Artistët bëjnë për shtetin, po shteti për artistët?

Kultura

Artistët bëjnë për shtetin, po shteti për artistët?

Më: 27 nëntor 2021 Në ora: 11:24
Ilustrim

Gati të gjithë artistët që i kemi të njohur nëpër botë famën e tyre e kanë arritur me vetësakrificë, me kontribute personale e familjare! Dalin nëpër botë dhe, akoma pa i njohur populli i vet, arrijnë famë ndërkombëtare! Këtu nuk është fjala për ata artistë që kanë emigruar shumë herët si pasojë e sistemeve ideologjike apo të luftës, siç janë: Aleksandër Moisiu, aktor, Ana Oxa, këngëtare, James Belushi, aktor, Eliza Dushku, aktore, Stan Dragoti regjisor, Fadil Berisha, fotograf, Bebe Rexha, Rita Ora, Dua Lipa, këngëtare, Karl Gega, arkitekt, e shumë të tjerë! Të gjithë këta, më parë i ka njohur bota e pastaj populli shqiptar.

Kemi edhe nga ata artistë shqiptarë që kanë dalë së fundi nga ky popull, por që famën e kanë arritur jashtë vendlindjes! Janë të shumtë, sidomos baletanë, soprane, tenorë, këngëtarë etj., të cilët “u deshtën” të emigrojnë nga atdheu që të arrijnë famë e ta bëjnë krenar atdheun! Inva Mula, Tedi Papavrami, Angjelin Prelocaj, Ilir Shaqiri, Kledi Kadiu, Leon Cino, Klajdi Selimi, Elsa Lilaj, Miriam Cani, Aris Golemi, Eda Zari,Ermonela Jaho, Saimir Pirgu e shumë të tjerë!

Megjithatë, kemi edhe shumë artistë kombëtarë të cilët krijojnë fuqishëm në atdhe, por që nuk e kanë pasur rastin që të shpërthejnë në arenën ndërkombëtare. Është një kategori artistësh të cilët varen kryekëput nga përkrahja institucionale ose nga donatorë të ndryshëm! Krijuesit letrarë e kanë të vështirë të shpërthejnë nëpër botë nëse nuk gjenden përkthyes, të cilët do të merrnin garanci institucionale se po bëjnë një punë të mirë dhe se do të paguhen për atë punë sipas standardeve ndërkombëtare! Domethënë, fama duhet të arrihet në atdhe, ta njoh e të mburret populli i vet me vlerat artistike të krijuesit dhe pastaj të gjenden përkthyes motivues dhe të siguruar se do të paguhen. Ose, të joshen botues ndërkombëtarë të cilët, pasi të binden për vlerat letrare të larta të akcilit krijues, vetë do të angazhonin përkthyes për ta përgatitur veprën në gjuhën përkatëse. Sepse, shqiptarët nuk kanë vetëm një Kadare, gjithsesi, tash për tash, të paarritshëm, nuk kanë vetëm një mjeshtër si Fatos Kongoli e ndonjë tjetër. Shqiptarët kanë krijues fantastikë, të cilët, fatkeqësisht, “nuk njihen” nga vetë institucionet kombëtare, të partizuar deri në palcë! Krijuesit që aderojnë nëpër parti nuk e kanë me gjithë mend që të ngelin krijues, por të kalojnë në politikë ndaj dhe “miklimi” i tyre, në fakt do të thotë ”ndrydhje institucionale” e vlerave të mirëfillta kombëtare!

Edhe më keq është situata me artistët nga fusha e artit figurativ! Kushton mermeri, kushton guri, kushton druri, kushton telajo, pëlhura, ngjyrat, gjithçka është e kushtueshme, madje tepër shumë e kushtueshme për xhepin e cekët të artistëve shqiptarë! Kjo kategori artistësh nuk ia dalin që të njihen në mes vete me ata që krijojnë në Kosovë e në viset e tjera etnike! Pa dyshim, kritika e artit figurativ i njeh dhe i çmon brenda për brenda komunitetit lokal dhe mund të njihen mirë e të rrinë bashkë tërë ditën, por sa i njeh populli, sa ata të Shqipërisë njihen në Kosovë dhe anasjelltas, sa ata të Maqedonisë së Veriut njihen në Shqipëri, Kosovë dhe anasjelltas! A e njohin shqiptarët e Shqipërisë piktorin nga Lugina e Preshevës, Ismet Jonuzin, apo atë nga Gostivari, Burhan Ahmetin! Njihen pak ose fare! Sepse, ekspozimi i veprave të artistëve figurativë kërkon angazhim përtej mundësive reale të vetë piktorëve, skulptorëve, etj. Pa angazhimin e ministrive të kulturës, të cilët do t’i mbulonin edhe sigurimet e veprave artistike përgjatë transportit për t’i ekspozuar nëpër qendra të ndryshme shqiptare, janë pothuajse të pamundshme organizimet e ekspozitave brenda qendrave shqiptare. Njohja me diversitetin krijues brenda-kombëtar është i patjetërsueshëm! Pra, artistë patjetër që duhet të njihen nga populli dhe, në mesin e më shumë artistëve kombëtarë, duhet të veçohen ata që do të jenë më të mirë dhe pastaj të hidhen nëpër qendra ndërkombëtare si më të mirët e kombit që krijojnë në atdhe!

Si popull kemi artistë figurativë gjenialë, por pa përkrahje institucionale! Galeritë duhet të shërbejnë edhe për gërshetim dhe njohje të vlerave të artistëve kombëtarë, gjithkund ku krijojnë ata dhe nuk shërbejnë vetëm për artistët lokalë, dhe për ata që janë të preferuarit partiakë, dhe që me punën e tyre artistike, pavetëdije shndërrohen në pika politike të subjektit partiak manipulues! Partitë që i shantazhojnë apo që i kushtëzojnë artistët, nuk janë gjë tjetër përveçse “mercenarë” të atyre qendrave që me strategji ia mësyjnë degradimit të identitetit kulturor shqiptar! /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat