuqizon: Intervistë me mjeshtrin e arteve të bukura, pedagogun Agron Hasanaj

Nga: E.B. Nju Jork Më: 5 shtator 2021 Në ora: 00:09
Agron Hasanaj

Agron Hasanaj është artist i talentuar në artet e fotografisë, pikturës, dhe skulpturës si dhe pedagog i studios të mirënjohur “Art Studio Kavalet”. Ka lindur më 1967 në Tiranë. Në 1985 kryen studimet në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë dega pikturë. Në vitin 1991 zhvendoset në Berlin.

Në 2009 Agron Hasanaj diplomohet në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, dega pikturë kavaleti, me prof. Edi Hilën. Më pas studion për një vit në Akademinë e Arteve në Dusseldorf, Gjermani me prof. Reinhold Braun dhe Arnim Tölke.

Në 2005 Agron Hasanaj krijon Art Studio Kavalet, një atelie arti profesionale me prioritet edukimin artistik në zhanret: Vizatim, Pikturë, Skulpturë dhe Fotografi. Me qasjen e saj integruese ndaj artit Studio Kavalet u ofron studentëve mundësi të jashtëzakonshme për të zhvilluar aftësinë e tyre krijuese (www.artkavalet.com).

Ekspozita të përzgjedhura

2003 – “Marubi”, Ekspozita e fotografisë, Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë.

2004 – “Marubi”, Ekspozita e fotografisë, Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë.

2005 – “Marubi”, Ekspozita e fotografisë, Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë.

2009 – “I muri dopo Berlino”, Ekspozitë në grup, Spazio Tadini, Milano, Itali.

2017 – “Watercolor Rhapsody”, Ekspozitë personale, Galeria FAB, Tiranë.

2018 – “Ksamil 2018”, Ekspozitë në grup, Qendra Dea, Sarandë, Shqipëri

2018 – “Small Canvas”, Ekspozitë personale, Galeria e Artit, Sarandë, Shqipëri

2021 – “Festivali Frankofon”, Ekspozitë në grup, Sozopol, Bullgari.

Intervistë eksklusive me personazhin e shquar të artit Agron Hasanaj, pedagog i studios “Art Studio Kavalet

Bota Sot: Na tregoni pak më tepër për jetën, aktivitetin tuaj dhe fillimet në fushën e artit.

Agron Hasanaj: Aktiviteti im eshtë i lidhur shumë ngushtë me Atelienë e Artit. Studio është vendi ku punoj e krijoj dhe jap mësim. Eshtë një rutinë e përditshme në të cilën jam i rrethuar nga studentë, ngjyra, penela dhe telajo.

Fillimet e mia në fushën e artit datojnë shumë herët, qysh në fëmijëri. Vizatimet e para i kam bërë rreth moshës 6 vjeç dhe kam pasur një marrëdhënie mjaft intensive me krijimtarinë artistike gjatë viteve në vazhdim.

Me kalimin e viteve këto eksperienca u rritën dhe u kultivuan me shumë, sidomos në Liceun Artistik Jordan Misja Tiranë, më pas në Akademinë e Arteve Tiranë dhe Akademia e Artit Dusseldorf.

Bota Sot: Cilat janë disa nga ekspozitat që keni bërë deri tani dhe ku?

2005 – “Marubi”, Ekspozita e fotografisë, Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë.

2009 – “I muri dopo Berlino”, Ekspozitë në grup, Spazio Tadini, Milano, Itali.

2017 – “Watercolor Rhapsody”, Ekspozitë personale, Galeria FAB, Tiranë.

2018 – “Small Canvas”, Ekspozitë personale, Saranda Art Gallery.

2021 – “Festivali Frankofon”, Ekspozitë në grup, Sozopol, Bullgari.

Bota Sot: Cilën prej tyre do veçonit dhe pse?

Agron Hasanaj: Do veçoja ekspozitën “I muri dopo Berlino” dhe “Watercolor Rhapsody”.

Ekspozita “I muri dopo Berlino” kishte një temë shumë provokuese. Ishte një nxitje për të reflektuar, një ftesë për të parë përmes lupës së artistit për të zbuluar barrierat, pengesat dhe muret që po shemben. Një mundësi për të komunikuar dëshirën për ndryshim.

Ekspozita “Watercolor Rhapsody” subjektet e së cilës ishin kryesisht me kompozime figurative me theks kombëtar duke ndërthurur të tashmen me të shkuarën. Një tjetër aspekt është teknika e përdorur si mjet shprehës në aspektin artistik, siç është teknika e akuarelit në format të madh.

Bota Sot: Cili ishte frymëzimi dhe rëndësia e ekspozitës “Muza e një Qyteti” në 2018?

Agron Hasanaj: Ekspozita “Muza e një Qyteti” me punimet e studentëve të Studio Kavalet ka si temë muzën apo frymëzimin që të ofrohet e që e gjen shpesh tek qytetet muze në Shqiperi si Berati, Gjirokastra dhe Butrinti. Vjetërsia si relika e tyre më e rrallë tundon artistët e çdo kohë të eksplorojnë nëpër hapësira e shtigje të pashkelura.

Eshtë pikërisht modestia e këtyre peizazheve, rrugicave e portave me sokak që mbartin emocionin dhe nostalgjinë e kohës të cilat frymëzojnë gjithmonë.

Bota Sot: Çfarë mesazhesh dëshironi të përcillni me artin tuaj?

Agron Hasanaj: Unë synoj nëpërmjet veprave të zgjoj dhe stimuloj emocione njerëzore, kuriozitet, interes, kujtime, dhe mendime. Nga ana tjetër deshiroj të komunikoj ide shpirtërore, të krijoj një ndjenjë të bukurisë estetike e cila sjell kënaqësi dhe emocione të forta.

Bota Sot: Flisni për projektin e fundit, frymëzimin dhe temën që përfaqëson.

Agron Hasanaj: Projekti i fundit me studentët e Studio Kavalet ka si teme Japoninë si një vend me art dhe kulturë të jashtëzakonshme. Duke i dhënë priororitet pikturës dhe skulpturës Japoneze që nga fillimet e saj deri në ditët tona.

Subjekte të tjera interesante rreth kësaj teme do jenë artet e aplikuara dhe arkitektura (veshjet tradicionale, tempulli vjetër Japonez dhe skenat urbane me arkitekturë moderne).

Bota Sot: Si lindi Art Studio Kavalet?

Agron Hasanaj: Idea lindi duke vënë re interesimin që kishin miqtë dhe të njohurit e mi për të marrë mësime arti. Me kohë kjo kërkesë u rrit, numri i studentëve u shtua dhe u diversifikuan grupet e studentëve në zhanre të ndryshme aristike.

Tashmë Studio Kavalet ka një traditë shumë të pasur me zhanret e ndryshme artistike të cilat aplikohen gjatë leksioneve të artit. Ekspozitat në grup si dhe ato personale realizuar nga studentët e Studio Kavalet mbeshteten në këtë traditë shumëvjeçare.

Bota Sot: Kur filluat leksionet nëpërmjet Art Studio Kavalet dhe për cilat zhanre të arteve vizuale jepni mësim?

Agron Hasanaj: Art Studio Kavalet ka filluar leksionet e artit nga viti 2005. Zhanret që ofrohen janë: pikturë, vizatim, skulpturë, grafikë dhe fotografi.

Leksionet zhvillohen në formën e workshop-eve ku teoria lidhet ngushtë me praktikën dhe realizimin hap pas hapi të krijimeve nga studentët. Leksionet zhvillohen në grup ose individual (sipas dëshirës), ato ndahen sipas moshave por edhe pervojave artistike që ka secili student.

Bota Sot: Për cilat grupmosha janë klasat dhe si bëhet regjistrimi?

Agron Hasanaj: Klasat janë për grupmoshat nga 6-12 dhe 13-17 dhe 18-50 vjeç. Regjistrimi bëhet me E-mail ose duke telefonuar direkt.

Bota Sot: Cilat janë disa nga mundësitë që Art Studio Kavalet ofron për studentët dhe artistët e rinj?

Agron Hasanaj: Studio Kavalet ofron mundësi të jashtëzakonshme për të gjithë studentët që dëshirojnë të shprehin e zhvillojnë më tej talentin e tyre në fushat e ndryshme të arteve vizuale. Studio Kavalet ofron për studentët metodat dhe atmosferën e duhur për rritur talentin e tyre në shkallë profesionale.

Trajtim të veçantë u jepet ekspozitave në grup si dhe atyre personale të cilat kurohen deri në detaje nga Studio Kavalet duke theksuar potencialin individual dhe botën artistike të çdo studenti.

Bota Sot: Cilat janë disa nga projektet e realizuara nëpërmjet studios Kavalet?

Agron Hasanaj: Studentët e Art Studio Kavalet janë të përfshirë në një gamë të gjërë aktivitetesh dhe projektesh. Disa nga projektet artistike të viteve të fundit janë ekspozitat e studentëve në Muzeun Historik Kombetar me titull “Muza e një Qyteti” dhe “Mite dhe Legjenda”. Disa nga këto organizohen në fund të çdo sezoni artistik.

Bota Sot: Cila është filozofija juaj e edukimit artistik?

Agron Hasanaj: Filozofia ime e mësimdhënies është shumë e përqendruar te studentët. Unë besoj se studentët janë të aftë të bëjnë punime të shkëlqyera në çdo moshë dhe detyra ime është t’i frymëzoj ata të mendojnë dhe të punojnë si artistë.

Në atelienë e artit, angazhimi im kryesor mbetet t’u jap studentëve mundësi për të krijuar dhe zgjidhur probleme artistike dhe për të dalë nga zona e tyre e rehatisë, duke i ndihmuar ata të fitojnë aftësitë e nevojshme për të komunikuar në mënyrë efektive idetë e tyre dhe për të bërë një art domethënës për ta. Shpesh i sfidoj studentët të provojnë gjëra të reja dhe të arrijnë atë që mendojnë se është e pamundur.

Bota Sot: Cilat janë aspiratat e tuaja për të ardhmen?

Agron Hasanaj: Prej vitesh kam patuar studentë shqiptarë që jetonin në vende të ndryshme si Amerikë, Angli, Itali të cilët frekuentonin studion për periudha të shkurtëra sipas kohës që gjendeshin në Shqipëri. Interesimi i tyre ishte i madh sidmos për tema që lidhen me kulturën dhe traditën shqiptare, peizazhe të qyteteve, apo veshjeve tradicionale.

Duke parë këtë interesim kam menduar gjithmonë per gjetjen e mundësive për organizimin e projekteve të ndryshme të mësimdhënies apo workshop-eve artistike në vendet ku banojnë shqiptarë. Kjo do të krijonte mundësi për prezantimin dhe njohjen e kulturës dhe traditës shqiptare përmes artit tek brezat e rinj që po rriten jashtë Atdheut, si dhe japin mundësi për të tërhequr një publik sa më të gjerë shqiptar dhe jo vetëm.

Këto workshop-e mund të përmbyllen me një ekspozitë gjithëperfshirëse me punimet e studentëve pjesmarrës.Image

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat