Politika duhet të ketë frikë nga populli dhe jo populli nga politika

Kultura

Politika duhet të ketë frikë nga populli dhe jo populli nga politika

Nga: Hejza Art Më: 12 nëntor 2021 Në ora: 12:46
Eni Feruli

Eni Feruli është psikologe klinike dhe trapiste ndaj varësive të drogave. Ajo është e lindur në Sarandë dhe aktualisht jeton në Montreal/Kanada, me bashkëshortin dhe 2 fëmijët e saj, vajzën 15 vjeç dhe djalin 3 muajsh. Feruli ka përfunduar studimet e larta Master në psikologjinë klinike dhe post Master në Danimarkë. Ajo ka një eksperiencë shumëvjeçare si psikologe dhe burimeve njerëzore në sektorin privat dhe publik në Tiranë. Në Kanada Feruli ushtron profesionin si trapiste klinike ndaj personave me varësi nga drogat.

HEJZA: Si etni, si shoqëri moderne shqiptare, a i ngjajmë qytetarit që përfundimisht duhet të shtrihet në pavijonet e psikiatrisë? Po që e kemi makth e për turp kontrollimin në psikiatri?! Kurse qytetaria ndjehet e lumtur sapo të gjejë psikologun familjar! Cili është sot profili psikik i shqiptarit?

ENI FERULI: Absolutisht JO. Shoqëria shqiptare i ngjan atij qytetarit që është shtrirë tashmë në shtratin e pashpresës dhe të rraskapitur nga varfëria (përqindja më e madhe). Në ditët e sotme nga eksperienca personale, mendoj se është zbehur turpi për të trokitur në derën e një psikologu apo psikiatri, por pamundësia për ta përballuar një shërbim të tillë bën që kërkesa për ndihmë mendore të jetë ende në shifra të ulëta. Dhe kush e merr si shërbim, vërehet ai filli i copës së lumturisë pasi shikojnë një fije shprese për ta.

Askush nuk mund të përshkruajë profilin psikik të një populli në përgjithësi. Përshkrimi psikik i një personi të vetëm është i vështirë, pasi duhet një studim në mënyrën se si personi mendon, çfarë ndjen, si e shikon ai botën përreth dhe si vepron në atë realitet. Pra, do ta përshkruaja popullin shqiptar si një popull të zgjuar, një popull punëtor. Por, sjelljet e tyre në Shqipëri janë të varura nga sistemi ekonomik tejet i varfër dhe duke menduar se shpresa e tyre e një mirëqenie jetese varet nga drejtimi politik. Nëse do të ishte i mundur një ekzaminim i të menduarit dhe ndjenjave të shqiptarit se si ata e dëshirojnë jetesën e tyre, më besoni do të ishte në pritshmëri shumë të larta.

HEJZA: Shekuj e shekuj të robëruar, të nënshtruar, të nëpërkëmbur, në kulmin e varfërisë, megjithatë, nuk kemi hequr dorë nga integriteti etnik, krenarë që vijmë nga lashtësia e me tradita që na kanë dhënë emër! Sot japim gjithçka që të ndjehemi të lumtur! Çka është lumturia individuale e çka lumturia kolektive-kombëtare?

ENI FERULI: Duke ardhur nga një eksperiencë personale e dy vendeve të botës që sot renditen të parat për nga mirëqenia dhe lumturisë kolektive, si Danimarka ku kam kryer një pjesë të studimeve pas Masterit dhe Kanadaja ku sot jetoj. Do t’i përgjigjesha kësaj pyetje duke e nisur se sot populli shqiptar jep gjithçka për të qenë i lumtur edhe emrin e lashtë nga vijmë dhe traditat.

E dhimbshme, por shumë e vërtetë. Nuk jemi as të shurdhët e as pa sy të kuptojmë se sa gati janë ata shqiptarë për t’u arratisur nga sytë këmbët nga ai vend me prejardhjen tonë të lashtë, e të përqafojmë të uritur tokën e një vendi tjetër. Përse? Sepse, lumturia individuale varet drejtpërdrejtë nga lumturia kolektive kombëtare.

Si mund të jetë i lumtur një individ sado i pasur apo i varfër nëse lumturia kolektive kombëtare çalon? Lumturia është raporti midis mirëqenies dhe shëndetit, të cilat lidhen me zinxhir me kushtet e vendit ku jetojmë. Sa më jetëgjatë të jetë dhe të ofrohet mirëqenia e individit, aq më e lumtur dhe e sigurt do të ndjehet shoqëria. Nëse krahasojmë shqiptarët në Shqipëri dhe shqiptarët jashtë trojeve të saj, vihet në dukje një krenari për prejardhjen tonë, sepse qetësia dhe lumturia kolektive e vendit tjetër bën që të tregojmë vlerat e prejardhjes sonë dhe suksesit që shqiptarët kanë treguar me fakte në vendet e huaja. Qetësia psikologjike, mirëqenia e jetës pasohet nga vepra dhe lumturia kolektive dhe anasjelltas.

HEJZA: Disiplina e diktuar nga diktatura e egër na ka mbajtur larg dukurive të shëmtuara e psikopatike (përdhunimi, dhunimi, droga, krimi në familje, në shoqëri, pedofilia, zoofilia etj.), apo, këto i kemi pasur të ndrydhura nëpër kthina të gjeneve dhe, mezi kemi pritur një “liri absolute” që të shpërfytyrohemi e të bëhemi gaz i botës!

ENI FERULI: Dukuritë e shëmtuara, siç dhe ju e theksoni në pyetje, janë kudo dhe ndodhin çdo dite. Por, ndrydhjet, do ta theksoja më tepër nga mentaliteti i shoqërisë dhe familja, të cilat, për shkak të opinionit publik, vazhdojmë ende t’i mbajmë fshehur. Mund të justifikoj popullin shqiptar për shumë situata që nuk ka forcën t’i ndryshojë, por nuk duhet toleruar asnjë formë dhune pasi sot kërkohet e drejta dhe nëse dikush do të mundohet ta fshehë atë, do të jetë e pamundur. Jemi në një kohë ku elektronika na ka mundësuar të denoncojmë cilindo në kohë reale.

HEJZA: A mund të lumturohet një popull nga jeta e begatë kulturore? Apo, lumturia nuk varet nga kultura por nga shëndeti psikologjik i popullit?

ENI FERULI: Lumturia në përgjithësi është bashkim copëzash lumturie ku patjetër jeta e begatë kulturore ndikon drejtpërdrejtë në psikologjinë e njeriut. Duke u nisur dhe nga fusha ime profesionale, ne trajtojmë problemet psikike me terapi nga fusha kulturore, si arti, muzika…etj. Sa më shumë aktivitete kulturore, aq më shumë largohemi nga veprat e dhunës dhe stresi individual-kolektiv.

HEJZA: Sa më shumë të kemi psikologë familjar aq më pakë do të kemi probleme si shoqëri! Pajtoheni me këtë? Apo, ky problem nuk do të mund të zbutet pa u trajtuar nga psikologët fillimisht politikat kombëtare.

ENI FERULI: Psikologu ka një rol shumë të rëndësishëm në trajtimin e problemeve psikologjike të individit, të cilat pasqyrohen në familje dhe shoqërinë e gjerë. Një problem zbutet apo zgjidhet jo duke bashkëvepruar të gjitha hallkat e zinxhirit dhe jo nga një segment i vetëm.

HEJZA: Si ta pranojmë kritikën objektive si terapi psikologjike?

ENI FERULI: Kritikë objektive personale apo kritikë objektive kolektive? Nëse do të bëhet fjalë për kritikë objektive kolektive, atëherë e vetmja mënyrë që të mos këtë impakt negativ, por përmirësues pas kritikës, është që të mos e marrim kritikën personale. Por, sa e lehtë është kjo, lind pyetja?

Ndërsa nëse flasim për kritikë objektive personale, është shumë e vështirë pasi personat e marrin me negativitet, sepse vihen në pah gabimet dhe të metat. Që kjo të funksionojë, personi që bën kritike objektive, duhet të shfaqë dashuri dhe përkujdesje ndaj personit tjetër. Dhe kjo nuk funksionon në terapitë psikologjike. Terapitë psikologjike ushtrohen nëpërmjet profesionalizmit.

HEJZA: Psikologjia e krijimtarisë sonë kulturore na bën me identitet të veçantë e specifik, apo, na veçon si “pacient në kurim e sipër”!

ENI FERULI: Shqiptarin nuk do ta quaja kurrsesi pacient.

HEJZA: Tri këshilla psikologjike që do të vlenin për shqiptarin e sotshëm. Apo, cilat do të ishin ato copëza psikologjike të puzzle-s së portretit të shqiptarit të sotshëm të lumtur e të suksesshëm?

ENI FERULI: E vetmja dëshirë që do të shprehja pasi nuk mund të jap këshilla është “t’i ftoja” të gjithë shqiptarët të besojnë në aftësitë e tyre dhe të luftojnë për të drejtat e tyre dhe të shkëputin marrëdhënien popull-politikë. Politika duhet të ketë frikë nga populli dhe jo populli nga politika e një vendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat