As toskë, as gegë, as kosovarë, por vetëm shqiptarë

Kultura

As toskë, as gegë, as kosovarë, por vetëm shqiptarë

Nga: Fahri Xharra Më: 20 tetor 2021 Në ora: 21:16
Fahri Xharra

Desha të bëj një analizë pak si ndryshe te një libri të botuar rishtas: “Unë jam gegë” të Mustafa Nanos. Po them ndryshe sepse do të nisëm vetëm nga qëllimi i mesazhit (kumtit) të cilin libri mundohet të na jep. Librit ia potencon qëllimin e keq të tij edhe parathënia. Jo rastësisht u gjetën këta të dy. Por të shkojmë radhazi dhe të shohim se si libri na e thotë atë që e thoshin të tjerët ; apo e thotë Mustafa Nano atë që ne nuk deshëm ta thonim:

“Tani për tani është e pamundur studimi i të kaluarës së shqiptarëve me metoda arkeologjike ngase nuk ka gjurmë për to. Kjo s’është e jashtëzakonshme, sepse shqiptarët e sotëm janë një përzierje e komponentëve të ndryshëm etnike gjegjësisht kulturave të ndryshme. Janë blegtorë të ardhur dhe kështu në mënyrë arkeologjike janë të pa diktueshëm (që nuk vërehen). Gjurmët e tyre duhet kërkuar nëpër varrezat e tyre nëpër bjeshkë e vështirë që gjendet diçka e mirëfilltë” (Vesna Peshiq: Shqiptarët Ilir të rrejshëm)”… thonë serbët dhe pyesin:

“A e kanë shqiptarët së paku gjuhën e tyre amtare? Jo , nuk e kanë. Prova më e mirë për këtë është në faktin që kur shoqata angleze biblike, e cila e boton Librin e shenjtë për çdo popull në gjuhën e tij, ishte e obliguar që për Arnautët të botojë Biblën në 5 përkthime të ndryshme “….. “ në mesin e këtyre pesë “dialekteve”, dy nga ata janë më të përhapurit, atë të cilin e flasin gegët dhe gjuha e shqiptarëve të Jugut , i cili quhet toskërisht. Këto gjuhë janë aq të ndryshme sa që Gega nuk e merr vesh Toskën dhe anasjelltas. Bile kur delegacioni i Ali pashë Tepelenës e vizitonte Mustafa Pashën e Shkodrës , edhe pse të gjithë arnaut i dashke të sillnin me veti përkthyesin e posaçëm, sepse ata nuk e kuptonin gjuhën Gegë “ ( V.Nelezhejov , Të drejtat e shqiptarëve për shtet B.) Nano, ore Nano!

E keqja vjen nga jashtë e edhe nga brenda: “Deri vonë në shekullin XIX shumica e shqiptarëve nga administrata osmane konsideroheshin ose “turq” (d.m.th. myslimanë), ose “grekë” (ortodoksë) dhe “latinë” (katolikë). Shumica, sipas Schmitt, edhe ndiheshin të tillë. Jo kombi, por përkatësia fetare ishte primare. Ashtu si sot në Kosovë kur bashkësia ndërkombëtare përpiqet të ndërtojë një komb (“nation-building”) edhe para 120-130 vjetëve diplomatët austriakë dhe hungarezë, por edhe shkencëtarët zhvillonin përpjekje për të krijuar kombin shqiptar (Me Ankaranë apo me Brukselin? – Enver Robelli)”.

“Kurse shtypi i Beogradit, kabinetet e Beogradit dhe zotërinj ministrat e punëve të jashtme i konsideronin shqiptarët raje të paemër, që banonin në vend të paemër, pa histori, pa letërsi dhe gjuhë letrare, pa tradita, pa poezi, pa të gjitha ato atributet, pra, që njeriun dhe fisin e bëjnë fis njerëzor. “(shtypi serb, Jovan Deretiç)
Para se të dilet me një libër të tillë si “Unë jam gegë”, duhet të pyesim (nëse jemi shqiptar) se çka thonin e çka thonë të tjerët për ne: “Pra, Arnautët jo që nuk e kanë gjuhën e tyre të përbashkët popullore por nuk e kanë as alfabetin e tyre (Ueber das Albanesische, Berlin, 1855.) dhe parathënësi i librit Primo Shllaku shkruan diku tjetër “Standardi dështoi" (Primo Shllaku, Poet, Drejtues i Institutit të Promovimit të Vlerave të Gjuhës Shqipe)?

Më vjen për të menduar seriozisht por me një habi të madhe se çka analizon Mustafa Nano në “Unë jam gegë”, pse atë e brengos që aq rrallë po u përmendkan “toskët” dhe ”gegët” nga historianët tanë. Apo e ka qëllimin e deretiqëve , peshiqëve dhe cvijiqëve të cituar më lartë që karshi botës të paraqitemi si popull: “këta Gegë dhe këta Toskë, këta melezë të tipave të ndryshëm antropologjikë, kjo bandë e përçarë në pesëdhjetë dialekte plotësisht të pakuptueshme” .

Ju lutem pak vëmendje nga libri: “Aleks Buda, që e ndjek gur me gur historinë e Shqipërisë… nuk ia ka nxënë goja qoftë edhe një herë të vetme termat ”gegë” e ”toskë” (Unë jam gegë fq.13) …Kristo Frashëri e bënë të njëjtën gjë në librat e tij, fjala vjen në librin e tij “Historia e qytetërimit shqiptar” gjendet fjala “Toskëri” që përdoret 3-4 herë….Po ky autor (Kristo Frashëri fxh) e ka përdorur një herë fjalën “Toskëri” e një herë fjalën “gegëri” në librin Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë. ( po aty ,faqe 13.)” …. M.Nano ankohet.

Pastaj, pa menduar fare qëllimin e të tjerëve M.N. shkruan: “Si zor të gjendet pra ndonjë historiograf, konsull, etnolog …. që të mos ketë shkruar për shqiptarët e të mos ketë folur për gegët e toskët”. Po ja qëllimi i tyre zoti M.Nano: “Qysh para disa vitesh, udhëtarët në Shqipëri paskan parë njerëz me bisht, “me bisht të kalit ose të dhisë” dhe këta Bastarde të Tribalëve dhe Skordiskëve antikë, këta Gegë dhe këta Toskë, këta melezë të tipave të ndryshëm antropologjikë, kjo bandë e përçarë në pesëdhjetë dialekte plotësisht të pakuptueshme, bërtet dhe thërret ndër vetë në anarki skëterrëse “(shtypi serb , Cvijiç). Të shkruajmë edhe ne si këta? Po Mustafa Nano shkruan “Nga ilirët te gegët, nga epirotët tek toskët” e kërkon ndarjen gjenetike ”antropologu” ynë në librin e tij “Unë jam gegë”.

“Në mbledhjen e Manastirit në vitin 1910, një nga përfaqësuesit e shquar të asaj kohe për çështjet shqiptare, Dervish Hima, u ngrit e tha:

– Dua të flas për Kosovën. Serbët po derdhin shumë të holla për të shkombëtarizuar vëllezërit tanë dhe thonë se vendësit e Kosovës janë më të shumtit serbë. Kurrë s’mund të bëhet që ne shqiptarët të heshtim duke parë gjithë këto gjëra që bëhen kundër nesh.

Që sot e tutje nuk do të përmendim më fjalën gegë e toskë, por vetëm shqiptarë, sepse gjithë shqiptarë jemi, të gjithë një gjuhë e një gjak kemi, të gjithë një atdhe e një qëllim të lartë kemi i cili është: përparimi i kombit shqiptar!

”Pas shpalljes së Pavarësisë, më 1912, një gazetar anglez e pyeti Heroin e Popullit Ismail Qemali: – Si do t’i bashkoni në një shtet katolikët e Veriut me myslimanët e Shqipërisë së Mesme me ortodoksët e Jugut? Dhe Ismail Qemali ia priti: – Mos kini frikë, zotëri. Ata janë bashkuar e bërë njësh prej kohësh, përmes kultit të tr njëjtit atdhe, të cilin e kanë në zemër prej shekujsh përpara se t’i sillnin të huajt këto besime! -”

Po e citoj edhe këtë intervistë: “Mustafa Nano në librin e tij të fundit “Unë jam Gegë” thotë se çështja e shqipes standarde e ka tejkaluar Shkumbinin, si kufi ndarës mes dialektit Gegë dhe Toskë, dhe tashmë është zhvendosur në Morinë.”

Mehmet Kraja përgjigjet: Nuk do të duhej të përgjigjesha në këtë pyetje, vetëm për faktin se më citoni këtu një gazetar jokompetent, madje aksidental, dhe nuk iu referoheni profesionistëve, atyre që janë kompetentë dhe që çështjen e gjuhës e trajtojnë me informacion të mjaftueshëm, me dije kulturore dhe me akribi shkencore. Me injorantë të këtillë nuk do të doja kurrë t’i diskutoja çështjet e gjuhës, madje as të motit. ”

Ndërsa autorët serbë na këshillojnë: “Për shqiptarët kishte me qenë në interes më të madh nacional sikur të përcaktohej qartë identiteti i tyre etnik dhe në atë mënyrë e kishin fituar epitetin e një populli të rëndësishëm të Kaukazit me një civilizim dhe traditë mijëra vjeçare; se sa me kokëfortësi të paraqiten si pasardhës të ilireve dhe me vetëdije të sajojnë një rrenë me përkatësinë më të ultë morale – vet zhgënjimin:”( Vesna Peshiq- Albanci lazni Iliri). Çfarë këshille e mençur! dhe ne si i themi kësaj? Fol Mustafa Nano!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat